Bashkia e Himarës po kthehet në një nga vatrat më të nxehta të tenderave në Shqipëri duke konsoliduar një model prokurimesh të dyshimta me mungesë gare dhe konkurrencë fiktive.
Ky model vërehet qartë në thuajse të gjitha procedurat e mëdha të prokurimit në tre muajt e fundit, të cilat kapin një vlerë totale prej gati 17 milionë euro, ku fituesit e paracaktuar praktikisht nuk kanë pasur asnjë rivalitet në çmim.
Sistemi i tenderave me një ofertë
Dy javë më parë, Bashkia e Himarës zhvilloi një tender me vlerë 250 milionë lekë ose 2.76 milionë euro me objekt rehabilitimin e fasadeve të lagjes Stefanel. Në garë u paraqit vetëm një ofertë, që ishte ajo e bashkimit të kompanive T&J Construction, Ulza dhe Asi-2A Co.

Këto kompani ofertuan vlerën 2.71 milionë euro ose sa 98.5 për qind e fondit limit dhe u shpallën fituese.
Në po të njëjtën datë, në 26 tetor, Bashkia e Himarës zhvilloi një tjetër me fond limit po 2.76 milionë euro për sistemimin e përroit të Koramit. Skenari i mbylljes së garës me vetëm një ofertë u përsërit identik edhe në këtë projekt të infrastrukturës ujore.

Bashkimi i kompanive Deha dhe S.M.O Union hyri si ofertuesi i vetëm dhe mori kontratën e paprekur për vlerën 2.64 milionë euro.
Sistemi i garave farsë
Në fillim të shtatorit, Bashkia e Himarës zhvilloi një tender me fond limit 166.6 milionë lekë ose 1.8 milionë euro për ndërtimin e Ujësjellësit të Qeparoit. Sipas dokumentave të publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike, në garë u paraqitën tre oferta.
Dy prej kompanive pjesëmarrëse, “KUPA” SHPK dhe “SENKA” SHPK, u futën në procedurë me oferta pothuajse identike, të përqendruara direkt në kokë të fondit limit. Konkretisht, përballë buxhetit maksimal prej 166.6 milionë lekësh, ato ofruan përkatësisht 165.5 milionë lekë dhe 165.7 milionë lekë.

Ky pozicionim i tyre shërbeu si një “mbulesë vizuale” perfekte, e njohur në auditim si cover bidding, për operatorin e tretë. E vetme në këtë procedurë me anomali çmimesh, kompania “NDREGJONI” SHPK u shpall fituese duke u ulur vetëm pak më poshtë se dy të parat, me një ofertë prej 163 milionë lekësh ose gati sa 98 për qind e fondit limit.
Ndërtimi i rrugës Qazim Pali, shfaq po ashtu një model të ngjashëm.
Në garën për Rikonstruksionin e rrugës Qazim Pali-Plazh, me fond limit prej 133,3 milionë lekësh (afro 1.4 milionë euro), shembulli i ofertave shoqëruese shfaqet në formën e tij më agresive.
Në këtë procedurë u paraqitën tre oferta, por sjellja e çmimeve përkon me ekzistencën e të njëjtit skenar. Kompania “B93 II” dorëzoi një ofertë prej 132,740,560.58 lekësh pa TVSH, sa 99.5 per qind e fondit limit. Oferta e dytë, ajo e kompanisë NG Structures ishte vetëm pak më poshtë, saktësisht 131.94 milionë lekë.
Shifrat zbulojnë atë që po ndodh
Përgjithësisht në rang kombëtar, përqindja e kursimit në proçedurat e prokurimit është 8-9 për qind. Që do të thotë mesatarja kombëtare e fitimit të tenderave në Shqipëri luhatet nga 91 deri në 92 për qind e fondit limit.
Në Bashkinë e Himarës, kjo shifër është tabu. Kursimi mesatar i tenderave në bashkinë e Himarës luhatet në shifrën 3 për qind. Pra në një paketë tenderash me vlerë totale limit 16.6 milionë euro Bashkia e Himarës ka kursyer vetëm 400 mijë euro nga proçedurat tenderuese.

Përtej kësaj ajo që bie tjetër në sy është numri shumë i ulët i ofertave pjesëmarrëse. Në tenderat e zhvilluara nga kjo bashki në tre muajt e fundit, numri i ofertave mesatare për tender është vetëm 2, që është një numër jashtëzakonisht i ulët pjesëmarrësish.
Por edhe ky numër nuk paraqet garuesit reale, pasi fryhet nga ofertat mbulesë, ato që hyjnë kot në kokë të fondit limit ose pa asnjë letër, thjesht për të krijuar imazhin e rremë të tenderit me garë. Por në fakt, shifrat e tenderave të Himarës kanë një model të qartë. Atë të mungesës së garës.
Për bashkinë, e cila është fuqia e dytë lokale më e madhe financiare e Shqipërisë, me një buxhet tenderash të parashikuar prej 130 milionë eurosh, ky është një alarm i madh. Në Himarë, të gjitha sinjalet paralajmërojnë se tenderat janë të stisur dhe qytetarët po abuzohen.
kapitali




