Anxhela Tato
I maskuar si efektiv policie Reald Hysolli nuk ndalonte në postblloqe, detyra e tij të çonte “fustanin e nuses” në destinacion
Hetimet, Gëzim Çela mbërriti në banesa 5 minuta para bluve, sapo i pikasi arriti të arratisej
“Porosia duhet çuar në destinacion pa pyetje dhe pa shpjegime”, batutë nga filmi hollivudian “Transportuesi”, frymëzim i të arrestuarit Reald Hysolli, pjesë e rrjetit të narkotrafikut. Ashtu si në skena aksioni roli i Hysollit ishte të dërgonte ngarkesat me drogë nëpër destinacione të caktuara personave të përzgjedhur. Por në dallim nga personazhi i tij i preferuar, i cili luftonte kundër kriminelëve dhe bandave, emri i Hysollit del në përgjimet e bisedave. I njohur ndryshe me pseudonim “dhëndri”, ai kishte për detyrë të merrte pakot e kokainës dhe t’i çonte nëpër destinacione finale. “Dhëndri” dhe “fustani i nuses” udhëtonin gjatë gjithë kohës duke lëvizur në vende të ndryshme. Si në filmin e adhuruar nga Reald Hysolli, “transportuesi” kishte përsipër peshën më të rëndë, pasi nuk duhet të gabonte me “porosinë”. Ai duhet të ishte një shofer i zoti, i aftë të luftonte dhe nuk duhet të bënte pyetje për asgjë. Kjo është edhe arsyeja pse Hysolli ka mohuar gjatë gjithë kohës që të jetë pjesë e rrjetit dhe të ketë njohje me anëtarët. Në momentin e arrestimit në Morinë me 7 kilogramë heroinë, Hysolli është përgjigjur se nuk e dinte çfarë mbante pakoja. “Nuk kam lidhje me drogën unë dhe nuk jam ai që po kërkoni ju. Nuk e di pse ka drogë”, – përgjigje të arrestuarit. Ndërsa nga ana e bluve i është sugjeruar që të gjente një avokat të zotin, pasi ishte ngatërruar në një rrjet të mirëorganizuar narkotrafiku. I arrestuari nuk ka pranuar që të rrëfejë asnjë emër, duke tentuar të ruaj anonimatin e shefave të tij. Por përgjimet e bisedave telefonie e kanë nxjerrë zbuluar të riun. Hysolli udhëtonte i maskuar si punonjës policie, duke mos ndaluar nëpër postblloqe të bluve. Nga burime mësohet se Hysolli është pjesë e bandës dhe ka pasur pseudonimin “dhëndri”, i cili përdorje si mbulim për personin që do të transportonte kokainën, e cila njihet ndryshe si “fustani i nuses”. Vetëm para dy ditësh Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë arrest me burg për Hysollin.
Hetimet
Mësohen të dhëna të reja rreth baronit të drogës Gëzim Çela, i cili ka pikasur praninë e policisë në banesë. Nga burime bëhet me dije se Çela ka mbërritur në banesën e tij vetëm 5 minuta pas uniformave blu. Sapo i ka parë ai ka arritur që të arratiset, duke mos rënë në gjurmët e policisë. Për të disatën herë Gëzim Çela triumfon mbi blutë, duke arritur të arratiset. Por ka dyshime se ky aksion ka pasur “urithë”, të cilët kanë spiunuar në vesh të Çelës. Paralelisht me hetimet për bandën prokuroria po tenton të zbulojë se nga kush ka rrjedhur informacioni i super aksionit të drogës. Nga të dhënat aktuale blutë dyshojnë se Çela nuk ka mundur të arratiset duke qenë ende brenda territorit shqiptar. Momentalisht Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur në kërkim Gëzim Çelaj. Ky i fundit gjatë kohës që drejtonte trafikun e drogës ndodhej në masën e sigurisë “arrest shtëpie” si pasojë e një procesi të hapur gjyqësor për ekstradimin e tij në Itali, ku rezulton i dënuar me 19.9 vite burg për katër akuza të rënda. Shumë kontrolle janë kryer në banesat ku mendohet se fshihej Çelaj, por në fakt nuk është arritur arrestimi i tij. Gëzim Çela Armët e sekuestruar në vilën-laborator të Gëzim Çelës.
Fustanët
Kjo është fjala që Gëzim Çelaj përdorte shpesh herë gjatë komunikimeve telefonike me kimisten 5 0-vjeçare, Valentina Tufina. Përgjimet e kryera nga Prokroria dhe agjentët e Shërbimit Informativ Shqiptar, tregojnë për një tregti “fustanësh”, që importoheshin nga vendet e Amerikës Latine. Mësohet se informacionin e parë për këtë çështje e ka kapur Shërbimi Informativ, që më pas ja ka përcjellë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke bërë që kjo e fundit të fillojë menjëherë hetimet dhe të verë në lëvizje dhe Drejtorinë e Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit. Përgjimet e kryera linin të kuptoje se bëhej fjalë për fustanë nusërie, por gjatë vëzhgimeve në teren nga agjentët e antidrogës, situata pasqyrohej krejt ndryshe. Duke parë dhe të kaluarën kriminale të Gëzim Çelës, prokuroria menjëherë ka ngritur dyshime të forta se kishin të bënin me një grup të strukturuar kriminal që kishte si shtrirje nga Amerika Latine, Itali, Kosovë dhe Shqipëri. Në raport shërbimet e policisë në teren evidentohen disa takime mes Gëzim Çelës dhe kimistes Valentina Tufina. Kjo e fundit gjithmonë, evidentoj si provuesja e “fustanit të nusërisë”, Kokainës, dhe se caktohej nga Gëzim Çela për të parë cilësinë e tij. Në bisedat e përgjuara ajo identifikohet me “Tezja”.
Gjirokastër/ Sekuestrohet 125 kg marijuanë, shpallet në kërkim transportuesi
Policia e Gjirokastër ka finalizuar një tjetër operacion antidrogë, të koduar “Nisani” , në të cilin u sekuestruan 125.4 kg marijuanë. Operacioni që është zhvilluar nga sektori kundër narkotikëve pasditen e djeshme në Gjirokastër gjeti sasinë e drogës në automjetin tip “Nissan” me karroceri. Ndërsa ka shpallur në kërkim drejtuesin e mjetit, shtetasin E.K, që po transportonte drogën pasi ka mundur të largohet. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Sektori Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, një tjetër operacion është zhvilluar në orët e pasdites së datës 15.06.2014 dhe konkretisht: Operacioni është organizuar pasi specialistët e sektorit Kundër Narkotikëve kanë marrë informacion në rrugë operative se në një rrugë dytësore që lidh Lazaratin me Dervicianin një automjet tip me karroceri po transportonte një sasi të madhe lënde narkotike në drejtim të kufirit të gjelbër me shtetin grek. Sipas bluve të Gjirokastrës drejtuesi i automjetit, i cili është identifikuar nga ana e tyre, ka dalë me automjetin tip “Nissan” nga fshati Lazarat në rrugë kryesore. Në afërsi të fshatit Goranxi ai ka parë se po e ndiqte policia dhe në afërsi të fshatit Haskovë ka devijuar nga rruga nacionale dhe në një fushë poshtë këtij fshatit ka braktisur mjetin me lëndë narkotike dhe është larguar me shpejtësi në zonën kodrinore. Në brendësi të automjetit me targa GJ 0080 B, kishte tre çanta të mëdha shpine të mbushura me pako lëndë narkotike, me mbishkrime të ndryshme gjithsej 107 pako me peshë të ndryshme, ku 7 pako peshonin nga 2.2 kilogramë secila ndërsa 100 pako nga 1.1 kilogramë secila, gjithsej 125.4 kilogramë mariuanë. Policia ka gjetur edhe një çantë shpine me bukë e ushqime në automjet.
Kurbin/ Policia zbulon orgjinë, arrestohet 50-vjeçari për kanosje
Policia ka arrestuar një 50-vjeçar, i cili kërcënonte një 49-vjeçare për të kryer dhe marrë pjesë në orgji. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në Sanxhak dhe ka lënë pa fjalë edhe efektivat e policisë së Kurbinit, të cilët e kanë pasur disi të vështirë për t’a besuar edhe vetë në momentet e para të kallëzimit. Çështja u mbyll me arrestimin e Sander Ricës me akuzën e kërcënimit dhe përndjekjes. Rica baba i katër fëmijëve, sipas policisë prej vitesh bënte orgji me gruan e tij M.Rica 46 vjeçe dhe të dashurën D.P, 49 vjeçe. Historia u zbulua kur e dashura donte të hiqte dorë. Rica kërcënonte 49-vjeçaren në banesën e saj, për të ruajtur orgjinë. Rica përfitonte dhe nga fakti se Desdemona P., jetonte e vetme me 3 fëmijët pasi burri ishte emigrant dhe rrinte në Greqi. Rica e kërcënonte me jetë dhe e kanoste me faktin se do hapte fjalë se ai dhe 49-vjeçarja ishin të dashur.
Vrasja e biznesmenit/ Viktima me precedentë penal në 1997, merren në pyetje 20 persona
Konkurrenca në sektorin e ndërtimeve dhe kaluara e tij në vitet 1997 në qytetin e Elbasanit, ku njihej si person me precedent penal. Këto janë dy pistat kryesore ku është përqendruar puna e policisë për zbardhjen e vrasjes së biznesmenit të ndërtimeve, Kujtim Dyrmishi, i cili u ekzekutua ditën e shtunë në një atentat tipik mafioz në zonën e plazhit në Durrës. Blutë e qytetit bregdetar kanë shoqëruar 20 persona nën cilësinë e dëshmitarëve lidhur me këtë ngjarje, ndërsa ata janë marrë në pyetje. Vrasësit kanë qenë të maskuar dhe nuk kanë lënë shenja gjatë misionit tyre, çka rrit dyshimet e policisë se ata ishin vrasës profesionit më pagesë, teksa në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gjurmë që mund t’i identifikojë ata. Ndërkohe mjeti më të cilin kanë lëvizur vrasësit rezulton të ketë qenë i vjedhur në Tiranë dhe targat e tij ishin false. Kujtim Dyrmishi, ish-ortaku i Xhemal Çelës, i ekzekutuar në muaj janar në një atentat me tritol po në zonën e plazhit, nuk ishte një emër i panjohur për policinë shqiptare. 41-vjeçari në vitet 1997-1998 ishte shoqëruar disa here nga policia, teksa njihej si një të fortët e qytetit të Elbasanit, ndërsa më vonë ai ishte transferuar në qytetin e Durrësit ku ishte përfshirë në biznesin e ndërtimeve. Pistë tjetër e hetimeve është konkurrenca në sektorin e ndërtimeve në qytetin bregdetar. Kujtim Dyrmishi u ekzekutua me 5 plumba paraditen e djeshme rreth orës 10:40 në plazhin e Durrësit, nga 3 persona të maskuar, identiteti i të cilëve nuk dihet ende. Ekzekutimi i 41-vjeçarit është kryer nga makina në makinë në një zonë mjaft të populluar. Në makinën e braktisur të atentatorëve në Shën Vlash, u gjetën 3 automatikë dhe 24 gëzhoja.
Padia/ Ministria e Financës dërgon në prokurori Drejtorinë e Auditit për shkelje
Ministria e Financave dërgon në Prokurori dosjen e Drejtorisë së Auditit për projektet e BE-së. Ky fakt bëhet i ditur nga vetë kjo ministri, pasi janë konstatuar shkelje dhe parregullsi financiare në dosje. Ndërkohë, mësohet se Ministria e Financave ka dërguar dosjen për hetim të mëtejshëm në Prokurori, duke kallëzuar penalisht ish-drejtuesin e këtij institucioni, Pajtim Shehu. Shehu ngarkohet më përgjegjësi për të gjitha shkeljet e evidentuara në tërësinë e këtij raporti, të urdhëruara, kontrolluara, miratuara, dhe firmosura prej tij në ushtrim njëherazi të të gjitha funksioneve të papajtueshme në fushën e menaxhimit financiar, si dhe për të gjitha rastet dhe shumat e konstatuara me dëm ekonomik për buxhetin e shtetit për faj të tij. “Drejtoria e Auditit të Brendshëm, në Ministri të Financave ka përfunduar auditimin në Autoritetin e Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Europian (Drejtoria e Auditit për projektet e BE-së). Shumica e shkeljeve të konstatuara në auditim kanë të bëjnë me shkelje dhe parregullsi financiare, të paraqitur nga Titullari i Agjencisë si dhe financierja e kontraktuar.”-thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave. Ndërkohë, bëhet me dije se tre punonjës, në përgjigjet e tyre kanë kundërshtuar të kenë dije, të kenë marrë pjesë apo të kenë firmosur në ndonjë nga procedurat apo transaksionet financiare për të cilat kanë qenë ngarkuar. “Vartësit e kanë akuzuar me shkrim se nuk kanë dijeni, as kanë marrë pjesë dhe as kanë firmosur asnjë nga tenderat e kryera në 3 vite. Agjencia ka shkelur rregullat ligjore në fuqi në fushën e menaxhimit financiar dhe kontrollit, prokurimit publik dhe kontabilitetit. Nuk ka mbajtur aktivitetet e magazinës, si rrjedhim asnjë mall i blerë nuk është gjendje, dhe as që mund të provohet dalja ose destinacioni i tyre. Agjencia ka vepruar në kushtet e mungesës së plotë të një sistemi të kontrollit të brendshëm të menaxhimit financiar.”-thuhet më tej në njoftimin e MF-së.
Greqi/Të burgosurit shqiptarë në grevë urie, iu refuzua leja e përkohshme
Prej katër ditësh të burgosurit në burgun e Dhiavata të Greqisë kanë hyrë në grevë urie, pasi u është refuzuar leja e përkohshme. Lajmi është konfirmuar nga vetë të burgosur shqiptar. Siç dihet në këtë burg ka dhe shumë shqiptar, të cilët kryejnë dënimin për veprat e tyre penale. Sipas rrëfimeve të të burgosurve shqiptare, leja e përkohshme, siç e përcakton dhe ligji, për të dal nga burgu nën mbikëqyrjen e policisë, për aq ditë sa e vendosin strukturat përkatëse, u është refuzuar vetëm se janë të huaj. “Më është refuzuar leja 9 herë, më takon me ligj”, – kështu tregon për Neës24 i burgosuri shqiptar, Marsel Bode. Sipas shqiptarit që vuan dënimin në këto ambiente, mësohet se në burg ndodhen 350 të burgosur, mes të cilëve 150 shqiptarë.




