Kreu i këshilltarëve të djathtë: S’ka informacione për trafik në aerodromin e Gjirokastrës
“Aeroporti nuk është përmendur në asnjë media apo burim tjetër informacioni për trafik droge
Betonizimi i aerodromit të Gjirokastrës nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes për të penguar çdo tentativë trafiku të lëndëve narkotike përmes ajrit kundërshtohet ashpër nga këshilltarët demokratë në Bashkinë e këtij qyteti. Kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë, Bexhet Çobani, tha se në vend të zhvillimit, qeveria “Rama” solli në Gjirokastër bllokimin. Sipas tij, vendosja e këtyre blloqeve për bllokimin e aeroportit të qytetit po krijon një dëm të madh psikologjik tek banorët e Gjirokastrës, por edhe në zhvillimin e turizmit. “Në momentin që banorët e Gjirokastrës prisnin lajmin e mirë nga Kryeministri, mbasi këtë e premtoi disa ditë më parë dhe një nga deputetët e majtë të këtij qarku, njëherazi ministër aktual, në një nga prezantimet e projekteve për Gjirokastrën, çuditërisht vjen bllokimi edhe i asaj pjese funksionale për emergjencat civile dhe transportin e shpejtë të të sëmurëve me transportin e shpejtë drejt Tiranës. Vendosja e këtyre blloqeve për bllokimin e aeroportit të Gjirokastrës po krijon një dëm të madh psikologjik tek banorët e Gjirokastrës, por edhe në zhvillimin e turizmit”, – deklaroi ai.
Reagimi
Sipas kreut të grupit të këshilltarëve të djathtë, aeroporti i Gjirokastrës nuk është përmendur në asnjë media apo burim tjetër informacioni për trafik droge. “Në këtë aeroport ekziston një repart ushtarak me shërbim 24 orësh dhe me një distancë nga Drejtoria e Policisë 500 metra. Kohë e mjaftueshme për të neutralizuar çdo lloj uljeje të paligjshme”, – tha Bexhet Çobani. Nga ana tjetër ai bëri të ditur: “Edhe në kohën e diktaturës kur ruheshin nga ulja e avionëve armiq, regjimi komunist vendoste fuqi për lëvizjen e shpejtë dhe mosdëmtimin e pistës dhe për uljen e avionëve në rast avarie”. Pesë ditë më parë u rrethua me blloqe betoni fusha e aviacionit në Gjirokastër për të bërë të pamundur hyrjen e mjeteve apo ndonjë avioni. Ndonëse kjo fushë e ka humbur prej vitesh funksionin e saj dhe ka shërbyer kryesisht për raste emergjencash shëndetësore për uljen e helikopterëve, ajo u mor sërish në kontroll nga forcat e ushtrisë, me argumentin se patrullimi dhe ruajtja e fushës ndërmerret në kuadër të masave të Ministrisë së Brendshme për rritjen e sigurisë pas akuzave për trafik të lëndëve narkotike. Ndërkohë, tri javë më parë, forcat e ushtrisë rrethuan dhe vendosën blloqe betoni edhe në pistën e Gjadrit, për të cilën kishte informacione për trafik droge nga ajri. Por kur debati politik mes mazhorancës dhe opozitës për trafikun e drogës nga ajri ishte end i mbështetur mbi bazën e informacionit të SHISH, dy javë më parë, në fshatin Bedat të Divjakës u rrëzua një avion dhe pranë tij u prish një makinë fuoristradë, në të cilën gjendeshin çanta me drogë. Pasi u bënë hetimet, u arrit në konkluzion se kishte pasur bashkëpunim me pilotin italian të avionit dhe drejtues të mjetit për një tentativë trafiku droge përmes ajrit. Ky rast është cilësuar nga opozita si prova kryesore e akuzave të saj, gjë për të cilën e djathta kërkon dorëheqjen e Kryeministrit Rama, si përgjegjës kryesor të kësaj çështjeje. Ndërkohë, mazhoranca nga ana e saj e ka cilësuar rastin e Divjakës si një operacioni policor të mbyllur me sukses, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës për implikimin e qeverisë në trafikun e drogës si të padrejta e të pa mbështetura në prova e fakte.
Deputetja e PD-së/ Topalli: Në Parlament ka njerëz që nuk u dihet burimi i parave
Deputetja e partisë Demokratike, Jozefina Topalli, hodhi dje akuza të forta për implikime mes politikës dhe mafies, duke theksuar: “Në zgjedhjet e fundit dhe në muajt e fundit unë shoh se ka një pajtim, një dakordësi, një martesë mes mafies dhe politikës dhe mua kjo më shqetëson”. Sipas saj, në Parlament ka njerëz, për të cilët ka “një errësirë të plotë mbi burimin e parave dhe pasurimin e tyre”. “Si ka mundësi që disa që quhen të fortë apo që i pëlqen dhe ambientet përreth i quajnë biznesmenë apo njerëz që merren me projekte zhvillimore, por për të cilët ka re, ka errësirë të plotë, mbi burimin e parave dhe pasurimin e tyre në mënyrë të rrufeshme dhe të frikshme, por më pas marrin statusin e politikanit. Për të vazhduar në atë që quhen bizneset e tyre dhe në njëfarë mënyre për të marrë politikën. Asnjëherë në 24 vite, unë jam në Parlament prej 18 vitesh dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që brenda Parlamentit të Shqipërisë të hyjë një numër kaq i madh personash ku ambientet ku ato jetojnë, njerëzit që i rrethojnë, por edhe forca politike që i ka përfshirë i dinë mirë se çfarë janë”, – theksoi Topalli në një intervistë për “Ora News”. Më tej ajo bëri të ditur: “Në zgjedhjet e fundit unë shoh që ka martesë, dakordësi, pajtim mes politikës dhe mafies dhe kjo mua më shqetëson, sigurisht që dëgjoj dhe them shumë mirë bëjnë. Forcat politike edhe PD që denoncon çdo ditë emërime në pika kyçe të administratës, policisë, antikontrabandës që kanë të kaluar të paqartë, të dyshimtë dhe shumë të dyshimtë”.
Koordinatori i PD-së/ Çollaku: Mazhoranca do të blejë deputetë, kemi prova për 6 ligjvënës në Korçë
Ish-zv.ministri i Jashtëm, aktualisht koordinator i PD-së, Kreshnik Çollaku, pohoi dje se statusi i vendit kandidat është meritë e kontributit të qeverisjes së kaluar. Sipas tij, akuzat e mazhorancës për bllokim të këtij procesi nga ana e opozitës janë qesharake. “Statusi merret ne bazë të rekomandimit pozitiv, i cili u mor në qeverinë e djeshme”, – tha ai. Ndërkohë, duke folur për çështjen e trafikut të drogës, koordinatori i PD-së theksoi se ka pasur presione ndaj denoncuesve të trafikut të drogës dhe se PD ka ftuar në protestë të gjithë shqiptarët. “Partia Demokratike nuk doli për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, kemi akuzuar valën e tritolit, paaftësinë për reforma dhe vendosjen e rendit, por nuk kërkuam përballje, pasi jemi 9 muaj pas zgjedhjeve, sepse ne respektojmë njerëzit që i votuan. Një milion njerëz që votuan këtë qeveri meritojnë kohën për të parë se çfarë do bëjë qeveria që kanë votuar, por jemi në situatë të paprecedentë”, – pohoi ai. Ndërkaq Çollaku, akuzoi mazhorancën qeverisëse edhe për tentativa për blerjen e deputetëve të djathtë pas këshilltarëve në Korçë. “Kemi prova, në Korçë janë 6 deputetë të blerë. Shqipëria po rrezikon të shkojë në një spirale destabiliteti”.



