Gëzim Saliu
PS “harron” mëritë e Doshit me LSI-në dhe kreun e saj Meta, tentativa ribashkimi me deputetin shkodran
Rikthehet paqja mes Tom Doshit dhe Partisë Socialiste. Katër muaj pas përjashtimit nga forca më e madhe politike në vend, deputeti shkodran zhvilloi dje një takim informal me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Të ulur të dy në kafen e hotelit “Sheraton”, pa praninë e asnjë ndërmjetësi, Doshi dhe Ruçi diskutuan së bashku për thuajse 60 minuta. Mësohet se kafja e Ruçit me Doshin erdhi pas kërkesës së këtij të fundit për të konsumuar një bisedë me kreun e grupit kuvendor socialist, i cili njihet si një ndër njerëzit më të afërt të Kryeministrit Rama. Takimi mes të dyve u zhvillua menjëherë pasi deputetët e larguan nga salla e Parlamentit ku dëgjuan fjalimin e Presidentit të Parlamentit Evropian, Szhultz.
Doshi dhe PS
Megjithëse largimi nga Partia Socialiste u përcoll me tension dhe debate të cilat u thelluan më tej me arrestimin e deputetit shkodran, duket se Tom Doshi po rikthen “ujërat e qeta” në marrëdhënien e tij me forcën ku militoi si politikan prej shumë vitesh. Rikthimi në Parlament një javë më parë, duke u ulur pikërisht në vendin e tij në radhët e socialistëve dhe biseda e shkurtër me disa deputetë të PS-së treguan se Doshi nuk ka ndërmend të ndryshojë drejtim. Ndërkaq takimi i djeshëm me kreun e grupit parlamentar socialist i vë “vulën” synimit të deputetit, i cili me sa duket lidhet sërish me Partinë Socialiste. Edhe pse ky takim nuk do shihet me sy të mirë nga aleati më i madh i socialistëve, kreu i LSI-së Ilir Meta, duket se Ruçi dhe PS të paktën për dje nuk e kanë vrarë shumë mendjen për këtë aspekt. “Si një qytetar i lirë mund të pijë kafe edhe me Sali Berishën”, – tha Ruçi për “A1 Report”, televizioni që siguroi edhe pamjet e takimit mes kreut të grupit parlamentar socialit dhe deputetit shkodran. Takimi i një prej njerëzve më të besuar të Kryeministrit Rama me deputetin e përjashtuar nga PS prej 4 muajsh lë vend për ta komentuar si një tentativë negocimi mes palëve për tu riafruar me njëri-tjetrin. Para bërjes publike të akuzave për Kryeparlamentarin Meta, Doshi ishte një ndër deputetët më me shumë ndikim në PS dhe qeveri, kjo edhe falë lidhjeve miqësore me kreun e ekzekutivit, Rama. Në këtë kontekst, edhe takimi i djeshëm, sidomos në kushtet kur gjakrat e nxehtë tashmë janë ftohur, mund të cilësohet si një tentativë e Doshit apo e Ramës ose e të dyve bashkë për të mundësuar të paktën tani për tani një marrëdhënie normale e komunikuese mes një deputetit dhe kryeministri. Ajo që pritet me interes në këtë mes është reagimi i LSI-së dhe kreut të saj Meta, i cili ka qenë në një marrëdhënie tepër konfliktuale me deputetin Doshi pas akuzave të këtij të fundit se Kryeparlamentari ishte porositësi i vrasjes së tij. Megjithëse asgjë nuk u provua nga akuzat e Doshit dhe tashmë çështja duket e arkivuar, marrëdhënia mes kreut të Kuvendit dhe deputetit shkodran vazhdon të mbetet e tensionuar. Në këto kushte nuk dihet nëse Meta do ta marrë me sportivitet takimin e kreut të grupit socialist me deputetin “armik” apo do të thellohet edhe më tej rreth kësaj çështjeje duke kërkuar shpjegime nga aleati i madh.




