Tirana është objektivi im”, Alimehmeti përjashton kandidimin për kreun e PD
Ilir Alimehmeti, anëtar i Partisë Demokratike, ka konfirmuar se ambicia e tij politike mbetet gara për Bashkinë e Tiranës, duke përjashtuar çdo mundësi për të kandiduar për poste drejtuese brenda partisë.
Në një intervistë për “Report Tv”, ai theksoi se kjo është një qëndrim i hershëm dhe i pandryshuar.
“Nuk garoj për kryetar të PD. As si Sekretar i Përgjithshëm. Për Bashkinë e Tiranës e kam dhënë disponibilitetin që në vitin 2022. Jam koherent me vendimet. Do e vendosin vendimmarrësit”, u shpreh Alimehmeti.
Alimehmeti ka folur lidhur edhe me protestën e fundit të Partisë Demokratike më 17 prill, ndërsa theksoi se pjesëmarrja duhet parë në një kontekst më të gjerë dhe jo si një episod i izoluar.
“Protesta nuk duhet të merret si e veçuar, nuk është një episod i vetëm. Merremi me episode minore dhe na humb nga sytë gjëja e madhe. Ne jetojmë sot në një komunitet të shqetësuar”, tha ai.
Alimehmeti ngriti shqetësimin për një klimë frike që, sipas tij, ndikon në angazhimin e qytetarëve me opozitën, duke përmendur edhe hezitimin për mbështetje publike.
“Nëse jemi në situata që njerëzit që na takojnë në rrugë thonë kam frikë të të bëj një like në Facebook sepse na shohin. Fakt është që vetëm PD është në terren. Është partia e madhe opozitare. Të rinjtë i kanë zbuar. Është detyrë edhe e opozitës të frymëzojë, edhe me numra më të vegjël janë arritur shumë më tepër”, deklaroi ai.
Teksa ka folur për të ardhmen e Partisë Demokratike, Alimehmeti u shpreh se procesi i brendshëm zgjedhor pritet të sjellë një strukturë të re drejtuese, e cila do të përcaktojë drejtimin strategjik të partisë.
“Unë mendoj që PD duhet rritur. Duhet të shtojë dhe përtej PD, shumë më shumë se kaq. Duhet të dalë përtej vetes. Kemi një proces zgjedhor që do të riprodhojë një strukturë drejtuese që do të vendosë strategjinë e linjën se si do të ecet përpara”, tha Alimehmeti.




