Liderë të feve kryesore nga mbarë bota, si dhe përfaqësues shtetesh çelën në Tiranë manifestimin ndërkombëtar për paqe. Raporti i fesë me politikën dhe feja si perëndi për të zgjidhur krizën, me të cilën njeriu po përballet, kanë qenë disa nga trajtesat për çështjet më adekuate të interpretimit të religjioneve sot, si të krishterë dhe myslimanë
“Ndryshimet na bëjnë të jemi më të bashkuar, të krishterë e myslimanë, duke pranuar dhe dashur njëri-tjetrin”. Ky ishte mesazhi i përcjellë dje, nga diskutimet mbi “Të krishterë, myslimanë dhe sfidat e botës globale”, në kuadër të takimit ndërkombëtar të paqes.
Në tryezën e diskutimit ishin të pranishëm Michel Santier, ipekshkv katolik në Francë, i cili drejtoi diskutimin, Sayyed Mohammad Ali Abtahi, President në “Institutin për Dialogun Ndërfetar” në Iran, Anour Kbibnech, President “Conseiul Français du Culte Musulman”, Muhja Ghalib, dekane e Fakultetit Femëror të Studimeve Islamike, Universiteti “Al-Azhar”, Egjipt, Klaus Kramer, President “Missio Aachen” në Gjermani, Siti Musdah Mulia, përfaqësuese “Indonesian Conference on Religion and Peace” dhe Guirguis Ibrahim Saleh, intelektual në Kishën Kopte Ortodokse në Egjipt.
Për Michel Santier, bota po kalon nëpër kohëra të vështira. “Këto kohë kemi folur gjatë për situata të vështira si atentati në Paris në muajin janar, që u kushtoi jetën gazetarëve, të cilët promovuan lirinë e shprehjes dhe mendimin e lirë. Dhe mjaft atentate të tjera të ngjashme, ku dëshira për të pasur fuqi të pavdekshme po fillon të marrë përmasa të mëdha, ndaj ajo që duhet bërë është të pranojmë, të njohim njëri-tjetrin, të ndajmë eksperienca dhe të respektojmë dinjitetin njerëzor për të zgjedhur besimin, në mënyrë të lirë”, – tha ai. Në lidhje me refugjatët, Santier shtoi se duhet të mobilizohen të gjitha vendet për të pritur refugjatët.
Sayyed Mohammad Ali Abtahi, President në “Institutin për Dialogun Ndërfetar” në Iran, gjatë fjalës së tij u bëri thirrje liderëve botërorë të mos e përdorin fenë në emër të politikave të tyre për ta përcaktuar si gjenezë të dhunës. “Feja është e perëndive për të zgjidhur krizën me të cilën njeriu po përballet. Fetë kanë deklaruar se dhuna nuk ka të bëjë me fenë, por me detyrimin e feve për të çliruar njerëzimin, ndaj u bëj thirrje të gjithë liderëve botërorë të mos shfrytëzojnë fenë për operacione politike”, – tha ai.
Gjatë diskutimit të tij ai vuri në dukje se ajo që duhet të fuqizohet është raporti i njeriut me ambientin e për këtë, sipas tij, përgjegjshmëria kryesore bie mbi liderët fetarë myslimanë e të krishterë. “Një nga vizionet e fesë është që na bën të kuptojmë se ekziston një lidhje mes njeriut dhe ambientit, pasi askush nuk u krijua rastësisht në një vend të caktuar. Nëpërmjet këtij vizioni ne mund të lehtësojmë rrugën, nëpër sfidat e botës globale, pasi ne aktualisht po përballemi me problemin e dëmtimit të ambientit tonë, në vend që ta ndërtojmë botën të gjithë bashkë, duke respektuar vlerat e përbashkëta e respektin ndaj dinjitetit njerëzor”, – nënvizoi Sayyed Mohammad Ali Abtahi. Anour Kbibnech, President në “Conseiul Français du Culte Musulman”, vuri theksin mbi diversitetin fetar, hapjen dhe mikpritjen si tri nga sfidat e botës globale, të cilat sipas tij janë të rëndësishme të kuptohen. “Hapja, veçanërisht për myslimanët, duhet të bëjë që të shtohet dialogu, ku secili të shprehë fenë e tij apo të reflektojë problematika. Hapja është baza e të gjitha marrëdhënieve njerëzore, por hapje jo në keqinterpretim, hapje e cila shkon në lirinë e mendimit dhe shprehjes për secilën fe, në vlerat që përçojnë”, – tha ai.
Në fjalën e saj, Muhja Ghalib tha se bota ka nevojë për paqe të qëndrueshme. “Të gjitha fetë drejtohen nga qielli nga edhe ne kemi nevojë për paqe të ndryshme. Ne jemi vëllezër dhe motra në të gjithë botën, pavarësisht fesë që i përkasim. Unë besoj tek librat e qiellit tek edukimi shpirtëror, t’i mësojmë bijtë tanë e të rinjtë larg dhunës dhe rrugës së gabuar”, – nënvizoi Muhja Ghalib. Në lidhje me ekstremizmin, ajo tha se “ky është një interpretim i gabuar, pasi kush preket dhe beson tek feja, nuk mund të bëjë vepra të shëmtuara. Është e qartë se Zoti i madh ka thënë se njeriu është përgjegjës për veprimet e tij, deri në momentin që do gjykohet, por Zoti dhe librat e shenjtë nuk flasin për dhunë apo cenim të dinjitetit njerëzor”.
Ndërkohë që Klaus Kramer tha se “njohja e fesë si një e drejtë e patjetërsueshme bëhet e mundur vetëm nëpërmjet dialogut”. Situata politike, sipas tij, është pjesë e impenjimit të liderëve fetarë. “Impenjimi ynë është edhe situata politike. Ne po përballemi me shembuj të trishtueshëm. Në Gjermani janë 800.000 kërkesa refugjatësh, të cilët kërkojnë azil, ndaj detyrimi ynë si kishë është të respektojmë dinjitetin njerëzor dhe jo të përkëmbim vuajtjen dhe dhimbjen e tyre”, – theksoi ai. Ai foli gjithashtu edhe për projekte konkrete të realizuara në Pakistan, Liban dhe Afrikën Qendrore, ku ekzistojnë komunitete të përbashkëta ndërfetare, të cilët nëpërmjet dialogut, japin shembuj respekti e dashurie, pa cenuar fenë e askujt.
Siti Musdah Mulia, përfaqësuese e “Indonesian Conference on Religion and Peace”, theksoi rëndësinë e takimit të djeshëm. “Bota po përballet me një urgjencë. Të krijojmë vlera të reja, të përbashkëta, të respektit e të drejtave të barabarta. Liria nuk është absolute, por ka një limit që shkon në respektin ndaj tjetrit. Ne kemi nevojë për gjithpërfshirje humaniteti, për parimin e demokracisë, për dialog intensiv në nivel liderësh dhe qytetarësh”.
Box gri
Nishani pret krerët fetarë, paqja gjithmonë e mundshme
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, priti në Pallatin e Brigadave mbrëmjen e së dielës pjesëmarrësit e Takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen që po mbahet në vendin tonë.
Liderë të feve kryesore nga mbarë bota, si dhe përfaqësues shtetesh çelën në Tiranë manifestimin ndërkombëtar për paqe. Në fjalën e tij, Nishani e vuri theksin te harmonia dhe toleranca fetare që ekzistojnë në vendin tonë. Sipas Presidentit, pikërisht harmonia dhe toleranca po ndihmojnë në integrimin evropian të vendit, pasi janë garanci e stabilitetit dhe përmbushjes së standardeve të kërkuara për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.
“Toleranca dhe harmonia fetare në Shqipëri manifestohen në shumë mënyra, duke nisur nga festimet e përbashkëta të festave fetare, krushqitë, miqësitë etj. Fatmirësisht, kjo tolerancë dhe harmoni fetare është një vlerë e madhe e një kombi të vogël, që sot e transmeton me shumë bujari tek të tjerët për t’i shërbyer zhvillimit, përparimit e mirëqenies së tyre. Kjo vlerë na ka ndihmuar dhe na ka shërbyer edhe në çastet më të vështira, me të cilat jemi përballur ne shqiptarët si komb, duke kontribuar në mënyrë racionale e graduale në ndërtimin e së ardhmes dhe prosperitetit të vendit tonë. Kjo vlerë i ka kthyer shqiptarët kudo janë në faktorë të fuqishëm stabiliteti dhe përparimi”, – tha Nishani. Sipas Presidentit, asnjëherë në histori Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë përballur me konflikt fetar në mes tyre, pavarësisht nga rrethanat dhe nxitjet që mund të jenë stisur në çaste të caktuara dhe kjo falë tolerancës, harmonisë, respektit dhe bashkëpunimit që ka ekzistuar dhe ekziston në mes besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri. “Kjo nuk ka qenë, në asnjë rast, një koincidencë e vetme apo e rastësishme, por ka qenë produkt i një tradite të zhvilluar e të kultivuar brez pas brezi me shumë durim, mund e sakrifica”, – tha ai.




