Portieri veteran i serbëve është shprehur se shqiptarët nuk mund ta fitojnë dot ndeshjen në fushë dhe do të përpiqen të krijojnë gjëra të tjera për të ndryshuar situatën
Mbrojtësi kuqezi mendohet se ka pësuar një lëndim të lehtë dhe ka mundësi të jetë i gatshëm për sfidën ndaj serbëve
Ndeshja që të gjithë shqiptarët presin, është sfida përballë Serbisë. Një përballje që ka brenda emocione dhe logjikë. Historia dhe ndeshja e një viti më parë, kur serbët mëshuan drejt fushës për t’u përleshur me lojtarët kuqezinj, por edhe gjithë presioni i ushtruar drejt këtyre të fundit në stadium la një shije mjaft të hidhur te të gjithë sportdashësit. Por synimi kryesor pse kjo ndeshje rezervon kaq shumë vëmendje është edhe fakti që trepikëshi në këtë sfidë e hedh me një këmbë në Francë 2016 skuadrën e De Biasit. Nga ana e serbëve duket se kanë filluar përgatitjet dhe në deklaratave të tyre nuk u mungojnë notat provokuese. Pak më shumë se një javë nga sfida me Serbinë në “Elbasan Arena”, portieri veteran i përfaqësueses serbe, Vladimir Stojkovic, provokon kuqezinjtë me anë të një prononcimi për portalin “Alo”. Sipas 32-vjeçarit, shqiptarët nuk janë të aftë të fitojnë me futboll të pastër në fushën e blertë, ndaj përdorin mekanizma të ndryshëm, duke shfrytëzuar krenarinë kombëtare për të marrë maksimumin e pikëve. “Shqiptarët janë të vetëdijshëm se nuk dinë të na mundin në fushën e blertë. E pamë ndeshjen e tyre me Danimarkën, bënë gjithçka për të mos humbur dhe në njëfarë mënyre ia dolën. Luftuan fort, duke shprehur ndjenjën e patriotizmit, por edhe ne duhet t’u përgjigjemi në të njëjtën mënyrë”. Fantazia e Stojkovicit për një tjetër komplot të shqiptarëve kundër përfaqësueses serbe nuk njeh kufi. “Shqiptarët e kanë nisur luftën para se skuadrat të zbresin në fushë. Nisi me arrestimin e një serbi në kufi, sepse kishte me vete një dron për llogari të një organizate turistike në Shqipëri dhe vijoi me provokimet e Andi Lilës në Greqi, i cili e festoi golin ndaj Olimpiakosit duke festuar me simbolin e Shqipërisë së Madhe”. Për Stojkovicin, sfida e “Elbasan Arenës” është shumë e rëndësishme për serbët, të cilët duhet të hakmerren për atë që ndodhi në stadiumin e Partizanit të Beogradit. “Do të bëjmë më të mirën për të marrë atë që humbëm në Beograd. Jam i sigurt se në “Elbasan Arena” do të ndodhin gjëra të çuditshme, por ne duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të përqendrohemi vetëm në atë që do të ndodhë në fushë. Do të ketë nga të gjitha, përplasje të forta, ndërprerje të lojës, shkelma etj., por ne jemi gati për gjithçka”. Vetëm një paranojak si portieri i Makabi Haifas mund të shfrenojë kaq shumë fantazinë. “Mos u çudisni nëse do të shihni një dron me flamurin serb e më pas të na akuzojnë se e kemi lëshuar ne. Ne dëshirojmë t’ua prishim planet, që të mos shkojnë në Evropian, por të mos harrojmë se pas sfidës me Serbinë do të udhëtojnë drejt Armenisë. Atyre mund t’u mjaftojnë vetëm dy pikë, nëse Danimarka nuk e mposht Portugalinë




