Tartufi që i mungoi Teatrit, maskarai…!

Josif Papagjoni

TartufiEh, sa Tartufë të ndyrë e maskarenj kemi mes nesh! E ata na kallin krupën, sa dhe na trembin e na lënë pa gjumë. Kanë qenë dhe janë. Dhe do të jenë. Kush s’i njeh ata?! Andaj Molieri është gjenial, andaj Tartufi është kryepersonazh në dramaturgjinë botërore. Një personazh i jashtëzakonshëm i një pene të jashtëzakonshme. Ky Tartuf i mungoi shfaqjes…

“Tartufi” çmohet, ndoshta, kryevepra e Molierit për nga fuqia e satirës dhe demaskimit, se për nga pasojat shkatërrimtare që sjell e keqja dhe ligësia e njeriut. Ideja është tronditëse, çdo kohë e riartikulon atë në trajta të tjera, gjegjësisht hapësirës sociale ku dhe kur vepra vihet në skenë si dhe publikut që e percepton. Kjo komedi, falë simpatisë që kishte i vëllai i mbretit Luigji XIV për Molierin, u ftua në sallonin mbretëror dhe u shfaq atje përpara gjithë elitës bujare të oborrit të Francës së shekullit XVII. Sakaq, komedia e retushoi fundin duke e sajuar zgjidhjen me ndërhyrjen dhe ndëshkimin që vinte nga Mbreti teksa, në fakt, Tartufi dhe gjithë ky zhgan hipokritësh e “mafiozësh” të moralit, asaj kohe fitonin dhe ua rrëmbenin laçkë e plaçkë të dobëtëve, naivëve, besimshumëve e të pasprovuarve në llurbëtirën e hilesë dhe pabesisë. Di se Tartufin e ka luajtur Andon Pano dikur dhe thuhet nga kritika se e ka luajtur bukur mirë. Ishte një Tartuf klasik, një dinak i ëmbël, thuajse i mbetur në kornizat e kohës kur vepra qe shkruar. Një tjetër Tartuf kohë më parë ka pasur dhe teatri “Migjeni”; pastaj e kemi parë nga Teatri Kombëtar i Kosovës në Prishtinë para do vjetësh me Çun Lajçin; qe një sjellje teatrore e re, thuajse e risemantizuar, ku regjisori sfidonte jo vetëm përmes trajtimit domethënës të kostumit, por në shumëçka tjetër për të goditur atë shtresë orientale, anakronike, madje religjioze fondamentaliste myslimane, që përmes kinse “ndihmave” dhe shpirtit bujar të “njerëzve të Zotit”, mëtonte hipoteka mentale në mendësinë dhe identitetin tonë si popull evropian, posaçërisht në Kosovë, nën maksimën: më dhe gishtin, të rrëmbej dorën…

Ja ku na vjen rishtazi “Tartufi” në skenën e Teatrit Kombëtar. Më së pari do desha ta përgëzoja zgjedhjen regjisoriale të Erion Kames dhe të vetë politikës teatrore në këtë institucion, sepse ne na lipsen autorë dhe vepra të mëdha për t’ia dhënë spektatorit si njohje dhe kënaqësi. Teatri Kombëtar rritet dhe qëndron fort në qenësinë e vet shi përmes këtyre veprave e autorëve më së pari, pastaj edhe të tjerëve më pak të njohur e më pak të kthyer në “klasikë”, pra në vlera të padiskutueshme e të riciklueshme si të parat. Por kjo ishte vetëm fillesa, ngasja, le ta quajmë edhe orientimi i drejtë i repertorit.

Tutje kësaj vjen ai, mali i “Taborit”, mali i vuajtjes për ta ringritur strukturën estetike tejet të suksesshme të veprës në fjalë në nivelet e epërme teatrore të sotme, duke i shpëtuar tundimit që vjen jo pak herë nga snobizmi, klishetë dhe moda artistike. Njeriu pretendon shumë kur shkon të shoh një vepër gjeniale. Tabutë e ngulitura në ndërdije i kërkojnë atij epëri, përsosje. Unë e kam parë një version të kësaj shfaqjeje në Francë, në Paris.

Do të më thonë aty për aty: Ouuuu, krahasim që na bëkërke, or mik! Desha të them pra se rëndom njerëz si unë, që na ka shkuar jeta duke parë teatër pafundësisht e duke ligjëruar mbi veprat e mëdha dramatike me dhjetëra vjet përballë studentëve të Akademisë së Arteve a letërsisë, s’di pse shkojmë me një barrë paragjykimesh në shfaqje kësisoj. Dhe ka brenda nesh edhe mosbesim, padyshim. Teksa e shihja shfaqjen, skenografia e Kristo Çalës më ftoi mirëfilli drejt një trajtimi klasik të tekstit, me ato kopshtiet dhe arkitekturën e eksterierit të shtëpisë së Orgonit. I tillë duhet të jetë dhe trajtimi regjisorial, mendova. Në fakt, ashtu dhe nisi shfaqja dhe po këndellesha me lojën e hijshme të Ligoraq Rizës në rolin e Orgonit, me atë naivitet dhe tuhafllëk të nxjerrë pa zhurmë në spikamë, por ashtu, lehtë-lehtë, si pa u vënë re, pjesë e vetjakësisë karakteriale të tij. Kjo qasje i dha hir lojës së Ligoraqit dhe mua më vjen sinqerisht mirë që ky aktor me talent, pas atij interpretimi të mrekullueshëm që i bëri prozës së famshme të Kutelit “E madhe gjëma e mëkatit” pak vite më parë, ja ku na dëshmohet në një lojë të hirshme, elegante, ani pse një farë këngëzimi i qëllimtë që i shkon stilit të veprës dhe retorikës moleriane edhe mund të kufizohej paksa, por pa e hequr assesi, sepse është diç e bukur dhe e gjetur, diç e hijshme, fundja një shenjim aktorial për ta portretizuar më mirë personazhin, ashtu sikurse mund të luhej më këndshëm e të vilej humor pikërisht prej kësaj shastisjeje dhe mendjeshkuljeje prej Tartufit, duke futur enkas edhe një shtresim përtallës për këtë “loçko” aristokrat, besimtar, të pasur, të mirë, por të budallallepsur e me emër asaj “nahijeje”…

Më tutje na vjen Dorina e Holta Dakut, fort e shkathët, e kujdesshme për të ruajtur një farë stili të lartësuar, pra duke iu shmangur me takt ndonjë ekzagjerimi, toni burlesk apo edhe banaliteti të mundshëm (në gjeste, jo në fjalë, sepse nga këto të fundit s’ka te fraza e Molierit, ishte koha e stilit të pastër dhe “sjelljes së mirë”, si parim i njohur i klasicizmit). Aktorja ofroi gëzim në skenë, gjallëri, me përshtatshmëri veprimesh e sjelljesh të larme, gjegjësisht çdo personazhi veç e veç, sidomos marrëdhënia që pati me Orgonin. Ajo arriti t’i japë gëzim dhe energji komedisë, ndryshe thënë t’ia shtoj paksa dozën e humorit, aty ku ai, humori,dukej si i qullët, si dremitës e nuk vinte siç duhet. Duhej zgjuar nga gjumi dhe Holta e zgjoi disi. Po a mund të “luante” më shumë e të shakatonte më lirisht aktorja, siç edhe personazhet e shërbyesve te Molieri janë marrë, në një farë sensi, nga modelimet dhe skemat e Comedia dell’arte gjithë hoka e hare? Them se po, veçse do duhej edhe një inkurajim prej regjisorit për ta zhdërvjelltësuar më mirë veprimin dhe komiken, duke ia tundur edhe më fort “këmborët” kësaj të fundit.

Justina Aliaj, një shoqja ime e viteve studentore të kursit të dramës, fort e talentuar qysh atëherë, ani pse emigrimi i gjatë jashtë vendit ia pakoi shanset si aktore, na dha fytyrën e ashpër të zonjës Pernelë, një kipc i Orgonit, ndoshta dhe më qesharake në skajimin e vet, pra në pjesën tashmë grindavece, ku edhe “fle” komikja e karakterit të saj. Më la mbresa Dasara Xhangolli në rolin e Marianës, e brishtë sikundër është, e trembur, nën tutelën e të atit, që edhe do edhe s’mundet të luftojë për dashurinë e saj. Dhe do të cilësoja aktrimin e sigurt e me atë zë të bukur të Vasian Lames si Kleant, nurin komik të Mehdi Malkës, Valerin e Genti Deçkës me hutimin dhe nxitimin e tij poshtë e përpjetë duke u përplasur mureve, Rajmonda Bulkun që duket se ka parapëlqyer një tjetërsim nga roli me sens komik dhe “lojën në lojë” në raport me Tartufin dhe të shoqin etj.

Dhe tani dua të diskutoj pak për Tartufin, emrin e të cilit komedia ka marrë. Vetë Molieri katër nga komeditë e tij i quan “serioze”: Koprracin, Tartufin, Don Zhuanin dhe Mizantropin, sepse ato kanë brenda vetes edhe mjaft elementë dramatikë. Por, nga ana tjetër, në fjalë të fundit ato janë e mbeten komedi, andaj dhe fantazia regjisoriale e ajo aktoriale, të dyja së toku, në njëmendësimin e karaktereve moleriane mund dhe duhej të ishte shumë më agresive, më e begatë në gjetje, më “frelëshuar”, për të na ofruar edhe më shumë të qeshura. Jo pak herë energjia e veprës ndrydhej, çka shfaqej kudo, gjer edhe te statizmi i mizanskenës. Mungonte interaksioni (siç shpesh quhet) midis planit të parë të vendosjes së aktorëve me planin e dytë. Gjithëpoaq jam i mendjes se çdo vepër e djeshme mirë është që të vijë dhe të përshtatet në kohën e dhënies së saj në skenë, pra sot, këtu, për t’i thënë diçka nga problematika e tij e fundme spektatorit të sotëm. Pa këtë mision teatri kthehet në një fosile, në relikte kulturore, në muze. Rrjedhimisht ai duhet të jetë i gjallë, i përditësuar në kumtet dhe artikulimet filozofike që përcjell, përkatësisht një ritmi dhe stili të jetuari të mbramë, në një hap me zhvillimet e kohës si dhe përjetimet tipike të njerëzve. Në të tria këto gjësende a synime, regjisori mund të ishte më shumë aktiv dhe i ndjeshëm. Ai qe përpjekur ta bënte këtë më së shumti falë trajtimit të figurës së Tartufit, duke e dhënë jo aq si një klerik e moralist fshehur pas rasos priftërore apo predikimit religjioz, por si një farë horri e rrufjani i kohëve të fundit me thika gojës e tregime muskujsh. Mëtimi për t’i dhënë këtë kahje a format riartikulues Tartufit, pra për ta hequr nga ai shekull gjithë reveranca, gjeste, sjellje të hirshme e petka luksi, drejt një tjetër kohe, pra të sotmes, ku gjesti dhe e folura bëhen edhe të vrazhda, edhe kriminale, ku petkat hiqen e trupi del pa to në një skenë tundimi me Elmirën – kjo për mua nuk lë shkas për kundërshtim a kritikë, përkundrazi, nëse do të mbërrihej artistikisht, do të ishte, mbase, më e bukura gjë. Tjetërçka e bjerr kënaqësinë që mund të përftonim nga Tartufi “modern”.

E para është hallakatja stilistike që ndodh në tufën e personazheve. I vetmi, Tartufi, ndryshon nga gjithë të tjerët sa i përket stilit të interpretimit. Të gjithë, si të thuash, ndjekin paradigmën klasike, ndërsa aktori që luan Tartufin, Laert Vasili, jo. Por ky hendek edhe mund të suportohej apo anashkalohej. Problemi bëhet sidomos i patejkalueshëm, sipas meje, në atë se si konceptohet Tartufi i aktorit L. Vasili, i cili nuk arrin të mbërrijë dot në vlerat estetike e kuptimore që vetë ky personazh bart. Pata përshtypjen se kryeroli i komedisë së famshme duket spekulativ, jo tamam siç është i konceptuar e i gatuar asisoji prej Molierit. Unë mbetem i mendjes se pikërisht hipokrizia e Tartufit nuk ka dalë në atë përmasë drithëruese e tronditëse që vepra e ka. Molieri jo më kot ka përdorur një truk, teknikën e pararendjes, duke na përgatitur për dyfytyrësinë e Tartufit, rrjedhimisht për të parë e zbuluar paskëtaj “lojën” prej dinaku dhe hipokriti të tij, “aktrimin” e tij me të tjerët, mënyrën se si ai e shfrytëzon maskën e qingjit në turirin e ujkut. Pra, nëse ne tashmë e dimë kush është Tartufi, kureshtja jonë si spektatorë pritet të lindë nga mënyra se si ky hipokrit do ta “luaj pjesën”, se si do shtiret, se si do të na e hedhë. Pra, jo se “çfarë” ai bën, por se “si” e bën? E shpërfaqur ashtu haptazi, natyra e tij tinëzare qysh në kryeherë diskretitohet. “Bukuria e lojës”, pra shtirja, ka marrë fund. Ky është handikapi i regjisorit dhe aktorit. Ajo që nga të tjerët, një akt të gjithë përpara se Tartufi të dalë në skenë -pra dinakëria, njeriu shtinjak, kinse i urtë e si një engjëll, që të merr mendjen e të bën ta duash– ja, kjo për ne si spektatorë, më duket mua, nuk ka ardhur në mënyrë elegante, të zgjuar. Duket qysh në kryeherë si një blof. Nuk është arritur bash tinëzia që të prish me gjithsej,teksa ti në mirëbesim ia paske dorëzuar atij krejt-krejt çka ke, madje edhe bijën, gruan e gjer shtëpinë e pronat, si tuhafi Orgon. Dhe një qasje e tillë nuk mund të arrihej përmes fjalëve brufulluese, ngarkuar me energji së jashtmi dhe një nxitim të vetë ligjërimit të aktorit-Tartuf, sidomos me dona Elvirën. Do të duhej një tjetër ritëm të foluri, një tjetër stil ligjërimi e retorike bisedore, ku “ëmbëlsia”, ku kinse ndrojtja, ku urtësia, përulësia, mirësia dhe gjithë hiletë e një shtinjaku, si ajo e Uriah Hipit të Dikensit, të na nguleshin thellë në tru e prej aty të zinte fill pikërisht neveria jonë për të, syçelja jonë për të, urrejtja jonë për të. Se ta shfaqësh kaq haptazi një hipokrit sy për sy me ne qysh në kryeherë, madje në formë “spektakolare”, atëherë kuna qenka rrezikshmëria e tij? Pabesia e tij? E pse duhet të biem viktimë e këtyre njerëzve atëherë, kur ata na vijnë madje haptazi me thika nëpër dhëmbë? E pse duhet t’i futim në shtëpi dhe të na djegin krejt çka kemi e të na zhbëjnë me kuç e me maç? Kaq trushkulur paskemi qenë sa ta hamë sapunin për djathë?! Dhe një pyetje sfiduese: Pse këta tipa e kjo dukuri s’marrin fund? Vallë kaq budallenj na paskan qenë sivëllezërit e Tartufit rrjedhës së kohës e gjer sot,me hajdutët e politikës e rreth saj, veshur me smoking, që mbajnë fjalime aq të bukura!?Kësaj i thonë ta lehtësosh gravitetin e personazhit, rrezikshmërinë sociale të tij. Ky kontrast mes të vërtetës së Tartufit si shtinjak dhe shfaqjes së tij si engjëllor – kjo duhej të qe integralja e konceptimit regjisorial dhe interpretimit aktorial të këtij personazhi të mrekullueshëm, sipas mendjes sime. Jo më kot Tartufi i dogji fort kishës asaj kohe dhe ajo e ndaloi për 5 vjet shfaqjen pikërisht se thumbimi ndaj dyfytyrësisë së njerëzve gjoja të shenjtë, të virtytshëm, të veshur me petkat e klerikut, godiste në shenjë kundërshtinë mes asaj që paraqitej dhe asaj që realisht qe, ose sipas thënies së priftit: Bëj siç them unë, por mos bëj siç bëj unë. Shkurt, të shtirurit, gënjeshtra, hipokrizia. Me shtinjakët, hipokritët dhe të pabesët mund të tallemi e t’i shpotisim, por, nga ana tjetër, edhe frikë e tmerr na shkaktojnë, sado që jemi në teatër ku bëhet lojë e gjithçka është e sendërgjuar, një artificë. Ndërsa në jetë ata na shkatërrojnë, ata “s’luajnë si në teatër”, sepse janë të mynxyrshëm, asi race skuthësh të përzishëm që na shtijnë dridhmën teksa i mendojmë, lëre pastaj t’i qasim në shtëpi, t’u besojmë vajzën dhe gruan, kamjen dhe pasurinë, shpirtin tonë… Eh, sa Tartufë të ndyrë e maskarenj kemi mes nesh! E ata na kallin krupën, sa dhe na trembin e na lënë pa gjumë. Kanë qenë dhe janë. Dhe do të jenë. Kush s’i njeh ata?!Andaj Molieri është gjenial, andaj Tartufi është kryepersonazh në dramaturgjinë botërore. Një personazh i jashtëzakonshëm i një pene të jashtëzakonshme. Ky Tartuf i mungoi shfaqjes…

 

 

Share it :