Ultimatumi i Bashës/ Qeverisë po i vjen ora e llogarive me popullin

basha ne ersekeKryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar turin e bashkëbisedimit me qytetarët në juglindje të vendit. Zoti Basha bisedoi dhe takoi qytetarët në Maliq, Korçë, Devoll, Ersekë, duke shprehur vullnetin e forcës së tij politike se vetëm ulja e taksave, ulja e energjisë heqja e TVSH-së është zgjidhja më e mirë për të luftuar varfërinë. Zoti Basha është njohur me shqetësimet e tregtarëve dhe banorëve të cilët sot nuk sigurojnë dot as bukën e gojës. Kryetari i opozitës Lulzim Basha duke shpalosur platformën e tij tha se hapja e vendeve te reja te punës, me qëllim rritjen e konsumit dhe ulja e taksave janë prioritete të Selisë blu. “Që të ndryshojë duhet të ulim taksat, çmimin e energjisë, çmimin e naftës se në kohë krize janë rritur të tria këto dhe e kanë pamundësuar biznesin që të punësojë njerëz”

Në Ersekë, kryetari i Partisë Demokratike ka denoncuar presionin mafioz që po i bëhet kandidatit të opozitës. Pasi ka bashkëbiseduar me qytetarët e Kolonjës, zoti Basha tha se sjellja e mazhorancës tregon panikun që i ka kapur nga llogaridhënia në 21 qershor dhe humbja e thellë e zgjedhjeve. “Po vjen ora e llogarive me popullin. Ku i kanë vendet e punës? Ku i kanë taksat e ulura? Ku i kanë çmimet e ulura? Me stilin e tyre tipik të një organizate kriminale kishin çuar para dy ditësh edhe ministrin të na kërcënonte kandidatin tonë, për një arsye të vetme”.

 

 Gara për Tiranën/ Kosova: Do të tregoj tolerancë zero ndaj korrupsionit

Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, vazhdon takimet dhe prezantimin e programit të tij para banorëve të kryeqytetit. Nga njësia 8 ai detajoi programin e tij dhe u shpjegoi qytetarëve se si do ndikojë në përmirësimin e jetës së tyre. Kosova u ndal tek projektet e detajuara, dhe theksoi edhe një herë parimet e tij të qeverisjes që janë përkushtimi, transparenca dhe lufta ndaj korrupsionit. “Por unë kam gjithashtu projekte specifike dhe konkrete jo vetëm për njësitë dhe komunat por për çdo lagje, pikërisht aty ku ju banoni. Sot unë dua të ndaj me ju projektet që kam për ju”. Kosova parashtroi ndërhyrjet në rrugë infrastrukturë, kanalizime, institucione arsimore, parqe dhe terrene sportive për këtë zonë duke e detajuar për secilën lagje dhe bllok pallatesh. Kandidati i djathtë për kryebashkiak të Tiranës shprehu vullnetin e tij për luftën ndaj korrupsionit dhe vizionin e tij për Tiranën. “Çdo projekt do të përfundohet brenda afatit kohor dhe do të tregoj tolerancë zero ndaj korrupsionit ashtu siç kam bërë gjatë gjithë jetës sime. Unë do të punoj për të gjithë dhe me të gjithë ju pa asnjë dallim”.

Share it :