Pas ngjarjeve të fundit në jetën politike në vend që lidhen kryesisht me arrestimin e deputeti socialist Armando Prenga si edhe dorëzimin e mandatit nga kolegu i tij Arben Ndoka, duket se ndërkombëtarët janë aktivizuar fuqishëm për ta çuar deri në fund procesin e dekriminalizimit. Pas takimit që u zhvillua dy ditë më parë mes ambasadorit amerikan Lu dhe ambasadores së BE-së në Tiranë Vlahutin, të dy kryediplomatët së bashku me katër katër kolegë të vendeve evropiane zbarkuan dje në Kryeministri. Gjashtë ambasadorët e akredituar në Tiranë zhvilluan një takim me dyer të mbyllura me kreun e qeverisë, Rama, ku, sipas burimeve pranë selive diplomatike, në qendër të diskutimit ka qenë pikërisht dekriminalizimi si edhe reforma në drejtësi. Ndërsa opozita ka dorëzuar tashmë draftin e saj final në Kuvend dhe në kushtet kur mazhoranca kërkoi më shumë kohë, duke mos e përfshirë në axhendën trejavore të punimeve të Kuvendit në seancën e fundit, shqetësimet e ndërkombëtarëve janë rritur. Këta të fundit duan që kjo çështje të marrë zgjidhje sa më parë dhe të arrihet përmes konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës. Ndërkohë, ky takim ka detyruar kreun e qeverisë të braktiste para kohe takimin që po zhvillonte, ndërkohë, po në Kryeministri, me të zgjedhurit vendorë. Ardhja paraprake e ambasadorit amerikan Lu në Kryeministri detyroi Ramën të largohej nga takimi me vendorët, duke iu bashkuar kryediplomatit amerikan në bisedimet paraprake në pritje të ardhjes së kryediplomatëve të tjerë. SHBA dhe BE janë investuar fort në çështjen e dekriminalizimit, ku përkatësisht ambasadori Lu ka dhënë mesazhe të shpeshta për largimin e të inkriminuarve nga Kuvendit. Ndërkaq mësohet se pjesë e diskutimit ka qenë dhe reforma në drejtësi e përcaktuar si një prioritet për këtë sesion me synim integrimin e vendit. Por hapja e negociatave në BE duket se edhe këtë vit do jetë e pamundur pasi Brukseli krahas mungesës së kryerjes së reformës në drejtësi, e cila është përcaktuese në këtë proces, ka ende kritikat për ecurinë e 5 prioriteteve. / G. Saliu




