Sulmi ndaj gazetarit të RAI3/ Dyshime edhe për mafi@n shqiptare

Sulmi ndaj gazetarit të RAI3/ Dyshime edhe për mafi@n shqiptare

Hetuesit janë të fokusuar ne 4-5 pista kryesore dhe po marrin në analizë të gjitha kërcënimet ndaj tij.

Atentati me 1 kg tritol që hodhi në erë makinat e gazetarit të RAI3 Sigfrido Ranucci dhe vajzës së tij përpara banesës së tyre në Romë ka tronditur opinionin publik në vendin fqinj. Kjo ngjarje ka rikthyer në vëmendje atentatet mafioze të viteve ‘90 në Itali. Zbardhja e ngjarjes është marrë në dorë nga antimafia.

Ranucci jeton nën mbrojtjen e policisë që prej vitit 2020 pas një atentati të dështuar ndaj tij. Në atë rast autori, një i ri shqiptar bëri aksident me motor para banesës së tij. Gazetari doli dhe i shpëtoi jetën, por më vonë shqiptari i identifikuar vetëm me emrin Ardian rrëfeu se ishte paguar për të vrarë gazetarin

Mediat italiane shkruajnë se hetuesit besojnë se pas sulmit ndaj Ranucci qëndrojnë disa persona. Ata e ndoqën atë, ndoshta për ditë të tëra. Më pas, ata mund të jenë fshehur midis pemëve përpara shtëpisë së tij në lagjen Pomezia të Romës, duke pritur që eskorta e policisë të largohej përpara se të ndiznin manualisht fitilin e tritolit që shpërtheu midis dy vazove të luleve jashtë shtëpisë.

Hetimet i ka në dorë antimafia

“Il Giornale” shkruan se hetuesit janë në kërkim të një personi me kapuç, të identifikuar nga një dëshmitar, i cili u largua pak para shpërthimit. Dëshmitari ka identifikuar edhe një makinë me të cilën ai hipi. Në filtër po kalojnë pamjet e kamerave të sigurisë, edhe pse më e afërta është më shumë se 50 metra larg shtëpisë.

Dyshohet se autorët e krimit e dinin vendndodhjen e prezantuesit të emisionit “Report”, i cili ishte kthyer të enjten në Itali pas disa ditësh larg. Bomba ishte e ndërtuar në mënyrë artizanale, por mjaft e fuqishme, pa kohëmatës apo telekomandë. Shpërthimi i 1 kg eksploziv shkatërroi dy makinat e Ranucci në orën 22:17, vetëm 20 minuta pasi vajza e tij u kthye në shtëpi. “Mund ta kishin vrarë atë”, – tha gazetari i përlotur.

Një akt potencialisht vdekjeprurës frikësimi, i planifikuar ndoshta prej kohësh. Drejtoria Antimafia e Romës që po heton rastin ka në shqyrtim 4-5 pista. Në krye të hetimeve janë temat “e nxehta” që ai ka ndjekur me emisionin e tij mbi krimin e organizuar, skajet ekstreme të ultrasve të futbollit dhe klanet mafioze.

“Në episodet e ardhshme, do të kthehemi te tema e masakrave mafioze dhe infiltrimit të këtyre klaneve në marrjen e tenderave publikë”, – tha ai pasi doli nga zyra e prokurorisë të premten. “Bomba mund të jetë një paralajmërim për disa investigime gazetareske që po kryejmë” – tha gazetari.

“Il Fatto Quotidiano” shkruan se edhe mundësia e një sulmi të porositur nuk është përjashtuar. Njësia Hetimore ka sekuestruar dy makinat e dëmtuara dhe po punon për gjetjen e gjurmëve nga pjesët e bombës, të cilat mund të përmbajnë shenja të autorëve.

Sipas të njëjtave burime pajisja është e ngjashme ato të përdorura në disa incidente të fundit të kryera nga komuniteti kriminal në Romë. Për këtë arsye, hetuesit po përqendrohen në lidhjen midis qarqeve të ekstremit të djathtë, grupeve ekstremiste ultrase dhe kriminelëve vendas. Ndërtimet në bregdet kanë qenë gjithashtu objekt hetimesh nga emisioni “Report” i RAI3.

Hetuesit po analizojnë edhe kërcënimet që gazetari ka marrë në të kaluarën, duke përfshirë plumbat që gjeti një vit më parë para shtëpisë. Në analizë po kalojnë edhe letrat kërcënuese që i kanë dërguar. Sipas Il Fatto Quotidiano, i penduari i “Ndrangheta”, Luigi Bonaventura rrëfeu se kishte dëgjuar në burg se “Ranucci është një njeri i shënjuar”.

Nën hetim edhe mafia shqiptare

“Il Fatto Quotidiano” shkruan se nën hetim janë edhe qarqet kriminale shqiptare. Në vitin 2024, programi “Report” denoncoi marrëveshjet për trajtimin e emigrantëve në Shqipëri, të cilat shpesh lidhen me ultrasit.

Ndërsa “Corriere della Sera” shkruan se hetuesit i janë rikthyer edhe ekzekutimit të shqiptarit Selavdi Shehaj me nofkën “Passerotto”, i vrarë në plazhin e Torvajanicës më 20 shtator 2020. Ai kishte një nga bazat e tij operative jo shumë larg shtëpisë së Sigfrido Ranucci. Dy anëtarë të mafias së Romës u dënuan me burgim të përjetshëm për këtë vrasje. Njëri prej tyre është i njohur edhe për lidhjet me Camorra.

Motiv i vrasjes ishte kontrolli i trafikut të drogës dhe larja e hesapeve mbi konfliktet e vjetra në një territor të kontestuar prej kohësh nga shumë interesa dhe të ndarë midis klaneve vendase, degëve të organizatave të mëdha kriminale, familjeve historike dhe grupeve kriminale shqiptare.

Megjithëse ky episod duket i largët sot, vrasja e shqiptarit, të cilën antimafia e Romës e lidh ngushtë me atë të bosit të drogës Fabrizio Piscitelli, një vit më parë, zbulon shumë rreth interesave kriminale që e shqetësojnë atë pjesë të bregdetit. Prokurorët e kanë cilësuar ngjarjen më shumë si një frikësim sesa një atentat të dështuar.

Corriere shkruan se është shumë herët për të thënë nëse sulmi ndaj Ranucci është i lidhur me të gjitha këto, por ai vetë tha se ishin “4 ose 5 pista brenda të njëjtit kontekst”. Dhe është brenda këtij konteksti kriminal që botët e ndryshme kriminale të pasqyruara edhe në emisionin “Report” i RAI3 që ndërthuren. E vetmja siguri deri më tani është se kjo nuk ishte vazhdim i kërcënimeve të vjetra, por një përpjekje e re për frikësim. /Përgatiti LAPSI.al

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news