Skandali/ Hoxhaj: Kontrata e tokës ‘arë’ rrëzon pretendimet për vilën e Dumanit! Dyshimet për vetingun
ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, gazetari Julian Hoxhaj u shpreh se dokumente të reja të bëra publike së fundmi nga investigimi i emisionit PLUG, kanë ngritur një sërë pretendimesh dhe dyshimesh të forta mbi pasurinë dhe deklarimet e kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
Hoxhaj theksoi se bëhet fjalë për kontrata shitblerjeje dhe akte noteriale që lidhen me një pronë në zonën ku ndodhet vila e lidhur me familjarët e bashkëshortes së tij, konkretisht me shtetasit Jorgo Pango dhe Gëzim Çullhaj, të cilat sipas tij bien ndesh me deklarimet e bëra gjatë procesit të vetingut në vitin 2019, ku është pretenduar se objekti ishte ndërtuar dhe bërë i banueshëm shumë më herët dhe ishte financuar nga donacione të një pastori anglez.
Ai shtoi se një tjetër element që ngre pikëpyetje lidhet me një kontratë të vitit 2004, ku toka rezulton e regjistruar si ‘tokë arë’ dhe jo truall ndërtimi, çka krijon kontradikta me versionin e deklaruar për ekzistencën e vilës në atë periudhë, duke ngritur dyshime për mënyrën e pasqyrimit të pasurisë në procesin e vetingut.
Hoxhaj theksoi gjithashtu se çështja është shoqëruar edhe me pretendime për blerjen e një apartamenti në vitin 2019 me çmim shumë më të ulët se tregu, rreth 390 euro për metër katror, duke ngritur dyshime të mëtejshme për justifikimin financiar të pasurive.
Pjesë nga deklarata:
Dokumentet, ose më saktë po e nis nga fillimi: Altin Dumani në komisionin e vetingut në vitin 2019 ka deklaruar se jetonte në një vilë e cila ishte ndërtuar në vitin 2003, më falni, midis viteve 1999–2003, dhe ishte bërë e banueshme në vitin 2000. Ai ka jetuar në këtë vilë, për të cilën nuk kishte kontribuar asnjë shumë financiare, pasi ishte ndërtuar me të ardhurat e siguruara nga donacioni i një pastori anglez për familjen e bashkëshortes së tij, pra për shtetasin Jorgo Pango dhe Arikla Pango.
Çfarë ka ndodhur? Për ta vërtetuar këtë deklaratë që Altin Dumani ka bërë në komisionin e vetingut, prindërit e bashkëshortes janë detyruar të shkojnë në një zyrë noteriale në qershor të vitit 2019, pra një muaj përpara se Altin Dumani të dilte përpara komisionit të vetingut, dhe kanë bërë një deklaratë noteriale ku thonë që vila ku jeton dhëndri ynë është ndërtuar me donacione nga një pastor anglez, të cilin e kishin njohur në Greqi, në Kretë. Më pas pastori kishte ardhur në Shqipëri, kishte parë kushtet e vështira ku jetonte familja, dhe brenda rreth 4 viteve kishte sjellë një shumë të konsiderueshme për kohën: rreth 44–45 mijë paund britanikë, që për kohën mund të kenë pasur një vlerë më të lartë se sot, rreth 70–80 mijë euro, dhe kanë kontribuar për ndërtimin e kësaj vile. Kanë ndërtuar gjithashtu edhe infrastrukturën që sipas deklaratave i ka shërbyer gjithë lagjes dhe zonës ku është ndërtuar vila, e të tjera.
Kjo narrativë i është paraqitur komisionerëve të vetingut, të cilët nuk kanë bërë verifikime të mëtejshme për të kontrolluar dokumentet. Gjithsesi, kjo narrativë ka shërbyer deri në momentin kur lideri i opozitës Sali Berisha publikoi një kontratë shitblerjeje të tokës midis shtetasit Gëzim Çullhaj dhe shtetasit Jorgo Pango, pra vjehrrit të Altin Dumanit.
Cili është ky dokument dhe çfarë rëndësie ka, dhe pse rrëzon të gjithë vetingun e Altin Dumanit, ashtu siç më përpara ka ndodhur edhe me Irena Gjokën apo me shumë eksponentë të tjerë të sistemit të drejtësisë, të cilët pas kalimit të vetingut u janë shfaqur çështje që sipas pretendimeve tregojnë se procesi ka qenë i manipuluar.
Dokumenti në fjalë tregon se shtetasi Gëzim Çullhaj e ka shitur një pronë rreth 307 metra katrorë te shtetasi Jorgo Pango në vitin 2004. Pra, një vit pasi kishte përfunduar ndërtimi me tre kate i vilës, ndërkohë që vila pretendohej se ishte bërë e banueshme që në vitin 2000. Pse është i rëndësishëm ky dokument? Jo vetëm sepse tregon që prona deri në vitin 2004 ka qenë në emër të një shtetasi tjetër, pra pronarit legjitim, por edhe për një element thelbësor.
Ky dokument tregon se prona deri në vitin 2004, sipas akteve noteriale të shtetit shqiptar, ka qenë tokë arë. Të gjithë personat që e kanë firmosur, përfshirë noterin, Jorgo Pangon dhe Gëzim Çullhajn, mbajnë përgjegjësi ligjore për deklarimet e tyre. Kjo do të thotë se toka nuk ka qenë as truall, por tokë arë, pra nuk mund të përdorej për ndërtim dhe së dyti, që deri në vitin 2004 në atë tokë nuk ka pasur ndërtesë.
Në këtë pikë kemi një situatë që u mbetet organeve të drejtësisë ta vlerësojnë, me pretendime për falsifikim dokumentesh në formularët e vetingut, ku Altin Dumani ka deklaruar se e ka kaluar vetingun duke përfshirë edhe këtë pronë, të cilën e ka deklaruar si të ndërtuar dhe ku ka jetuar.
Ndërkohë, dokumentet tregojnë të kundërtën. Deri tani nuk ka pasur përgënjeshtrim zyrtar, dhe në këtë kuptim heshtja në një farë mënyre është interpretuar si konfirmim. Sipas dokumenteve, prona ka qenë tokë bujqësore dhe nuk ka pasur ndërtim deri në vitin 2004. Nëse trualli është zaptuar apo ka pasur marrëveshje paraprake, kjo mbetet e paqartë, por në çdo rast, nëse do të ishte e kundërta, do të ngriheshin çështje të tjera, përfshirë edhe ndërtime të paligjshme. Megjithatë, këto mbeten aludime.
Pra, dokumentet zyrtare tregojnë se toka ka qenë bujqësore dhe nuk ka pasur ndërtim, ndërsa është shitur vetëm një vit pasi pretendohet se aty ishte ndërtuar një objekt. Kjo, sipas pretendimeve, përbën mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, dhe thuhet se kjo situatë vijon edhe deri në vitin 2019 me aktet noteriale dhe dokumentet përkatëse.
Prandaj, u mbetet organeve kompetente të hetojnë. Në këtë rast do të duhej të ishte SPAK, por drejtuesi i tij është Altin Dumani, dhe sipas kësaj logjike kolegët e tij do të duhet të hetojnë ish-drejtuesin.
Vetingu i Altin Dumanit ngre shumë pikëpyetje. Është pretenduar edhe më parë se prona dhe apartamentet e tij kanë pasur dyshime për pamundësi financiare në blerje. Për shembull, 390 euro për metër katror konsiderohet një çmim shumë i ulët edhe për standardet e sotme, ku kostot e ndërtimit shkojnë rreth 500–600 euro për metër katror. Edhe sikur të ishte dhuratë, kjo është paraqitur si e pabesueshme.
Në këtë situatë, kreu i SPAK-ut, i cili ka qenë pjesë e procesit të vetingut dhe më pas drejtues i SPAK-ut, sipas këtij qëndrimi ngre dyshime për mënyrën si është kaluar procesi dhe për rolin e tij më pas në sistem. Sipas këtij argumenti, gjatë mandatit të tij janë kryer veprime të ashpra ndaj opozitës dhe nuk janë hetuar mjaftueshëm disa çështje të rënda, përfshirë krimet zgjedhore dhe pastrimin e parave në ndërtim.
Nga njëra anë flitet për luftë ndaj pastrimit të parave, ndërsa nga ana tjetër ngrihen këto pretendime për pasurinë dhe procesin e vetingut. Sipas këtij qëndrimi, ai do të duhej të kishte dalë publikisht dhe të kishte dhënë shpjegime para qytetarëve, për shkak të përgjegjësisë juridike dhe morale.
Në këtë pikë, disa e shohin SPAK-un me skepticizëm, pikërisht për shkak të këtyre pretendimeve. Ndërkohë, thuhet se grupet kriminale kanë depërtuar në institucionet e shtetit në mënyrë të gjerë dhe kapilare, përfshirë edhe përmes ndikimit në struktura shtetërore.




