Sulmi ndaj Ben Blushit/ Rama: Vetëm i marri e i ligu kërkon Rilindje në 18 muaj

 

rama me meten ne kryeministriKryeministri Rama ishte dje pasdite në qytetin e Lezhës ku prezantoi kandidaturën e propozuar nga LSI në këtë Bashki, Viktor Tusha. Në takimin ku shoqërohej nga deputetja Monika Kryemadhi dhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, Rama vlerësoi punën e Tushës dhe kërkoi mbështetje tjetër për të, duke injoruar kandidatin e së djathtës për të cilin tha se nuk e njihte. Por këtë prezantim Rama e shfrytëzoi edhe për t’iu përgjigjur kritikave të Blushit për Rilindjen duke i cilësuar ato si të liga. “Vetëm të marrët apo të ligjtë mund të kërkojnë sot që fara e “Rilindjes” hedhur para 18 muajsh të ishte bërë lis, e të rrinin poshtë të pinin birrë sikur të ishte festa e birrës në Gjermani. A thua se në 18 muaj u prodhua varfëria. Ky është drejtimi i duhur”, – tha Rama. Nga ana tjetër Rama solli edhe një shembull me një kryetar bashkie të së djathtës që i ka kërkuar sipas tij takim për komunitetin, por kishte frikë mos e shikonin. “Para ca kohësh një kryetar bashkie i PD më çoi një mesazh ku më thoshte, “zoti kryeministër, komuniteti im ka probleme shumë të mëdha dhe kam nevojë për një takim urgjent, dhe unë i thashë që nesër në zyrën time. Ktheu përgjigje dhe tha: Jo në zyrë se më shohin”. Tani si mund të bashkëpunojë qeveria me kryetarë bashkie që kanë frikë se i shohin, si mund të diskutojmë projekte me kryetarë bashkie që nuk e kanë veten në dorë…?”

 

Festime edhe me shall të kuq e grushtin lart/ Pas kritikave ndaj qeverisë, Blushi shfaqet krah Qazim Sejdinit për 5 Majin

Pas kritikave të njëpasnjëshme ndaj qeverisë, deputeti socialist Ben Blushi ishte i pranishëm dje në ceremoninë për 5 Majin në Elbasan, duke respektuar protokollin me qëndrimin në krah të kryebashkiakut dhe kandidatit për një mandat të tretë Qazim Sejdini. Ndonëse këtë të fundit Blushi e ka kundërshtuar tek Kryeministri Rama si deputet i qarkut Elbasan, ai nuk ngurroi dje të ishte i pranishëm krah tij për ceremoninë e nderimit të dëshmorëve të atdheut. Në fjalën pas nderimeve, Blushi ka shmangur komentet rreth reagimit të bazës pas debateve me kreun e PS-së. “Sot është 5 Maji dhe unë dua të flas vetëm për 5 Majin. Do vij një rast tjetër në Elbasan për të folur më shumë se kaq”, – tha ai. 5 Maji e gjeti Elbasanin me varrezat e dëshmorëve të dëmtuara, ku dukeshin qartë pllakat e thyera dhe lagështira mbi varre. Ndërkohë gjatë ceremonive për 5 majin në disa qytete të vendit, në homazhet mbajtur në varrezat e dëshmorëve janë shfaqur disa nostalgjikë që nderuan me grushtin lartë, apo me shaj të kuq. Në Lezhë, këshilltarë bashkiakë të majtë, veteranët dhe të afërm të dëshmorëve kanë nderuar të rënët me grushtin lartë, ndërsa pati edhe nostalgjikë që kishin vënë dhe karfica me portretin e ish-diktatorit Hoxha. Ndryshe nga çdo vit tjetër, në Shkodër 5 Maji u përkujtua vetëm nga veteranët dhe deputetët e mazhorancës, ndërsa bashkia e braktisi këtë datë, duke mos organizuar homazhe. Në Vlorë, flamujt te varrezat e dëshmorëve ishin vetëm njëngjyrësh, të kuqe. Ndërkohë kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, për të tretin vit radhazi ka preferuar të mos marrë pjesë në homazhet për 5 Majin në varrezat e dëshmorëve. Ka qenë nënkryetari ai që mori kompetencat e të parit të Vlorës, duke marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore.

 

 

 

Share it :