Protesta kombëtare sot në Tiranë/ Studentët, pedagogët dhe sindikatat në shesh, PD thirrje shqiptarëve të bashkohen në orën 12:00
Protesta kombëtare e studentëve zhvillohet sot në Tiranë, në një moment kur revoltës së të rinjve po i bashkohen edhe pedagogët, sindikatat e arsimit, artistët dhe punonjësit e kulturës e medias.
Partia Demokratike ka thirrur qytetarët të bashkohen në protestën e orës 12:00 përpara Kryeministrisë, në mbështetje të revoltës rinore dhe kundër qeverisë Rama.
Pas ditësh protestash, studentët kanë marrë mbështetjen e pedagogëve dhe kategorive të ndryshme shoqërore, ndërsa pritet që në Tiranë të mbërrijnë edhe studentë nga rrethet.
Pedagogët kanë njoftuar grumbullimin pranë Universitetit Politeknik të Tiranës në orën 10:00, për t’iu bashkuar më pas protestës.
Edhe dy sindikatat e arsimit, SPASH dhe SBASH, u kanë bërë thirrje mësuesve të solidarizohen me studentët. SPASH ka njoftuar pjesëmarrjen në tubimin para Kryeministrisë në orën 11:00 dhe bashkimin me studentët pranë Ministrisë së Arsimit në orën 14:00.
Mbështetje për protestën kanë shprehur edhe artistët dhe punonjësit e kulturës e medias, të cilët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në tubimin e sotëm.
Partia Demokratike u ka bërë thirrje shqiptarëve t’i bashkohen protestës kombëtare të kësaj të shtune, në orën 12:00, para Kryeministrisë.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka ftuar qytetarët të dalin në shesh në mbështetje të të rinjve, në një kohë kur zemërimi ndaj qeverisë po shprehet përmes protestave studentore.
Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm u ka bërë thirrje sipërmarrësve të solidarizohen me studentët, duke kërkuar mbylljen e përkohshme të bizneseve gjatë protestës, për ata që do t’i përgjigjen kësaj thirrjeje.
Protesta e sotme pritet të tregojë përmasat e mbështetjes që po merr revolta studentore ku kërkesa e panegociueshme mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.




