Policia largoi median nga protesta/ AGSH: E patolerueshme! Po pengohet liria e gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon pengimin e gazetarëve dhe ekipeve televizive nga Policia e Shtetit protestën e sotme para Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si shkelje të lirisë së medias dhe të së drejtës së qytetarëve për t’u informuar.
Sipas AGSH-së, gjatë ditëve të fundit janë dokumentuar 40 incidente, ku gazetarët janë dhunuar, kërcënuar, goditur me plumba gome dhe penguar në ushtrimin e detyrës.
Shoqata kërkon që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të mbajë përgjegjësi dhe u bën thirrje mediave dhe drejtuesve të redaksive të reagojnë publikisht ndaj dhunës dhe pengimit të gazetarëve.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon ashpër veprimet e Policisë së Shtetit, e cila vijon të pengojë në mënyrë të papranueshme gazetarët dhe ekipet televizive në ushtrimin e detyrës së tyre.
Ndërkohë që ngjarjet zhvillohen qindra metra larg, Policia e Shtetit vendos kordone për të bllokuar gazetarët, duke u mohuar atyre mundësinë për të dokumentuar dhe raportuar atë që po ndodh.
Kjo nuk është mbrojtje e rendit publik. Kjo është pengim i drejtpërdrejtë i lirisë së medias dhe i së drejtës së qytetarëve për t’u informuar.
Pas 40 incidenteve të dokumentuara gjatë ditëve të fundit, ku gazetarët janë dhunuar, kërcënuar, goditur me plumba gome dhe penguar sistematikisht nga efektivët e policisë, kjo situatë është e patolerueshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e strukturave që drejton. Nuk mund të ketë më justifikime për pengimin e vazhdueshëm të gazetarëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre themelore.
AGSH u bën thirrje të gjitha mediave shqiptare dhe drejtuesve të redaksive që të reagojnë publikisht dhe pa ekuivoke ndaj dhunës dhe pengimit të gazetarëve të tyre.
Heshtja e mediave përballë dhunës ndaj gazetarëve të tyre është braktisje e atyre që çdo ditë rrezikojnë sigurinë personale për të informuar publikun”,- thuhet në reagimin e AGSH.




