Driçim Çaka
Si do të bëhet llogaritja e pensionit për ata që kanë lindur pas 1994-ës
Rritja fillon me 4 muaj në 2015-ës, derisa të arrihet në 40 vite kontribute
Duke filluar nga viti i ardhshëm, vitet e kontributeve për të përfituar pension do të rriten me 4 muaj. Në 2016-ën do të bëhet një tjetër rritje me 4 muaj e kështu me radhë, derisa të arrihet në 40 vite kontribute për të përfituar pension të plotë. Personat e siguruar, që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e përcaktuar. “Personat e detyruar për derdhjen e kontributeve janë përgjegjës për llogaritjen dhe pagesën e tyre. Punëdhënësi është i detyruar të mbajë nga paga e të punësuarve kontributet dhe t’i derdhë ato në llogari të administratës tatimore sipas kritereve. Të vetëpunësuarve në bujqësi, që plotësojnë kushtet për pension, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, mund t’u njihen periudhat e së kaluarës, si periudha sigurimi kundrejt pagesës së kontributeve sipas masës së kontributeve të përcaktuara për vitin kur kryhet pagesa, por jo për periudhat para datës 1.10.1993. Kontributet e të vetëpunësuarve në bujqësi dhe kontributet vullnetare derdhen në llogaritë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, – janë disa nga ndryshimet që përcakton ligji i ri për sigurimet shoqërore. Kriteret dhe procedurat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Inspektorët e kontributeve të sigurimeve shoqërore kanë të drejtë të kontrollojnë saktësinë e llogaritjes dhe afatet e pagesës së kontributeve. Çdo diferencë në shumën e kontributeve do të kthehet gjatë 5 vjetëve të pagesës së bashku me kamatëvonesën
Llogaritja e pensionit
Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese të caktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjave shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 1.1.1994. Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2015 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 1.1.1994 si edhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 1.1.1994 deri në 31.12.2014, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2014 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës. Koeficientët e indeksimit sipas viteve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Pension i reduktuar
Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara, është 0.6 për qind në muaj.
Pension invaliditeti
Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes të së drejtës të këtë së paku 12 muaj sigurim shoqëror. Shuma e pensionit të invaliditetit të plotë llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i pleqërisë. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se 75% e pagës minimale neto në shkallë vendi.
Për invaliditet të përhershëm
E ardhura për invaliditet të përhershëm në punë, që ka shkaktuar të paktën humbjen e 67 për qind të aftësisë për punë, e vërtetuar nga një Komision Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), është e barabartë me 80 për qind të bazës së vlerësuar mesatare neto të vitit të fundit para lindjes të së drejtës, por jo më pak se 80% e pagës minimale neto në shkallë vendi. Personit, që përfiton të ardhura, sipas paragrafit të parë, të këtij neni, dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme nga një person tjetër, sipas vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), i jepet një pagesë shtesë prej 15 për qind të bazës së vlerësuar neto të vitit të fundit para lindjes të së drejtës. Personi, që përfiton të ardhura, sipas paragrafit të parë, të këtij neni, dhe ka në ngarkim fëmijë deri në moshën 18 vjeç ose kur këta studiojnë apo janë të paaftë për punë deri në moshën 25 vjeç, përfiton një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 për qind të pensionit, por jo më shumë se 30 për qind.
E ardhura për invaliditet të pjesshëm të përhershëm në punë, që ka shkaktuar të paktën humbjen e 33 për qind të aftësisë për punë, e vërtetuar nga KMCAP-ja, është e barabartë me një pjesë të 80-përqindëshit të bazës mesatare të vlerësuar neto të vitit të fundit para lindjes të së drejtës, në varësi nga shkalla e humbjes së aftësisë për punë, por jo më pak se 50 për qind dhe që përcaktohet në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Formulari A2/ Formula për llogaritjen e pikëve
Me përfundimin e provimeve të Maturës Shtetërore, tashmë maturantët duhet të bëjnë llogaritjet për në universitet. Për llogaritjen e pikëve do të procedohet si më poshtë: M, D1, D2, Z1 dhe Z2 përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme të lartë, vlerësimet në lëndët e detyruara “Letërsi dhe gjuhë shqipe” dhe Matematikë” dhe në ato me zgjedhje. K, F1 dhe F2, përkatësisht koeficenti i shkollës dhe koeficientet e lëndëve me zgjedhje të propozuar nga institucionet e arsimit të lartë publik (IALP). Llogaritja e shumës -S- të pikëve të maturantëve/kandidatëve,të cilët kanë rezultuar kalues në provimet me detyrim dhe me zgjedhje, behet me formulën: S={[26*M+20*(D1+D2)]*K+17*(Z1*F1+Z2*F2)}*5.
Ndërkohë, për të fituar të drejtën e studimit në institucionet e arsimit të lartë publik të Shqipërisë, çdo maturant që kërkon të vazhdoje studimet e larta, duhet të plotësojë formularin A2, online, sipas një kalendari dhe udhëzimeve përkatëse që do të publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Çdo maturant/kandidat ka të drejtë të përzgjedhë jo më shumë se 10 programe studimi.
Dhuna, 118 të mitur abuzohen seksualisht
118 fëmijë në vendin tonë kanë raportuar për dhunë seksuale të ushtruar ndaj tyre dhe rreth 513 të tjerë për dhunë fizike. Përfaqësuesit e linjës ”Alo 116” që funksion prej 5 vitesh në vendin tonë raportojnë shifra shqetësuese edhe për probleme të tjera që i shqetësojnë fëmijët çdo ditë, siç janë ato të bulizmit ku raportohen rreth 236 raste, por edhe ato që lidhen me depresionin ku numërohen rreth 162 çështje. Të dhënat u bënë publike nga vetë të rinjtë që ju vijnë në ndihmë fëmijëve që telefonojnë çdo ditë këtë linjë telefonike që mbron të drejtat e tyre. Mesatarisht linja “Alo 116” e cila funksion 24 orë në ditë, pret rreth 400 telefonata nga fëmijë të grupmoshave të ndryshme. Gjatë 5 viteve të krijimit të saj nga 600 mijë telefonata, janë trajtuar rreth 13 mijë e 112 çështje nga strukturat përkatëse të drejtësisë e shërbimeve sociale.




