Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Kreshnik Ahmeti, ka bërë të ditur se është miratuar në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës raporti i raportueses për Kosovën në Këshillin e Europës, Dora Bakoyannis, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Kosova kalon suksesshëm votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të KiE. Sapo është miratuar opinioni i raportueses Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Sipas Ahmetit, ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë.
“Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit”, thekson ai.
Zëvendësministri i MPJ-së së Kosovës ka njoftuar se të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që, sipas tij, tregon se Kosova “duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”.
“Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5”.




