Klotilda Hoxha
A mundet vallë një teatër eksperimental (sipas përcaktimit që ka) të operojë me autorë të rinj që ofrojnë një tekst të diskutueshëm artistik dhe të anashkalohen tekste cilësore, të cilët, mbase ende janë të pamundshëm për eksperimentimet e këtij teatri, siç ishte boceti i Kolës, i cili ka kondensime të miteve religjioze-biblike, rimodulim të mitit dhe rifunksionalizim të strukturave narrative të një tradite më të hershme shkrimore. Kjo ngjan e largët, për shkak se kulturën shqiptare po e edukon kultura e produkteve artistike e stilit “Portokalli” apo të formateve të tjera të ngjashme televizive
Një ndër eventet me rëndësi kulturore për të rinjtë në Shqipëri, së fundmi, ishte dhe përzgjedhja e tekstit fitues në Teatrin Eksperimental Kujtim Spahivogli (Punishtja dramatike 1), që u zhvillua me datë 1 maj të këtij viti. Projekti në fjalë kishte si synim të spikaste një autor të ri karriere. Dhe autori fitues i kësaj punishteje, me shumicë votash doli Elona Çuliq me bocetin “Librari i Venedikut”. Shpallja e fitueses u bë pas pesë netëve të leximeve publike – diçka që është shumë e mirë dhe që duhen përgëzuar iniciatorët e punishtes dramatike.
Duhet thënë që në krye të herës, se pesë konkurrentët diferencojnë në produktet e tyre artistike. Kishim tekste me premisa postmoderne, siç ishte rasti i “Mark Beti”-it [M. Rupi], tekste me fokusime aktuale sociale: “Sokoli” [O. Kadaifçiu], tekste me motive poetiko-biblike, “E vërteta e Marias ose të fshehtat e hanës” [L. Kola] etj. Në katër netët pararendëse, gjatë leximeve publike, ç’është e vërteta, është vënë re një debat i shëndoshë, konstruktiv, i cili do të ndihmonte autorët në përpunimin e materialeve. Për çudi, në natën e fundit, gjykimet u priren të ishin tejet formale, pa argumentet të duhura dhe me gjykime pozitive, çka në të vërtetë, në bindjen tonë, teksti i autores nuk ta ofronte një gjë të tillë.
Së pari, tekstit i mungonte pikëpamja kryesore organizative e një produkti dramatik, çka do të thotë se teksti ishte më shumë përshkrues sesa veprues. Po kështu, dialogët nuk ishin të ndërtuar me dinamizmin e duhur dramatik. Kishte monologë të tejzgjatur, shpesh të pajustifikueshëm, të protagonistit kryesor, çka na humbiste edhe interesin për dëgjim. Për këto fakte, pothuajse asnjëri nga pjesëmarrësit që mori fjalën nuk i tha. Megjithëse këto elemente në bocetet e autorëve pararendës ishin dukshëm të realizuar.
Së dyti, nëse do të ndalemi në aspektin gjuhësor të pjesës / bocetit – çka është një tipar shumë i rëndësishëm për skenën – do të thoshim se ishte një gjuhë kakofonike: një gjuhë e shartuar sa në gegërisht e sa në standard, ku për çudi, nuk ia vrau veshin njërit prej gegëshkruesve më kryesor; z. Primo Shllaku, madje për të cilin, pikërisht kjo lloj gjuhe dhe ky lloj teksti “e ka prekë skenën”.
Nëse, shtrohet pyetja, me anë të një çorganizimi tekstor dramatik (ku shumë pak vihen re themelet dhe shenjat e shëndosha skenike) dhe mishmashi gjuhësor (sa një gjuhë mëhalle e Shkodrës, sa një idiolekt, sa një prirje drejt standardit, sa…?) – do të ciknim skenën e këtij teatri, sa të suksesshëm do të ishim? Sa premtues njëkohësisht do të ishim në dramaturgjinë shqiptare, e cila për hir të vërtetës vazhdon të jetë po aq e vogël sa gjithmonë.
Sigurisht që mund të jemi të suksesshëm atëherë kur fati i leximit të fundit të bocetit i buzëqesh, për arsye relative dhe arbitrare, autores Çuliq, pasi janë dhënë disa gjykime që përsëritën njëri-tjetrin (në thelb lëvduese). Dhe që mund të ndikojnë tek një audiencë (e shumta studentë artesh) e pavëmendshme – por e vëmendshme në atë çka thonë profesorët e tyre: pra, me gjasë ata mund të kenë votuar sipas miratimit që kanë dhënë profesorët e tyre, që me gjasë kanë qenë të vëmendshëm. Themi të pavëmendshëm për shkak se pjesa e madhe e tyre që ishte kontingjent votues, në rastin më të keq ishin në Facebook, dhe në rastin më të mirë shkëmbenin sms me njëri-tjetrin. Mbase kanë diskutuar intensivisht për pjesën, përmes teknologjisë.
Përveç një votimi të parë me shumicë votash (15 në total) kishte dhe një votim për vendin e dytë, që shkoi në balotazh, të boceteve të Rupit dhe Kolës (me nga 7 vota secili), ku fituesi i dytë nuk u mor vesh asnjëherë sepse nuk u kalua në rivotim, çka sipas formave më demokratike – siç u theksua nga drejtuesi i këtij projekti, z. S. Çapaliku,– duhet të ishte prezent, por kjo u anashkalua me justifikimin se kjo do të mbetej si çështje e produksionit. Ndoshta në vijim produksioni i TKEKS, do të bëjë prezent edhe fituesin e dytë, i cili arbitrarisht, pa u sinjalizuar elementët kryesorë të përzgjedhjes do të jetë fitues. Për rrjedhojë edhe një autor që mund të jetë pjesë e projekteve të një teatri.
A mundet vallë një teatër eksperimental (sipas përcaktimit që ka) të operojë me autorë të rinj që ofrojnë një tekst të diskutueshëm artistik, dhe të anashkalohen tekste cilësore të cilët, mbase ende janë të pamundshëm për eksperimentimet e këtij teatri, siç ishte boceti i Kolës, i cili ka kondensime të miteve religjioze-biblike, rimodulim të mitit dhe rifunksionalizim të strukturave narrative të një tradite më të hershme shkrimore. Kjo ngjan e largët, për shkak se kulturën shqiptare po e edukon kultura e produkteve artistike e stilit “Portokalli”, apo të formateve të tjera të ngjashme televizive. Kjo ngjan e largët sepse sipas aksiomës “Publikut nuk i fshihet asgjë” (pra le të flasim në mënyrën më të drejtpërdrejtë të mundshme), një tekst i shkruar me rafinitet dhe i konceptuar me aq probleme relative sa mund të ketë një autor i ri i teatrit, nuk mund ta prekë skenën e teatrit sepse ai kërkon një publik që ta shoqërojë dorë për dorë në të fshehtat e tij. Ngjan po prapë e largët sepse substanca poetike dhe filozofike e tekstit nuk mund të eksperimentohen përballë një publiku, i cili është keqedukuar estetikisht në mënyrë sistematike.
Pra, jemi në të njëjtën mendësi, siç është teatri tash dy dekada e më shumë, në të njëjtën mendësi tranzitore të produktit artistik, nën pretekstin e asaj që “hajt se publikut do t’i pëlqejë”, dhe së fundmi po riprodhojmë modele të cilat duhet të ishin zhdukur nga ky tranzicion shqiptar.
Në fund fare, fitorja e bocetit “Librari i Venedikut”, neve si kontingjent auditiv, na u duk po aq e çuditshme, sa ç’iu duk edhe vetë autores.
*Autorja është studente për Master Shkencor në Letërsi në UT




