Artan Cena
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas rezultateve të një kontrolli. Zv.drejtori i Fondit, Sokol Skura, me anë të 4 farmacive dyshohet se ka përfituar shumën prej 550 milionë lekësh
Skandali i vjedhjes së më shumë se 1.5 miliardë lekëve nga rimbursimi i ilaçeve ka përfshirë hetimin e disa farmacive private në Tiranë që mësohet se janë nën pronësinë e njerëzve të zëvendësdrejtorit të Fondit të Sigurimeve të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor, Sokol Skura. Burime nga Prokuroria e Tiranës kanë bërë të ditur se kanë nisur hetimin për 4 farmaci fiktive, të cilat me anë të recetave të rimbursueshme, që dyshohet se janë falsifikuar kanë përfituar rreth 550 milionë lekë. Kallëzimi është dorëzuar vetëm pak ditë më parë, pasi Fondi i Sigurimeve të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor ka rimbursuara të gjitha këto receta, që mendohet se janë falsifikuar. Burimet thonë se nga verifikimi paraprak, dyshohet se recetat e rimbursuara janë lëshuar vetëm nga këto 4 farmaci, të cilat nuk ekzistojnë dhe nuk janë të regjistruar në asnjë nga institucionet shtetërore.
Verifikim recetave
Recetat rimbursuara, sipas akuzës, janë firmosur nga më shumë se 80 mjek të ndryshëm të familjes në qendrën shëndetësore. Mësohet se çdo recetë ka emër konkret të pacientit, moshën dhe diagnozën për të cilën kërkohet marrja e ilaçit, që në të shumtën e rasteve janë mjekime për sëmundjet kancerogjene. Vlera e këtyre ilaçeve të rimbursuara, sipas hetuesve, kap shifrën nga 350 deri 800 mijë lekë e që në total kap shifrën e rreth 550 milion lekëve. Ky abuzim i rimbursimit tashmë, sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshëm ka ndodhur gjatë periudhës nëntor 2014 deri në prill të 2015, kur edhe është konstatuar abuzimi. Hetuesit thonë se referuar materialit kallëzues, thuajse të gjithë mjekët e pyetur, emrat dhe vulat e të cilëve ndodhen në recetë kanë mohuar se kanë lëshuar receta të tilla, për këtë fakt ka lindur dyshimi se po abuzohet me këto receta të rimbursimit.
Pyeten mjekët
Sipas Prokurorisë, e cila tashmë ka nisur hetimet do të pyetën të gjithë mjekët, emrat e të cilëve ndodhen në këto receta. Burimet thanë se po punohet edhe në aspektin administrative për të verifikuar kush janë personat pas këtyre 4 farmacive fiktive. Për hetuesit ajo që do të arrije të provoje dhe identifikoje personat, janë kamerat e sigurisë së bankave ku të dyshuarit kanë tërhequr parat e rimbursimeve nga Fondi i Sigurimeve të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor. Sipas akuzës, është kërkuar nga bankat e nivelit të dytë, të identifikojnë personat në emër të cilëve janë hapur llogarit bankare ku Fondi i Sigurimeve të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor i ka rimbursuar dhe personat e tërheqjes së këtyre parave.
Denoncimin e bëri Berisha në Kuvend
Ish-kryeministri Sali-Berisha deklaroi javën e kaluar në Parlament se shëndetësia është përfshirë në një skandal të madh, ku është abuzuar me 1.5 miliard lekë. Nga ana e tij, ministri Ilir Beqaj e ka pranuar rastin duke thënë se hetimet kanë nisur. Sipas Berishës, “ilaçet futeshin në Shqipëri përmes recetave të porositura nga farmaci inekzistente dhe përfitonin shuma të mëdha, kryesisht për medikamente të cilat përdoren për sëmundje të rënda. Sipas opozitës dëmi I llogaritur shkon deri në 1.5 miliardë lekë. Kjo skemë është edhe në verifikimin e OBSH-së por ndodhet edhe në duart e prokurorisë që tashmë ka nisur hetimin”. Ish-kryeministri Berisha, i cili tha se përgjegjësit janë drejtori I ISKSH-së dhe ministri Beqaj.
Miku i Taulant Ballës, i dyshuari kryesor për vjedhjen e parave
Sot emri i Sokol Skurës gjendet në raportin e departamentit të Antikorrupsionit të Këshillit të Ministrave për vjedhjen e barnave me rimbursim për të cilin llogaritet një dëm prej 1.5 miliardë lekesh. Farmacitë e bashkëshortes dhe kunatës së zëvendësdrejtorit të Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor sipas raportit renditen ndër falsifikatoret e recetave fiktive. Po kush është Sokol Skuraj? Dy vjet më parë Partia Socialiste e përfshiu djalin nga Librazhdi në listën e deputetëve për qarkun e Elbasanit. Bashke me të, shefi i opozitës së kohës, Edi Rama, premtonte rilindjen e vendit. Skura i fundit në listë nuk ia doli të ulej në karrigen e parlamentarit. Mikut të Taulant Ballës, deputetit me tepër ndikim tek Rama tashmë në krye të qeverisë i duhej gjetur një vend. Ministri Ilir Beqja e emëron si numrin dy të një ndër institucioneve më të rëndësishme shëndetësore në vend, Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Megjithëse tashmë i ishte siguruar një post emri i tij u përfol si një ndër kandidatët për bashkinë e Librazhdit për zgjedhjet e 21 qershorit.
Aksidentet, humb jetën një grua, gjashtë persona të plagosur
Aksidentet kanë shkaktuar sërish viktima në rrugët e vendit gjatë ditës së djeshme. Një 38-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në Nikël të Fushë-Krujës. Pesë persona të tjerë janë plagosur, mes të cilëve dy janë fëmijë. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se është përplasur mjeti tip “Audi”, me targë TR 7069 T, dhe mjeti “Ford”, me targë AA 425 KA. Për pasojë, ka gjetur vdekjen rrugës për në Spitalin Ushtarak F. Hyka, pasagjere në mjetin “Ford”. Në gjendje të rëndë në spitalin e Krujës është shtetasja P. S., 27 vjeçe, gjithashtu pasagjere e mjetit “Audi”. Dyshohet që shkak i aksidentit të jetë shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërsa në Berat, një fëmijë 3-vjeç nga Berati ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, pasi është aksidentuar teksa shoqërohej nga gjyshi i tij. Në momentin që po kalonin në anën tjetër të rrugës, 3-vjeçari me inicialet L. M., është shkëputur nga duart e gjyshit, duke u përplasur nga një makinë që drejtohej nga Emiljano Ahmetbegaj. Ky i fundit është arrestuar nga policia. Fëmija është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Rikonstruktohet Ministria e Brendshme, qeveria jep 1.8 mln dollarë
Për Ministrinë e Punëve të Brendshme është koha e duhur për restaurimin e ndërtesës. Prandaj ka marrë nga buxheti i shtetit 1.8 milionë dollarë. Kaq është fondi maksimal që vë në dispozicion Ministria e Brendshme për ofertat që pret në 9 qershor të këtij viti. Këtë e vërtetojnë dokumentet e tenderit të hartuara nga njësia e prokurimit dhe shpallja e ofertës nga Agjencia e Prokurimit Publik. Nga të dhënat e grupit të projektimit restaurimi duket se përfshin gjithçka nga rinovimi i sistemit elektrik dhe hidraulik deri në heqjen e rrethimit. Mjediset moderne janë parashikuar të përfundojnë në dhjetor të vitit 2015, pas së cilës administrata publike e Ministrisë së Brendshme, e drejtuar nga Saimir Tahiri do të ketë mundësi të punojë në zyra të rehatshme të rrethuar nga një mjedis i gjelbëruar. Të gjitha këto komoditete do t’u sigurohen falë interesimit që Kryeministri Edi Rama tregon për fasadat dhe zyrat e administratës. Për të gjitha këto, nga taksat e vjela të shqiptarëve, qeveria ka vënë në dispozicion 1.8 milionë dollarë për restaurimin e Ministrisë së Brendshme.




