Tërmeti i mbrëmshëm dëmtoi më shumë shtëpi në Klos, Xibër e Gurrë

Mure të çara nga dyshemeja në tavan. Familja Hoxha me 7 anëtarë, më i vogli ende në djep, është një prej më të dëmtuarave në fshatin Xibër Hane të Klosit.

“Shumë panik, dolëm jashtë të gjithë.”

Tërmeti i të dielës gati ua ka shkatërruar shtëpinë.

“Plasjen më të madhe e ka marrë mbrëmë, dyshemenë e ka lëviz shumë.”

Thonë se rrezikojnë jetën nëse qëndrojnë brenda saj ndaj edhe netët do i kalojnë jashtë.

“Kishim frikë me u fut brenda.”

Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu, tregon së në total janë dëmtuar 23 banesa.

“Më shumë ka Klosi me 13 banesa, 8 banesa Xibri dhe 25 banesa Gurra.”

Shkollat e qendrat shëndetësore nuk kanë pësuar dëme.

“Kemi dëmtime vetëm në banesa.”

Këtë të hënë janë ngritur grupet e punës për evidentimin e pasojave të tërmetit.

Por në disa fshatra të qarkut Dibër, banorët thonë se askush nuk ka shkuar t`i shohë.

“Dola nga shtëpia, më mirë të marr plavitje sesa të vdes.”

Dëmet i kanë të mëdha pasi banesat u janë prekur edhe nga tërmetet e viteve të shkuara.

Disa detyrohen të qëndrojnë në qiell të hapur në temperatura të ulëta e të tjerë thonë se do të gjejnë strehë te të afërm.

“Do shkojmë te njerëzit tanë, është çarë komplet shtëpia.”

Në Klos ditët e fundit janë regjistruar disa tërmete më i madhi ishte ai i të dielës me magnitudë 4.7 i shkallës Rihter./oranews

Share it :