Topalli: Kur ishe kryetare grupi, erdhe në zyrë dhe më mburre Berishën. Leskaj: Mashtrim

 

 

brace topalli, leskaj, braceIsh-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi dje në seancën parlamentare praninë e Kryeministrit Rama, i cili, sipas saj, duhet të hapte i pari diskutimet për aktin normativ. Ndaj kësaj kërkese të Topallit reagoi deputeti socialist Erjon Braçe, i cili duke iu referuar procesverbaleve tha se kur seancat drejtoheshin nga ish-kryeparlamentarja, nuk kishte ndodhur që diskutimin për aktin normativ ta hapte Sali Berisha, në atë kohë Kryeministër. Pjesë e debatit mes tyre është bërë edhe nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, e cila korrigjoi Topallin, duke i thënë se bëhej fjalë thjesht për aktin normativ dhe jo buxhetin e shtetit. Kjo deklaratë e nënkryetares së Kuvendit ka sjellë reagimin e Topallit, e cila foli për një takim që ka pasur në zyrën e saj me Leskajn. Sipas ish-kryeparlamentares, deputetja socialiste ka shprehur lëvdata për Sali Berishën dhe është ankuar për Ramën, si kreu i PS-së. Këtë deklaratë të Topallit nënkryetarja Leskaj e cilësoi si një shpifje të ulët këtë histori, duke theksuar se nuk dëshiron të komentojë përballë një “piazze” kaq të ulët.
Debatet Topalli-Leskaj-Braçe

 

Topalli: Nuk ka ndodhur kurrë që në rastet e paraqitjes të buxhetit të mos jetë Kryeministri dhe të fillojnë diskutimet kur nuk është paraqitur projekti i aktit normativ. Ju lutem vini në shinat e ligjshmërisë seancën plenare! As herën tjetër nuk ishte, fshihet, ka frikë?
Leskaj: Nuk është buxheti i shtetit, është akti normativ zonja Topalli. Nëse u referoheni precedentëve, Kryeministri as nuk ka ardhur, as nuk ka votuar.
Braçe: Para jush në atë vend e ka drejtuar atë zonja e nderuar. Në 2012 legjislatura e 18-të, procesverbal 20 dhjetor 2012. Fillon me diskutimin e aktit normativ me Arben Malajn. Ka dhe një procesverbal tjetër, fillon me diskutimin pa prezantim me deputetin Erjon Braçe. Në 2011 fillon seanca pa Kryeministrin Sali Berisha, por me deputetin Erjon Braçe. Që të mos humbim kohë për të pasur një shënjestër për t’u marrë me çdo gjë, por vetëm me aktin normativ jo.
Topalli: Zonjë po filloj me ju, keni qenë një periudhë kohe kryetare grupi dhe më keni thënë keni një fat të madh është Kryeministri këtu dhe ju del për zot. Më keni thënë ju zonjë në zyrën time që ne s’na hap telefonin kryetari Edi Rama, ndërsa Kryeministri juaj përgjigjet për të gjitha.
Leskaj: Këtu u bë një shpifje që më ka çuditur se sa poshtë mund të bjerë piazza në Parlament, megjithatë nuk dua të bëj koment për këtë piazzë kaq të ulët. E para s’kemi pasur asnjë bisedë bashkë dhe më vjen mirë që kolegu im Braçe i ka të gjitha dokumentet që flasin për të kundërtën e asaj që thatë ju. Nuk më vjen mirë që një zonjë gënjen dhe mashtron.

 

Share it :