Skandali/ Afera miliona euro! Gjykata e Lartë nxjerr nga arresti shtëpiak Mirlinda Karçanajn! I cakton masën detyrim paraqitjeje
Gjykata e Lartë ka zbutur masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Fillimisht, ajo ishte vendosur nga GJKKO në arrest shtëpiak, por tashmë masa është ndryshuar në “detyrim paraqitje”.
Konkretisht, ajo nuk mund të largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, ndërsa duhet të paraqitet pranë policisë gjyqësore çdo të martë të parë dhe të tretë të muajit, në orën 10:00.
Gjykata ka lënë në fuqi vendimin e mëparshëm për Erjon Ismailin dhe Gëzim Hoxhën, ndërsa për Karçanajn ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë.
Hetimet për Karçanajn
Mirlinda Karçanaj, drejtoresha jetëgjatë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe personi që ka menaxhuar qindramilionë euro nga taksat e qytetarëve, u mor e pandehur dhe u vendos nën masën e sigurisë arrest shtëpie, bashkë me zëvendësdrejtoreshën Hava Delibashi. Tre biznesmenë, Andis Papa, Gëzim Hoxha e Rogers Rryta, u lanë në masë sigurie ndalim të largimit nga vendi.
Mirlinda Karçanaj, u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, krahas Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, një biznesmen tjetër fitues i prokurimeve të AKSHI-t, kompania e të cilit SOFT & SOLUTION, pati afro 18 milionë euro të ardhura dhe pothuajse 11 milionë euro fitime në vitin 2024.
Akuzat e SPAK ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj
SPAK ka zbardhur akuzat ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendëses së saj, Hava Delibashi dhe zv.drejtorin e policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Ndaj Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, janë ngritur akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Ndaj Hava Delibashit, e cila një ditë më parë (24 mars) u lirua nga arresti i shtepisë, rëndojnë akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërsa zv.drejtori i policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, është pezulluar nga detyra.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza për kryerjen e veprave penale; “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.




