Meta propozon 4 ndryshime kushtetuese: Lista të hapura, qeveri teknike dhe President të zgjedhur nga populli
Ilir Meta ka kërkuar rikthimin te Kushtetuta e para ndryshimeve të vitit 2008, hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë dhe këshilltarë bashkiakë, si dhe sanksionimin në Kushtetutë të krijimit të një qeverie teknike përpara çdo procesi zgjedhor.
Përmes një postimi në Facebook, presidenti i Partisë së Lirisë ka propozuar gjithashtu zgjedhjen e Presidentit të Republikës drejtpërdrejt nga populli.
Meta i cilëson ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 si pikënisjen e asaj që ai e quan “regjimi i arbitraritetit ekstrem”, duke i bërë ato përgjegjëse për emigrimin masiv dhe varfërinë në vend.
Sipas tij, vetëm zbatimi i këtyre katër propozimeve mund t’i japë fund situatës aktuale, ndërsa akuzon këdo që nuk i pranon këto zgjidhje se i shërben këtij regjimi.
Postimi i plotë i Metës:
“Vetëm rikthimi te Kushtetuta e para ndryshimeve të vitit 2008, listat 100% të hapura për deputetët dhe këshilltarët bashkiakë, sanksionimi kushtetues i Qeverisë Teknike përpara çdo palë zgjedhjesh dhe zgjedhja e Presidentit të Republikës nga populli mund t’i japin fund regjimit të Arbitraritetit Ekstrem, të instaluar prej 18 vitesh (nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008), që ka detyruar mbi 1 milion shqiptarë të largohen nga vendi dhe që ka zhytyr në varfëri ekstreme gjysmën e shqiptarëve që jetojnë këtu. Kushdo që nuk i pranon këto zgjidhje i shërben regjimit të Arbitraritetit Ekstrem”,– shkruan Meta.



