Nga Gëzim Saliu
Heshtje varri nga kampi i mazhorancës qeverisëse.
Data 17 Janar i ktheu të gjithë pushtetarët, papritur në adhurues të Skënderbeut duke mbushur facebooku-n me postime për 555 vjetorin e ndarjes nga jeta të heroit kombëtar. E gjitha kjo, vetëm për të mënjanuar aq sa munden, atë që padyshim mund të cilësohet si një ndër denoncimet më të faktuara në historinë e një afere korruptive të jetës politike shqiptare.
Sot Partia e Lirisë përmes deputetes Monika Kryemadhi dëshmoi me fakte, se si në të ashtuquajturin incenerator i Tiranës, nuk kryhet asnjë proces djegieje i mbeturinave, por vetëm groposje e tyre si në çdo landifill të zakonshëm. Përmes 180 ditëve filmime me dron që nga koshat e mbeturinave në çdo lagje të Tiranës e deri tek shkarkimi në incinerator është bërë transparente para shqiptarëve e gjithë maskarada me trajtimin e mbetjeve në kryeqytet.
Përbetimet e kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj se në inceneratorin e Tiranës bëhet ndarja në burim, riciklimi dhe djegia e mbeturinave u rrëzuan aq shëmtuar siç edhe u dhanë.
Përmes pamjeve filmike u vërtetua se inceneratori i Tiranës që iu kushton taksapaguesve shqiptarë gati 10 milionë dollarë në vit, kryen thjesht punën e një landfilli të zakonshëm.
Me ndryshimin e vetëm se, në Tiranë ky proces për 1 ton mbetje kushton 29 euro dhe në Shkodër po i njejti vetëm 1600 lekë. Se ku shkojnë 15 eurot e tjera për çdo ton mbeturina në Tiranë është lehtësisht e kuptueshme. Janë paratë që përmes skemës së Zotos, Gugallles e Mërtirit, futen në xhepin e partisë dhe rishpërndahen më pas për të blerë vota. Ose përfshihen direkt në kontot jashtë vendit të ‘kryetarëve’ të skemës së mbetejeve.
SI NDODHI KAPJA NË FLAGRANCË
Ashtu sic vetë Rama kërkoi të verfikohej në Sharrë e gjithë ‘puna’ e inceneratorit në Tiranë, ashtu edhe Partia e Lirisë veproi. Dhe u ndoq skema e “udhëtimit’ te një qeseje fosforishente me mbeturina që u hodh nga vetë Monika Kryemadhi në një kosh afër sheshit “Shqiponja” deri tek “djegia” që duhej të ndodhte në incinerator. Nga pamjet e filmuara me dron, nga gjurmimi i qeses fosforeshente, kuptohet qartë që në inceneratorin e Tiranës nuk kryhet asnjë proces, qoftë nga ato që zotohet kryeministri në komision, qoftë edhe nga deklarimet e përfaqësuesve të kompanisë. Sipas pamjeve me dron në inceneratorin e Tiranës kryhet vetëm procesi i peshimit dhe groposjes së mbetjeve. Pra, asnjë proces tjetër për të cilin kompania paguhet 29 euro për ton!.
“Këto projekte janë një nga krenaritë e mia si kryeministër. Kjo nuk ka pikë dyshimi. Atje plehrat mblidhen, trajtohen, të gjitha.”- do të deklaronte kryeministri në Komisionin Hetimor për incineratorët. Por me sa duket edhe këtë herë, si në shumë raste më parë, kreu i qeverisë është kapur në mashtrim, duke tentuar ti hedhë hi syve shqptarëve për një ‘vepër’ që realisht nuk ndryshon në asnjë veprim të saj me landifllin e thjeshtë që vepron në shumë bashki të vendit.
Në terma financiarë, Bashkia e Tiranës paguan 29 euro për ton për mbetjet të cilat vetëm groposen në Sharrë, kur ndërkohë në Shkodër paguhet 1600 lekë për të njëjtin proces.
Pra nga taksat e qytetarëve paguhen kompanitë e Zotos në kërkim me 29 euro për ton për trajtimin e mbetjeve me idenë se ato do të shkojnë në Sharrë dhe atje do të diferencohen, do të riciklohen, do të çohen disa për djegie dhe të tjera do të groposen. Por asgjë nuk ndodh nga kjo. Thjehst mbetjet peshohen dhe më pas ndodh procesi i kapsulimit të tyre.
Shifrat e ‘çmendura’
Bashkia Tiranë ka paguar për periudhën 2018-2020 rreth 3.2 miliardë lekë shtesë, krahas kostos së pastrimit prej 3.9 miliardë lekësh.
Në një raport të fundit të KLSH theksohet se prej vitit 2018 deri aktualisht, Bashkia Tirane dhe MIE janë duke paguar tarifën prej 29 euro/ton mbetje urbane për incenerimin e mbetjeve për një shërbim ende të pakryer, duke qene se inceneratori ende nuk është përfunduar si objekt industrial për djegien e mbetjeve urbane.
“Aktualisht çmimi i paguar 29 euro/ton nuk është çmimi real i shërbimit qe kryhet, pasi kjo tarifë përfshin edhe incenerimin e mbetjeve proces i cili nuk është kryer deri me sot.
Dhe më absurdia çdo qytetarë sot i paguan këto kosto kur incneratori nuk ka trajtuar dhe asgjësuar asnjë sasi mbetjesh të marra në dorëzim.
Ndërkohë sipas të dhënave nga thesari vetëm gjatë 6 muajve të parë 2022 kompania Integrated Energy BV SPV e kontraktuar për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës ka përfituar nga buxheti i shtetit mbi 400 milionë lekë (3.3 milionë euro), thekson Open Data Albania. Integrated Energy BV SPV ka të nëjtët aksionerë me inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit, që janë tashmë nën hetim nga SPAK.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave nga viti 2018 deri në qershor 2022 buxheti i shtetit ka bërë pagesa 4,9 miliardë lekë (40.7 mln euro) ndaj kompanisë Integrated Energy BV SPV e kontraktuar për ndërtimin e inceneratorit te Tiranës.




