Enver Bytyçi
Nga ora 4 të mëngjesit e gjatë gjithë ditës së djeshme, forcat policore e forca të tjera speciale kanë rrethuar Lagjen e Trimave në Kumanovë, të banuar nga shqiptarët, duke krijuar një skenë horror të lakmueshme dhe për regjisorët e Hollivudit. Është thënë se këto forca të krimit shtetëror maqedonas të Nikolla Gruevskit po luftojnë kundër disa uniformave të armatosura, “të ardhura nga një vend fqinj” e që në fjalorin qeveritar ato konsiderohen si terroristë.
Se kjo ngjarje ishte e paralajmëruar, kjo tashmë dihet, sepse nuk është as e para dhe as e fundmja. Para disa javësh, Gruevski tha se 40 “terroristë shqiptarë” linçuan një postë policie në rrethinat e Shkupit. I kishte numëruar Kryeministri me dylbi dhe nuk i dolën as 39, as 41, por plot 40 “terroristë” shqiptarë, të cilët nuk e dashkan Maqedoninë dhe stabilitetin e saj. Në fakt skenaristët, regjisorët dhe aktorët e këtyre sulmeve barbare mbi shqiptarët nuk kanë mundur ta ndërtojnë alibinë të besueshme. Nga ata 40 “terroristë” nuk iu mësua emri e mbiemri askujt. A mos kemi të bëjmë me një provokacion shtetëror për destabilizimin e vendit dhe homogjenizimin e maqedonasve rreth një diktatori “modern”, Nikolla Gruevski?!
Policia dhe forcat speciale maqedonase dje vranë 5 shqiptarë të pambrojtur, civilë, midis tyre edhe një fëmijë 8 vjeç. Forcat shtetërore kudo në botë, nëse luftojnë, përballen me njerëz të armatosur, jo me civilë dhe fëmijë. Gruevski, ashtu si Millosheviçi, bën përjashtim. Ai edhe fëmijët shqiptarë i ka klasifikuar si “terroristë”. Kjo është shumë e rëndë. Kjo duhet ta bëjë Kryeministrin e Presidentin e Maqedonisë të japin dorëheqjen. Kjo duhet ta bëjë Hagën dhe gjyqi n e saj të nisin procedurën e ekstradimit të të gjithë përgjegjësve për vrasje fëmijësh e civilësh në Maqedoni, në krye të të cilëve gjendet Nikolla Gruevski.
Uniformat e shtetit nuk rrethuan terroristë, por lagjen më të varfër të banuar me shqiptarë të një qyteti, i cili përmbledh brenda vetes disa data dhe ngjarje simbolike, duke filluar nga viti 1912 e deri më 9 qershor 1999. Dhe Gruevskit simbolikat i pëlqejnë më shumë sesa i pëlqenin Millosheviçit. Domethënë nuk u rrethuan “terroristët”, të cilët fare mirë mund të izoloheshin në kufi ose afër kufirit. Por u izoluan, u sulmuan, u torturuan dhe u terrorizuan mijëra banorë shqiptarë të një lagjeje të qytetit të Kumanovës, ndërkohë që lagjet e banuara nga qytetarë të etnisë maqedonase pinin kafet e paradites rehat e të patrazuar. Kjo do të thotë se kjo ngjarje nuk ka kazus. Po ama ka motiv.
Motivi i Gruevskit e qeverisë së tij, si dhe Presidentit Ivanov është destabilizimi i Maqedonisë. Nuk janë e nuk mund të jenë shqiptarët destabilizuesit e kësaj Republike ende të padefinuar, jo për fajin e shqiptarëve. Nëse ka e do të ketë qytetarë dhe njerëz të interesuar që Maqedonia të qëndrojë stabile, në paqe e në harmoni etnike, ata janë e do të jenë shqiptarët. Nuk flas për shqiptarët e llojit çfarë i kemi në drejtimin e politikës në Maqedoni, pra nuk flas vetëm për Ali Ahmetin, i cili erdhi në pushtet me flamurin e nacionalizmit dhe e përdori atë flamur për interesat e tij personale e klanore. Nuk flas as për Menduh Thaçin, i cili ia mban besën shefit të shërbimit sekret të Maqedonisë dhe nuk e ka për gjë të bëjë pabesinë e radhës për shqiptarët. Flas edhe për Kryeministrin e Shqipërisë, për drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sot e sa vite janë në pushtet, si dhe për të tjerë politikanë, të cilët e kanë përdorur dhe e përdorin nacionalizmin si kalë beteje për pushtetin dhe pasurinë e tyre të paligjshme, për të mbrojtur lidhjet me korrupsionin dhe krimin e organizuar, me trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore. Dikush prej tyre ka abuzuar me gjakun e dëshmorëve në Kosovë e Maqedoni, dikush tjetër me jetën e viktimave të vrara në protesta të dhunshme, si ajo e 21 janarit 2011. Ndryshe nuk ka si shpjegohen deklaratat e dy ministrave shqiptarë të Punëve të Jashtme, Thaçit e Bushatit, ku bëhet fjalë për “ulje tensioni”, sikur të ishte ballafaquar ndonjë lloj “intifade” midis policëve maqedonas dhe të rinjve e studentëve shqiptarë. Pea, sikur të mos kishte ndodhur asgjë më shumë, as gjakderdhje e njerëzve të pafajshëm e të pambrojtur, jeta e të cilëve duhej mbrojtur edhe në kushte lufte. Nuk ka si shpjegohet pelegrinazhi i Thaçit, Ali Ahmetit dhe Ramës para tri-katër ditësh në Maqedoni, nuk ka si shpjegohet heshtja e tyre para masakrës së Kumanovës.
Kjo lidhje me krimin i bën udhëheqësit e sotëm në pushtet në territoret ku banojnë shqiptarët të pafuqishëm të reagojnë kundër një Millosheviçi të ri në Ballkan, i cili nuk ka asnjë qëllim tjetër, përveçse shkatërrimit e ndarjes së Maqedonisë, eliminimit të shtetësisë së saj dhe copëtimin e vendit sipas oreksit të Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë nën monitorimin e Moskës. Shpeshherë kjo që ka ndodhur sot shpjegohet me akuzat e Zaievit, shefit të opozitës maqedonase, për qeverinë e Gruevskit përmes publikimit të përgjimeve skandaloze. Por akuzat e Zaievit dhe protestat që kanë filluar në Shkup e kudo janë motivi ndërmjetës, koniunktural, i dhunës kundër shqiptarëve. Ose më saktë, mjeti për të realizuar skenarin e shkatërrimit të shtetësisë së Maqedonisë.
Presidenti maqedonas, Ivanov, u kthye nga Moska me instruksione të reja për destabilizimin e vendit e për ta shndërruar atë në një Ukrainë të Ballkanit, siç paralajmëronte para pak ditësh një zyrtar rus. Ai mblodhi Këshillin e Sigurisë, por përjashtoi pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë mbledhje. Me sa duket, Ali Ahmeti, pavarësisht shërbimit prej plebeu ndaj garniturës maqedonase, nuk është ende aq i besueshëm, sa të marrë pjesë në vendimmarrjen e shtetit të Maqedonisë për aksionet e tjera të planifikuara kundër shqiptarëve.
Kjo situatë e sotmja do ta ndryshojë rrjedhën e zhvillimeve në Maqedoni. Maqedonia nuk do të jetë më si më parë. Kush do ta fitojë atë dhe kush do ta humbë? Nëse e fiton Gruevski dhe politika e tij, atëherë shqiptarët do ta kenë humbur kryeqytetin e tyre të hershëm e të sotshëm, Shkupin. Nëse fitojnë forcat progresive, ato që duan integrimin dhe paqen, atëherë banorët e Maqedonisë, shqiptarë, maqedonas e të tjerë nuk do të vuajnë më trishtimin e sotëm, terrorin e dhunën e shtetit kundër shtetasve të këtij vendi.




