Nga hallet e dekrimininalizimit dhe ekonomisë tek “gangrena” e LSI-së dhe konflikti me Metën
Pas zhvillimeve të fundit politike nuk është më sekret se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është duke vlerësuar seriozisht skenarin e futjes së vendit në zgjedhje të parakohshme. Burime të shumta konfidenciale pranë tij konfirmojnë se ai po u kushton gjithnjë e më shumë vëmendjeve eksponentëve të kësaj partie, të cilët i mëshojnë këtij opsioni, për të cilin faktikisht nën rrogoz është duke u punuar prej disa muajve, që përpara zgjedhjeve lokale. Por cilat janë arsyet për këtë hap jo dhe aq të lehtë të Kryeministrit Rama në mes të kryeqeverisjes së tij, për të cilën aq shumë ka ëndërruar dhe luftuar? Së pari, skandalet e shumta në një kohë të shkurtër si dhe presioni nga procesi i dekriminalizimit duket se kanë vënë kryetarin e PS-së në një pozitë pa zgjidhje të pjesshme. Ende pa nisur ky proces, ai po vëren i alarmuar se numri i njerëzve të partisë së tij, si deputetë, por veçanërisht në administratën e lartë dhe të mesme që do të dalin zbuluar nga ky proces, është shumë më shumë, s sa ka pasur dijeni edhe ai vetë. Një problem tjetër i madh për Kryeministrin është edhe situata ekonomike. Në muajin tetor ai ka testin e radhës nga FMN-ja dhe gjasat për një mosnënshkrim të dytë të marrëveshjes janë të mëdha, nëse aksioni fiskal që ka nisur nuk jep rezultatet që ai pret. Nga ana tjetër, ndërkohë që Bashkimi Evropian po i shkel syrin Serbisë për dhënien e statusit kandidat, për Shqipërinë është vërejtur një stopim i fortë. Për sa i përket situatës së brendshme, arsyet për të futur vendin në zgjedhje të parakohshme janë më të forta, mes të cilave, ajo që dominon është “gangrena” LSI. Tashmë nuk është më sekret se një pjesë e madhe e bazës në Partinë Socialiste jo vetëm që janë lodhur me këtë bashkëqeverisje, por edhe po bën presion nga poshtë-lart që të shpëtojnë prej saj. Ideja se PS, nëse hyn në këto moment e vetme në zgjedhje, me një opozitë të dobët si ajo e PD-së, por edhe me një LSI të konsumuar nga “pazarexhinjtë” që ka emëruar gjithandej, mund të fitojë e vetme një shumicë qeverisëse, gati është zyrtarizuar brenda kësaj force. Prishja mes bashkëkryetarëve të kësaj mazhorance pas zgjedhjeve vendore jo vetëm që nuk u rikuperua, por duket se është thelluar deri në një pikë kritike që mund të jetë e parikuperueshme. Por çfarë ka bërë lidershipi i PS-së, ndërkohë, për vënien në jetë të këtij skenari? Pa shumë bujë, në një kohë rekord, ka nisur riorganizimin e partisë duke e shndërruar atë në tipike elektorale. Kësaj i shërben ndarja e vendit në 6 qarqe partiake, fushata e ethshme për të anëtarësuar deri në 150 mijë anëtarë të rinj, krijimi i shtabeve politike në çdo rreth të vendit, të cilët merren direkt me këto rekrutime, duke përdorur fort kartën e anëtarësimit. Dhe faktikisht futja e vendit në zgjedhje të parakohshme me shpresën e një fitoreje i vetëm do ta shpëtonte Edi Ramën nga shumë probleme madhore që ka aktualisht nëpër këmbë. Brenda llojit, me aleatin e tij, por edhe me ndërkombëtarët, të cilët e kanë rritur presionin më shumë se kurrë në historinë demokratike të vendit.
Ambasada e SHBA-së: Mirëpresim vendimin e Ndokës dhe lejimin e arrestimit të Prengës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me anë të një deklarate për mediat, ka deklaruar se “mirëpret vendimin e deputetit Arben Ndoka për t’u dorëhequr nga Parlamenti dhe vendimin për të lejuar arrestimin e deputetit Armando Prenga”. “Këto vendime përfaqësojnë përparim të mirëfilltë për Shqipërinë, drejt krijimit të një sistemi politik me drejtues të standardeve më të larta etike”, – theksohej në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së. Kjo e fundit është treguar mjaft e ashpër në reagimet e saj lidhur me çështjen e dekriminalizimit, duke theksuar se është e turpshme që Parlamenti të jetë i mbushur me persona me rekorde kriminale.
Konflikti me Ramën
PS analizon zgjedhjet në Elbasan, mungon deputeti kryesues i listës Ben Blushi
Kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi dhe nënkryetari i PS-së Taulant Balla zhvilluan dje në Elbasan me strukturat e partisë analizën për zgjedhjet vendore. Por ajo që u vu re në këtë takim ishte mungesa e emrit që kryesoi listën e PS-së në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013 në Elbasan, deputetit socialisti Ben Blushi. Ky i fundit, edhe pse prej kohësh nuk është përfshirë më në debatin e përditshëm politik, kritikoi ashpër Kryeministrin Rama dhe qeverinë për situatën në vend, kryesisht rritjen e azilkërkuesve si edhe varfërinë. Kjo solli një përçarje të fortë në marrëdhënien me Kryeministrin Rama dhe deputetët e afërm të tij, si Balla, i cili e ka sulmuar kolegun e tij Blushi pas kritikave të këtij të fundit.
Dekriminalizimi
Ruçi: Opozita e do për kredo politike. Balla: Së shpejti ligji, “jo” të inkriminuar me poste
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, deklaroi dje se zvarritja e procesit të dekriminalizimit të institucioneve vjen për shkak të opozitës. Nga Elbasani, ku mblodhi strukturat e partisë për analizën e zgjedhjeve, Ruçi theksoi: “Procesi i dekriminalizimit po përdoret për kredo politike. Komisioni i drejtuar nga opozita nuk ka sjellë asnjë draft për këtë proces”. Ndërkohë, deputeti socialist Taulant Balla, si pjesë e komisionit të posaçëm parlamentar për dekriminalizimin, tha se së shpejti do të miratohet legjislacioni që do të ndalojë personat me rekorde kriminale të marrin funksione të larta publike. Por Ruçi theksoi se zgjidhja më e mirë për dekriminalizimin është reforma në drejtësi, të cilën opozita e ka kushtëzuar me dekriminalizimin dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar se nuk mund të bëhet pa opozitën. Ndërkohë, kreu grupit të PS-së përshëndeti dorëheqjen e deputetit të Lezhës, Arben Ndoka, ndërsa lidhur me Armando Prengën tha: “PS e dha vendimin e saj në lidhje me Prengën, të gjithë të heshtin derisa të flasë drejtësia”.
PD: Ish-drejtori i CEZ-it tha se firma e Ismailajt iu imponua çekëve nga Meta. Reagon LSI
Partia Demokratike deklaroi dje se fakte të reja janë publikuar për korrupsionin dhe skemën e mashtrimit me miliona euro në CEZ, duke iu referuar shkrimit të radhës së agjencisë BIRN për këtë çështje. Sipas agjencisë, ish-drejtori i CEZ-it, Hajsek, u ka deklaruar avokatëve të qeverisë shqiptare se DIA, firma e Kastriot Ismailajt, iu imponua kompanisë çeke nga Ilir Meta. Drejtori çek ka dëshmuar për lidhjen e fortë të Ismailajt me Kryetarin e Parlamentit. “Ryshfeti me miliona euro, për të cilin akuzohet Ilir Meta, shihet nga avokatët e qeverisë shqiptare si provë kyçe në procesin e arbitrazhit që po mbahet në Vjenë. Ata e konsiderojnë këtë rast si një nga skemat më të mëdha të mashtrimit dhe korrupsionit të vendit tonë. Pikërisht për këto afera skandaloze qeveria e Kryeministrit Berisha i dërgoi për ndjekje penale Kastriot Ismailajn dhe CEZ-in. Nga ana tjetër, Edi Rama dhe Ilir Meta me ardhjen e tyre në pushtet jo vetëm i falën apo ndanë me CEZ-in 600 milionë euro borxhe të njohura nga CEZ-i, por ata me një akt mafioz e të kundërligjshëm nënshkruan për të ndërprerë hetimet dhe ndjekjen penale për aferën e korrupsionit të CEZ me Kastriot Ismailaj”, – tha deputeti i PD-së, Luçiano Boçi. Ndërkohë, nuk ka munguar reagimi i LSI-së për këtë deklaratë, e cila përmes anëtarit të kryesisë Sokol Dervishaj theksoi: “Nëse PD-ja u beson akuzave të saj, le t’i drejtohet studios ligjore dhe jo të spekulojë, sepse diversioni pa bazë është i dështuar. T’i gjurmojë gjetkë aferat, pasi PD-ja e di mirë se kush është i përfshirë në këtë aferë. Janë personazhe brenda saj”.




