Tropoja 600 MW: Investimi që fsheh rrjetin sekret të Mercuria dhe aleatëve ndërkombëtarë
Skandal energjetik në Shqipëri: 9 skema, 8 shtete dhe paratë që askush nuk mund t’i ndjekë
Ky shkrim merr një dimension të ri në dritën e zhvillimeve më të fundit në sektorin energjetik shqiptar. Në një moment kur energjia është kthyer në një nga çështjet më kritike për sigurinë ekonomike dhe gjeopolitike të rajonit, burime të besueshme tregojnë se kompania Continental Wind Partners pritet të marrë statusin e “investitorit strategjik” nga qeveria shqiptare.
Nëse konfirmohet, ky vendim nuk përfaqëson thjesht një procedurë administrative apo një tjetër hap në zhvillimin e energjive të rinovueshme. Përkundrazi, ai ngre pyetje thelbësore mbi mënyrën se si projekte me ndikim të lartë ekonomik dhe strategjik kalojnë nëpër filtra institucionalë, mbi nivelin e transparencës dhe mbi interesat reale që qëndrojnë pas tyre.
Ky zhvillim e bën edhe më të domosdoshëm një shqyrtim të thelluar të projektit të parkut eolik në Tropojë dhe të strukturave që e mbështesin atë. Në një sektor ku kufiri mes investimit legjitim dhe ndikimit strategjik është shpesh i paqartë, çdo vendim i tillë duhet të analizohet jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në kontekstin e sigurisë kombëtare dhe integritetit institucional.
Në këtë kuadër, materiali në vijim bazohet në një seri dokumentesh të klasifikuara të nivelit më të lartë, të cilat hedhin dritë mbi një rrjet kompleks aktivitetesh financiare dhe ndikimi që shtrihet përtej një investimi të zakonshëm energjetik…
Hijet mbi parkun e Tropojës: nga investimi strategjik te rrjeti i fshehur ndërkombëtar
Ky shkrim bazohet në një seri dokumentesh të klasifikuara të nivelit më të lartë, të kategorizuara si “top sekret”, të cilat hedhin dritë mbi një rrjet kompleks aktivitetesh financiare dhe ndikimi që shtrihet përtej një investimi të zakonshëm energjetik.
Materialet përfshijnë analiza të inteligjencës, të dhëna mbi pronësinë dhe rrjedhën e kapitalit, si dhe elementë që sugjerojnë përfshirjen e aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë.
Ato paraqesin një panoramë të detajuar të mekanizmave të përdorur për të ndërtuar struktura të ndërlikuara juridike dhe financiare, të cilat e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë identifikimin e pronarëve përfitues dhe origjinës së fondeve.
Për shkak të ndjeshmërisë së burimeve, disa informacione janë trajtuar me kujdes dhe janë paraqitur në formë analitike, duke ruajtur thelbin pa kompromentuar burimet.
Ky nuk është një rrëfim spekulativ, por një ndërtim mbi dokumentacion që, nëse konfirmohet plotësisht, mund të ekspozojë ndërthurje të interesave financiare, ndikimit politik dhe mungesës së transparencës në projekte strategjike.
Projekti i Tropojës: një investim strategjik me ndikim përtej energjisë
Në këtë kontekst rajonal, projekti i parkut eolik të Tropojës nuk mund të shihet thjesht si një investim në energji të rinovueshme.
Sipas deklaratave zyrtare të qeverisë shqiptare, ky projekt përfaqëson një nga investimet më të mëdha në historinë e sektorit energjetik të vendit. Në prezantimin e zhvilluar në janar 2026 në Tiranë, zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cilësoi projektin si një hap strategjik drejt forcimit të sovranitetit energjetik të Shqipërisë.
Ngjarja mori një dimension diplomatik me praninë e të Ngarkuarës me Punë të SHBA në Tiranë, Nancy Vanhorn, duke i dhënë projektit një profil ndërkombëtar.
Nga ana e kompanisë, drejtori për Evropën i CWP Global, Dimitar Enchev, deklaroi se projekti prej 600 MW është një nga sipërmarrjet më ambicioze të kompanisë në rajon.
Megjithatë, ekspertët e sektorit energjetik ngrenë disa pikëpyetje: një park eolik me këtë kapacitet në një treg relativisht të vogël si ai shqiptar përfaqëson një volum prodhimi që tejkalon ndjeshëm ritmet aktuale të kërkesës. Kjo e transformon projektin nga një investim i zakonshëm energjetik në një aset strategjik, me ndikim potencial në balancat e tregut, çmimet dhe strukturën e konkurrencës.
Nga projekti publik te rrjeti i fshehur i pronësisë
Ndërsa në sipërfaqe projekti paraqitet si një investim strategjik me mbështetje institucionale, në thelb shfaqet një arkitekturë më komplekse.
Në qendër qëndron kompania Eralb Invest 2, e regjistruar në Tiranë dhe përfaqësuar nga Pellumb Kaba. Kjo është hallka që autoritetet shqiptare shohin në dokumentacion dhe me të cilën lidhen procedurat ligjore për projektin.
Pas saj shtrihet një zinxhir kompleks kompanish që çon deri te pronësia përfituese, MDJ Partnership, e regjistruar në Guernsey (pjesë e grupit të Ishujve të Kanalit/ Channel Islands, një territor vetëqeverisës nën kurorën britanike.) Midis këtyre dy pikave ekziston një strukturë me: 9 nivele juridike në total të shpërndara në 8 juridiksione ndërkombëtare
Kjo strukturë tip “matrioshka” fsheh pronarët realë dhe origjinën e fondeve, duke krijuar një rrjet të vështirë për t’u depërtuar nga autoritetet shqiptare. Çdo euro që investohet kalon nëpër disa juridiksione dhe kompani ndërmjetëse, duke humbur gjurmueshmërinë.
Kur kompleksiteti kalon kufijtë e zakonshëm
Edhe pse struktura të tilla përdoren në mënyrë legjitime për optimizim fiskal dhe menaxhim risku, në këtë rast disa elementë dallojnë:
numri i lartë i shtresave juridike;
përdorimi i përsëritur i juridiksioneve offshore;
prania e kompanive guaskë (shell companies).
Këto faktorë sugjerojnë një nivel kompleksiteti që shkon përtej praktikave normale, duke ngritur dyshime mbi qëllimin real të strukturës.
Raporti i Inteligjencës: Mercuria dhe rrjeti ndërkombëtar
Një raport gjithëpërfshirës i inteligjencës, i klasifikuar si top sekret, zbardh një skemë ku Continental Wind Partners dhe Mercuria Energy Group shfaqen si pika kyçe mes aktiviteteve financiare të dyshimta, operacioneve të inteligjencës dhe mundësive për pastrim parash.
Dokumenti tregon se Mercuria përdoret si infrastruktura kryesore financiare për të fshehur rrjedhën e fondeve përmes strukturave offshore në Qipro, Zvicër, Ishujt Virgin Britanikë dhe Bermuda, duke maskuar pronësinë reale dhe origjinën e fondeve përmes dhjetëra kompanive guaskë.
Raporti evidenton përfshirjen e aktorëve shtetërorë dhe inteligjencës ndërkombëtare:
Agjencia e Inteligjencës Serbe (BIA) ofron mbrojtje dhe mbështetje operacionale;
Shërbimet ruse të inteligjencës koordinojnë operacione për destabilizim rajonal;
Zyrtarë të korruptuar në Serbi, Shqipëri, Mal të Zi dhe Bullgari lehtësojnë procedurat dhe mbrojnë interesat e rrjetit.
Një element flagrant sipas raportit është edhe figura e Ana Brnabić, nga punonjëse e CWP në vitin 2013, në Kryeministre të Serbisë në 2017, duke mbrojtur interesat e rrjetit.
Përmasat ndërkombëtare dhe hetimet
Hetimet janë tashmë në vijim:
FIA e Pakistanit po heton mashtrim dhe pastrim parash;
Skandali Petrobras në Brazil ka zbuluar ryshfete mbi 31 milionë USD;
Juridiksione të shumta ndërkombëtare janë përfshirë, duke treguar përmasat globale të aferës.
Portofoli i projekteve energjetike të CWP arrin mbi 1.9 miliardë euro, ndërsa të ardhurat vjetore të Mercuria luhaten mes 121–174 miliardë USD (2022–2023).
Një kapje shteti në maskën e energjisë
Ky raport tregon se kontrolli mbi infrastrukturën energjetike përdoret si levë për shantazh politik, pastrim parash dhe destabilizim ekonomik. Në vend që të sjellë zhvillim dhe transparencë, projekti mund të shndërrohet në një instrument që rrezikon të ardhmen e sektorit energjetik dhe integritetin e institucioneve.
/ M.K. News24




