U tërhoq zvarrë nga policia me këmbën e thyer/ Protestuesi rrëfen ngjarjen: Më dhunuan në furgon…

U tërhoq zvarrë nga policia me këmbën e thyer/ Protestuesi rrëfen ngjarjen: Më dhunuan në furgon…

Një i ri ka treguar se si është dhunuar fizikisht nga efektivët e policisë gjatë protestës së djeshme pranë stadiumit “Dinamo”.

Në një intervistë me gazetarin Osman Stafa, Aureli shpjegon se kishte qenë duke ecur pas mesnatës dhe ishte afruar pranë një parkimi për të parë një situatë ku disa persona po protestonin.

Në atë moment, sipas rrëfimit të tij, disa efektivë policie e kanë sulmuar duke e goditur me shkop gome dhe me shqelma.

Si pasojë e dhunës, ai ka thyer këmbën dhe ka dëmtime të tjera në trup dhe tregon se ndodhet në spital duke pritur për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Pjesë nga rrëfimi

Gazetari Osman Stafa: Aurel, të përshëndes!

Aureli: Përshëndetje Osmani!

Gazetari: Çfarë ka ndodhur me ty?

Aureli: Dje isha duke marshuar paqësisht dhe shkuam deri tek stadiumi “Dinamo”. Aty ku ndodhi edhe ajo që ndodhi dje. Ishim duke vrapuar në ato momente. Unë nuk isha duke bërë asgjë. Ishin edhe disa protestues të tjerë aty, tek një bordurë, tek një parking bosh, ku kishte hyrje parkingu dhe kishte lartësi aty. Na shtynë aty dhe na u sulën për të na rrahur me shkopinj gome, dhe ne u hodhëm të gjithë. Aty u hodha dhe unë dhe theva këmbën. Tani kam thyerje dhe mjekët më thonë që do shkojmë për operacion, por nuk e di, do shohim deri nesër.

Gazetari: Ti je ky rasti që unë do të nxjerr tani, pra… ka qenë vëmendja tek një person i cili është goditur me shkop gome në tokë, dhe ti je ky personi që ata e fusin me këmbë të thyer në furgon e rrahin?

Aureli: Unë jam ai personi me kapuçin e verdhë, po, që më fusin në furgon me këmbë të thyer. Dhe aty pastaj vazhdojnë duke më rrahur akoma. Në furgon ishte vetëm një protestues aty. Dhe pastaj vjen shefi dhe i tha atyre: “Vetëm këtë e keni kapur mo? Nxirrini më jashtë.” Dhe siç ishim ashtu të gjakosur, na kapën, unë me këmbë të thyer, na lanë në rrugë aty.

Gazetari: Ti… thoshe në ato momente atyre që “kam këmbën e thyer, që mos të të lëviznin”?

Aureli: I thashë, i thashë gjithë kohës. Biles, zëri im duke thënë “më është thyer këmba” dëgjohet nëpër videot në Instagram e kudo.

Gazetari: Dhe prapë nuk reaguan që të të linin në tokë, të merrnin ambulancën?

Aureli: Jo, jo, aspak, aspak! Biles i thashë e “të lutem më shoqëroni po deshët, unë vuaj edhe nga një sëmundje neurologjike autoimune, sklerozë multiple…” Ua thashë edhe këtë disa herë, ata prapë godisnin e dhunonin.

Gazetari: Të kanë goditur brenda furgonit?

Aureli: Më kanë goditur, kam fraktura dhe tek këmba e majtë, përveç këmbës së djathtë që më është thyer. Dhe gjithashtu tek hunda. Shyqyr kisha kapuçin sepse goditën gjithë ato herë në kokë. Unë aty e kuptova që ata policë nuk kishin njerëzi. Më përpara mendoja se: Okej, edhe ata janë njerëz, policë, që na mbrojnë në qoftë se ndodh diçka. Por dje më ndryshoi komplet mendimi. Nuk ishin njerëz, i pashë sy më sy, i gjakosur aty më dhunonin me këmbë të thyer.

Share it :