Udhëzimi për maturantët/ Ja ç’përmbajnë testet e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje

Udhëzimi për maturantëtProvimet e detyruara dhe me zgjedhje të fillojnë në orën 10.00. Testi për secilin nga provimet e detyruara të përmbajë 25 pyetje

Ministria e Arsimit publikon udhëzimet për zhvillimin e provimeve të maturës. Lëndët e provimeve të Maturës Shtetërore 2015 për shkollat joprofesionale do të jenë: Provime të detyruara: Gjuhë shqipe dhe letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj dhe Provime me zgjedhje. Testi i gjuhës së huaj (D3) të hartohet në përputhje me gjuhën e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar në nivelin gjuhësor B1. Lista e gjuhëve të huaja, që do të jepen si provim i detyruar D3, është: anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Kandidatët e vitit të kaluar, që rezultuan mbetës në D3, janë të detyruar ta rijapin këtë provim. Kandidatët e tjerë, që aplikojnë me A1Z, nuk do ta rijapin provimin e detyruar D3. Testi i provimit të detyruar D3 (gjuhë e huaj) hartohet nga AKP-ja. Ky provim zhvillohet, vlerësohet dhe administrohet nga DAR/ZA-të. Vlerësimi i gjuhës së huaj (D3), si provim i detyruar, do të pasqyrohet në certifikatën e Maturës Shtetërore, por nuk do të ndikojë te pikët. Testi i gjuhës së huaj me zgjedhje të hartohet në nivelin gjuhësor B2.

 

Pikët

Për llogaritjen e pikëve të procedohet si më poshtë: Shënohen me: – M, D1, D2, Z1 dhe Z2 përkatësisht pikët mesatare të arsimit të mesëm të lartë, vlerësimet në lëndët e detyruara “Letërsi dhe gjuhë shqipe”, “Matematikë” dhe në ato me zgjedhje. – K, F1 dhe F2, përkatësisht koeficienti i shkollës dhe koeficientët e lëndëve me zgjedhje të përcaktuar nga universitetet publike. Llogaritja e shumës S të pikëve të maturantëve/kandidatëve, të cilët kanë rezultuar kalues në provimet me detyrim dhe me zgjedhje, bëhet me formulën: s={[26xM+20x (D1+D2)] xK+17x(Z1xF1+Z2xF2)}x5.

 

Testet

Provimet e detyruara dhe me zgjedhje të fillojnë në orën 10.00. Testi për secilin nga provimet e detyruara të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila (10 pikë gjithsej) dhe 10 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 30 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pikë. Provimet e detyruara të zgjasin 2 orë e 30 minuta secila. Testi i provimit të detyruar të gjuhës së huaj hartohet nga AKP-ja dhe administrohet dhe vlerësohet nga DAR/ZA. Provimet me zgjedhje të zgjasin 3 orë. Maturantët/kandidatët që do të japin provim të MSH njërën nga lëndët me zgjedhje, do të fillojnë provimin në orën 11.30 dhe do ta përfundojnë atë në orën 13.00. Maturantët/kandidatët mbetës në provimet e Maturës Shtetërore kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë.

 

Mësuesit që do të japin provimin e kualifikimit

Mësuesit për kualifikim janë punonjësit e institucioneve arsimore publike dhe atyre private, të cilët kanë diplomë mësuesie, sipas kritereve të parashikuara në legjislacionin në fuqi. Procedurave të kualifikimit u nënshtrohen të gjithë mësuesit, të cilët, deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës, plotësojnë kushtet e mëposhtme për vjetërsinë e punës në arsim: a) të paktën 5 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “mësues i kualifikuar”; b) të paktën 10 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “mësues specialist” dhe të paktën 5 vjet punë pas marrjes së kategorisë “mësues i kualifikuar”; c) të paktën 20 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “mësues mjeshtër” dhe të paktën 10 vjet punë pas marrjes së kategorisë “mësues specialist”. Duke filluar nga viti 2014 – 2015 e në vazhdim, mësuesit që plotësojnë kriteret e pikës 2, kanë të drejtë të aplikojnë për të fituar kategorinë e kualifikimit, nëse kanë kryer të paktën 3 ditë trajnimi në vit kalendarik, të cilat janë të barasvlershme me 18 orë trajnimi të pasqyruara me 6 kredite. 4. Punonjësit arsimorë, që kanë mospërputhje midis vjetërsisë së punës në arsim dhe kategorisë së kualifikimit, kualifikohen për kategorinë më të ulët që nuk e kanë fituar ende. Nëse një kandidat nuk merr pjesë në kualifikim ose nuk kualifikohet, ka të drejtë të marrë pjesë në vitin pasardhës. Punonjësit e diplomuar në mësuesi që punojnë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe DAR/ZA-ve përfitojnë pa hyrë në provime kategorinë e kualifikimit, nëse plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2 të këtij kreu.

 

Programet

Programet e kualifikimit të mësuesve hartohen nga IZHA-ja dhe u vihen në shërbim kandidatëve nga DAR/ZA-të. Programet e kualifikimit publikohen edhe në faqen zyrtare elektronike të IZHA-së. Programi i kualifikimit të mësuesve të arsimit parashkollor bazohet në të gjitha programet mësimore të arsimit parashkollor. Programi i kualifikimit të mësuesve të arsimit fillor bazohet në të gjitha programet lëndore të arsimit fillor. Programet e kualifikimit të mësuesve në arsimin e mesëm të ulët, gjimnaz, në shkollat e specializuara, si dhe të mësuesve të kulturës së përgjithshme në arsimin profesional e arsimin e orientuar, bazohen në të gjitha programet e lëndëve që japin në shkollë. Programet e kualifikimit të mësuesve të shkollave artistike, që japin lëndët profesionale, bazohen në programet mësimore për degët e muzikës, artit pamor dhe baletit. Programet e kualifikimit të mësuesve të arsimit profesional, që japin lëndët e kulturës profesionale, përgatiten sipas programeve të përgjithshme të përgatitura nga IZHA-ja në bashkëpunim me AKAFPK. Programet e kualifikimit të mësuesve të shkollave speciale, që japin lëndët e kulturës profesionale, përgatiten sipas programeve të përgjithshme të përgatitura nga IZHA-ja

Share it :