Tregu informal/ Biznesi në vështirësi, zhytet në fajde, shumat arrijnë deri në 300 mijë euro

Biznesi në vështirësi–  Kompani të ndryshme marrin në tregun informal shuma gjithnjë e më të larta, deri në 300 mijë euro borxh në një dorë

Në vështirësi për para cash, shumë biznese po i drejtohen tregut informal për likuiditet. Nga ana tjetër, qytetarët janë të demotivuar të mbajnë kursimet në banka, për shkak të interesave të ulëta të depozitave, jo më shumë se 1.5% në vit. Në shkurt të këtij viti, paraja jashtë bankave arriti në 217 miliardë lekë ose 13% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo para që po del nga bankat janë kursimet e individëve, të cilët po i tërheqin nga llogaritë bankare për t’i investuar në forma të tjera me fitim më të lartë, pasi kërkesa në treg për cash është e madhe dhe jepet interes shumë i lartë.

Noterët e pyetur nga “Monitor” konfirmojnë se kontratat e huas ku palët japin dhe marrin para me interes janë rritur dukshëm, të paktën 30% në krahasim me një vit më parë. Sipas një vëzhgimi që “Monitor” bëri në disa kontrata huaje u pa se, interesat në huadhënien jashtë bankave janë të larta dhe me përllogaritje mujore dhe jo vjetore. Interesi mujor varion nga 2-5% sipas rastit. Për një borxh 5 mijë euro, për tre muaj, kërkohen 6500 euro. Nëse shuma nuk kthehet në kohë, fillon një penalitet ditor më shumë se 50 euro dhe, nëse edhe pas një muaji penalitetesh, përsëri shuma nuk ka mundur të likuidohet nga huamarrësi, atëherë palët shkojnë në gjykatë. Po të llogariten me bazë vjetore interesat e huave në tregun e zi variojnë nga 30 deri mbi 60%.

Por bizneset e ndërtimit thanë se tregu ka marrë përmasa të mëdha edhe nga vlerat e financimit. Hajredin Fratari, biznesmen në veprimtari në ndërtim pohon se ka raste që borxhet e marra në tregun informal janë deri në 300 mijë euro. Kjo mënyrë financimi, sipas tij, është një rrezik jo vetëm për stabilitetin financiar të këtyre bizneseve, pasi jeta e tyre vihet në rrezik në rast se nuk arrijnë të shlyejnë në kohë detyrimet.

 

Borxhlinjtë në vështirësi

Lista e borxhlinjve të këqij në tatime u shtua nga fillimi i këtij viti deri më 8 prill edhe me 2038 subjekte, një ritëm rritje shumë më i lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas shifrave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, lista e bizneseve ndaj të cilëve ka nisur grumbullimi i detyrimeve me forcë ka arritur në 15133, nga 13095 që ishin në fund të vitit 2014. Rritja me 15% e subjekteve të përfshirë në listën e zezë të tatimorëve është një tregues i likuiditeteve të përkeqësuara për shkak se bizneset nuk kanë arritur të shlyejnë në kohë detyrimet e papaguara tatimore.

Lista e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve administrata tatimore, në zbatim të nenit 91 të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, tregon se, ndaj këtyre bizneseve janë marrë masat e sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre.

Tatimorët e publikojnë listën e zezë në mënyrë që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e tyre deri kur detyrimi tatimor të jetë paguar.

 

Situata

Pas një relaksimi që pësoi situata e likuiditetit në ekonomi vitin që shkoi nga shlyerja e 32 miliardë lekë detyrimeve të prapambetura, zinxhiri i borxheve në sektorin privat i është kthyer sërish përkeqësimit këtë vit.

Grosistët dhe bizneset e pakicës në linjat kryesore të ekonomisë kanë pohuar vështirësitë në pagesa të krijuara nga mungesa e likuiditetit. Pak ditë më parë, CMB Albanian, kompania që menaxhonte rrjetin e supermarketeve,CMB Albania, kompania që kishte deri tani në pronësi rrjetin e shitjes me pakicë, Carrefour, ka bërë të ditur në një njoftim për shtyp se ka ndryshuar emrin në Qendra e Shpërndarjes së Ushqimit dhe se do të përqendrojë aktivitetin e saj në biznesin e shitjeve me shumicë. Kompania kishte detyrime të shumta ndaj furnitorëve, që ka premtuar se do t’i shlyejë.

Situata duket të jetë alarmante edhe në sektorë të tjerë. Ofruesit e mallrave të shtrenjtë (shtëpive) pohojnë se shitjet këtë vit thuajse janë zero.

Qarkullimi i parasë ka rënë që pas krizës ekonomike të vitit 2008 për të kulmuar në 2011, por këtë vit situata e borxheve në sektorin privat është thelluar edhe më shumë për të paktën tri arsye specifike, që lidhen me shterimin e mëtejshëm të burimeve të financimit në ekonomi (mungesa e investimeve të qeverisë) me rënien e theksuar të besimit konsumator (emigracioni masiv)me rritjen mëtejshme të taksave në fillim të këtij viti dhe grumbullimin e borxheve të prapambetura të energjisë (6.5 miliardë lekë).

Politika qeverisëse për investimet dhe injektimin e likuiditetit nëpërmjet tyre shihet si një arsye kryesore. Maksim Muçi, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve, pohon se sektori i ndërtimit i nxitur nga privatët prej vitesh është në krizë. Mirëpo dy vitet e fundit, sidomos këtë vit, punët nga investimet e qeverisë kanë rënë ndjeshëm. Për pasojë, sektori është në apati të plotë, pa asnjë front të ri pune, pa asnjë shitje dhe sigurisht pa likuiditet.

Faktor tjetër ekstra për përkeqësimin e likuiditeteve këtë vit është mungesa e besimit konsumator në rënie prej vitesh, që duket se tani po kulmon. Për kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, situata këtë vit është shumë shqetësuese. Ikja e masive e shqiptarëve nga vendi është treguesi më i qartë i besimit konsumator, thotë Jaka. Në këto kushte, konsumatorët nuk kanë hallin të shtojnë blerjet dhe të përmirësojnë situatën e jetesës në zonat ku jetojnë, por po shesin edhe ato që kanë dhe po largohen. Frenimi i blerjeve dhe për pasojë konsumit, si faktori themelor që e krijon likuiditetin në treg, po thellon zinxhirin e borxheve në ekonomi.

Bizneset pohojnë se mungesës së kreditimit të ekonomisë i janë shtuar edhe politikat qeveritare që po synojnë investime me pikatore dhe taksa më të larta nëpërmjet rregullimit fiskal. Rritja e barrës fiskale me 50 për qind në tatimin mbi fitimin, tatimin mbi dividendin dhe qiratë, bashkë me një superaksion për pagesat e energjisë, duket se ka ngushtuar edhe më tej qarkullimin e parasë.

Kaskada e borxheve ndërmjet privatëve është përplasur edhe në dyert e qeverisë. Lista e borxhlinjve të rinj në tatime u shtua me mbi 2000 subjekteve deri më 8 prill nga 600 subjekte që ishte ritmi i rritjes vitin e shkuar. Ndërsa kredia informale nëpërmjet kontratave noteriale të huas është rritur në përmasa të frikshme këtë vit.

 

Shterojnë burimet publike të financimit

Mungesa e likuiditetit në treg, e krijuar nga shterimi i kredisë është përforcuar edhe më tej dy vitet e fundit, për shkak të shpenzimeve gjithnjë e të ulëta të qeverisë për investime. Sektori publik është një nga furnizuesit kryesorë të biznesit me punë dhe me likuiditet dhe çdo rrudhje në këtë drejtim shoqërohet me pasoja.

Politikat e qeverisë në dy vitet e fundit duket se nuk kanë ndihmuar shumë. Shlyerja e 220 milionë eurove në formën e detyrimeve të prapambetura vetëm sa mbushën disa vrima të zeza të borxheve të trashëguara të bizneseve, por dështimi në “investimet” kapitale duket se ka qenë një faktor që ka ndikuar së tepërmi në injektimin e likuiditetit në ekonomi, çka e ka vënë biznesin sërish në pozita të vështira për financim në kushtet kur edhe kredia bankare mungon totalisht.

Maksim Muçi, nga Shoqata e Ndërtuesve pohon se pavarësisht marrëdhënieve të ndërlikuara me pagesat e punëve publike nga qeveria e mëparshme, disa firma kanë bërë punë. Dhe siç thuhet, borxhet te shteti nuk humbin, pasi qeveria e re i ka paguar ato. Mirëpo halli, sipas Muçit, është se nuk ka punë të reja dhe ato që janë, kanë vlera të vogla, janë të shpërndara dhe nuk përmbushin nevojat e firmave të mëdha të ndërtimit, sidomos atyre të rrugëve. Të paktën pas vitit 2009, investimet publike të qeverisë kanë qenë promotori i rritjes së sektorit të ndërtimit. Gjatë vitit 2014, investimet publike ishin 34% më të ulëta se programi. Ndërsa realizimi faktik ishte 7% më i ulët se fakti i 2013. Por edhe këtë vit, situata në drejtim të investimeve nuk duket të jetë përmirësuar shumë. Gjatë periudhës tremujore janë kryer 8,2 miliardë lekë investime nga 7.3 miliardë që ishin kryer në të njëjtën periudhë të një viti të kaluar. Investimet e tremujorit, edhe pse me rritje 1% nga janar–mars 2014 janë nën mesataren historike të investimeve në gjashtë vitet e fundit dhe në vlera të pamjaftueshme për t’i dhënë sasinë e nevojshme të likuiditetit ekonomisë së vendit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar është i shqetësuar për këtë situatë. Nadeem Ilahi, shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, në vizitën e fundit në vendin tonë tha se, mosrealizimi i investimeve publike sipas programit mund të ndikojë në frenimin e rritjes ekonomike. Në kushtet kur bankat thuajse kanë mbyllur rubinetin e kreditimit për ekonominë, të ardhurat nga emigrantët janë në rënie dhe hyrjet nga eksportet janë maturuar, investimet buxhetore janë kalorësi që mbajnë gjallë rritjen ekonomike në vend. Duke marrë në konsideratë këto kushte, ekspertët e ekonomisë kërkojnë zhdërvjelltësi më të madhe nga qeveria për të shpenzuar çdo qindarkë të çuar për investime.

 

Borxhet e reja nga tenderët nën kosto

Të shtrënguar për të mbajtur gjallë aktivitetin dhe për të shmangur falimentin, firmat vendase po tregohen agresive në tenderët e qeverisë, duke dhënë oferta që nuk përkojnë me realitetin. Ka shumë raste që kompani të ndryshme ofrojnë në tenderët publikë në disa raste deri në50% të fondit limit të shpallur. Për kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, kjo është mjaft shqetësuese. Duke u shpallur fituese se kanë ofruar një vlerë të vogël, të krijojnë borxhe është më e pakta nga këto kompani.

Logjika e kërkon që fitimi i biznesit të jetë të paktën 10% nga një punë që bën. Por puna merret nën kosto krijon shumë rreziqe, tha Jaka. Kjo tendencë sipas tij, është një risk tjetër për thellimin e borxhit në sektorit privat. Kompanitë, pasi kanë fituar garat, nuk janë në gjendje të kryejnë punimet cilësore dhe për pasojë, nuk kanë asnjë mundësi të jenë korrekte me pagesat e punonjësve apo edhe nënkontraktorët.

Jaka tha se, qeveria nuk duhet të shpallë asnjë fitues nëse ofron më pak se, 20% të vlerës së tenderit. Nëse kjo ndodh, ose firma nuk paguan detyrimet, ose bën pastrim parash. Këtë konstatim të kryetarit të Dhomës së Tregtisë e konfirmojnë edhe menaxherë në firma të tjera që kryejnë punë publike. Madje kjo konfirmohet edhe në shifrat e Agjencisë së Prokurimit Publik. Nga burimet zyrtare të APP mësohet se, gjatë vitit 2014 është kursyer afërisht 9% e fondit limit të vënë në dispozicion nga buxheti për prokurime. Shuma e kursyer në vlerë neto ishte 3.7 miliardë lekë. Bizneset pohojnë se kjo shumë e kursyer përkthehet në kosto për cilësinë e punimeve.

 

Rritja e taksave ka frenuar likuiditetin

Qeveria po mbledh më shumë taksa dhe po bën më pak investime, thotë menaxherja Picaku, e cila pohon se kjo situatë e ka përkeqësuar likuiditetin në treg. Tatimi mbi fitimin është rritur me 50% dhe po në këtë masë edhe tatimi mbi qiratë, dividendin etj. Për bizneset që punojnë në mënyrë të ndershme, Picaku thotë se kushtet janë rënduar. Nga njëra anë duhet të paguash më shumë për shtetin, në një kohë që shitjet kanë rënë dhe mundësitë për investime janë të pakta. Ajo thotë se, me gjithë taksat në rritje, qeveria nuk po bën një shpërndarje të drejtë të të ardhurave.

Në vend që investimet të ishin me rritje, përkundrazi janë me pikatore. Sipas saj, këtë vit, shpresa e vetme shihet projekti TAP. Përzgjedhja e kompanive Silicado & Gener2 për punimet në infrastrukturën rrugore që i nevojitet TAP kanë vënë në lëvizje nënkontraktorët.

(marrë nga Monitor)

 

Vijon aksioni te karburantet, ja masat e marra

Gjatë gjithë kësaj jave është zhvilluar një aksion ndërinstitucional ndaj pikave problematike të karburanteve, me synim vënien në kontroll të këtij produkti dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Aksioni ka angazhuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, si Ministritë koordinuese të aksionit, ndërsa në terren inspektimet janë kryer nga përfaqësues të Ministrive si edhe një ekip me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Policisë së Shtetit, Inspektoratit Qendror Teknik dhe koncesionarit për markimin e karburanteve.

Gjatë kontrolleve të katër ditëve të para të këtij aksioni, janë kontrolluar 43 pika tregtimi të karburanteve me pakicë. Nga rezultatet paraprake të kontrolleve nga datat 4-7 Maj, në qytetet e Durrësit, Tiranës, Fierit, Lezhës dhe Beratit, janë proceduar penalisht nga Krimi Ekonomik i Policisë së Shtetit 21 subjekte për fshehje të ardhurash, ndërkohë që 5 subjekte janë proceduar edhe për ruajtje, magazinimin dhe tregtim të mallrave kontrabandë. Si pasojë e kësaj janë arrestuar në flagrancë 5 pronarë apo administrator pikash të tregtimit të karburanteve dhe janë shpallur në kërkim policor 2 të tjerë. 6 pika tregtimi hidrokarburesh janë bllokuar.

Ndërkohë nga Inspektorati Qendror Teknik janë konstatuar 7 subjekte që tregtonin karburant cilësi të manipuluar, ndërkohë që 3 prej tyre janë bllokuar pre IQT, si pasojë e abuzimit me cilësinë e nën-produkteve të hidrokarbureve. Po kështu, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka penalizuar 17 subjekte për përdorim të pompave manual, janë konstatuar 3 subjekte pa kasë fiskale, që ka rezultuar në bllokimin e tyre dhe çuarjen për ndjekje penale dhe po kështu është çuar për ndjekje penale edhe një subjekt i cili ka rezultuar i pa regjistruar. Shkelje më të vogla janë konstatuar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë.

Aksioni po vazhdon shtrirjen e tij në të gjithë qarqet e Shqipërisë, me synim kontrollin dhe certifikimin e sigurisë, sasisë dhe cilësisë së karburanteve. Aksioni po vazhdon edhe gjatë fundjavës, me synim kryerjen e një kontrolli të imtësishëm të të gjithë pikave të karburanteve që kanë rezultuar problematike apo me shmangie të detyrimeve ligjore. Në kuadër të aksionit do të ketë edhe ashpërsim të masave administrative dhe gjobave për shkelës të përsëritur, ndërkohë që shkeljet penale do të çohen për ndjekje në prokurori.

Share it :