Si Lukashenko/ Rama kërkon të negociojë në Bjellorusi, refuzon vetë BE-në

Bëni si them unë dhe jo si bëj unë. Edi Rama mori përsipër të ndërmjetësojë për zgjidhjen e krizës bjelloruse pas një manipulimi spektakolar të votimeve ditën e zgjedhjeve nga partia në pushtet. Por kryetari i radhësi i OSBE nuk e mban flamurin e zgjedhjeve të lira brenda kufijve të territorit të vet. Ka një ndryshim me Bjellorusinë: standardi që ka arritur Rama është që manipulimi të mos ruhet për ditën e votimit, por makineria e deformimit të  votës të vihet në funksion muaj para, që nga ndryshimi i ligjit zgjedhor në mënyrë të njëanshme deri te skemat e vjetra, por të gjalla të presionit mbi administratën dhe rrethin familjar të të punësuarve, apo drejtorëve ë duhet t’I kthejnë  nderin partisë duke kryer shërbimet ndaj qytetarëve të zëna myk në dy mandate.

Zemërgjerësia e Komisionit Europian me Shqipërinë e qeverisur nga kryeministri Rama mori shuplakën e radhës nga ky i fundit, kur për të disatën herë refuzoi të rishikonte kodin zgjedhor që më 5 tetor vuri në zbatim Kushtetutën jokonsensuale të 30 korrikut. Normale kjo për një kryeministër që nuk kishte bërë asnjë reformë zgjedhore që kur erdhi në pushtet, ndërsa rekomandimet e ODIHR theksonin rënien e standardeve zgjedhore proces pas procesi, deri tek ai 30 qershorit 2019.

I akuzuar me zë dhe figurë për manipulime votash, veçanërisht në fashikujt dhe CD e dosjeve 339 dhe 184 me një drejtësi që nuk ka vepruar kurrë me krimet zgjedhore, Edi Rama sot nuk ka asgjë për të humbur. Më mirë të humbasë ‘Brukselin’ se sa pushtetin, duket një filozofi kuptimplotë për Edi Ramën, të cilin thirrjet e BE për zgjedhje të lira e të ndershme më 25 prill, si mesazhi i qartë i eurokomisionerit Varheli nuk e lëkundin para tundimit për të luajtur çdo gur që do t’i siguronte mandatin e tretë qeverisës. Në këtë funksion ishte dhe shkelja e marrëveshjes së janarit për reformë konsensuale zgjedhore.

Ndryshimi i elementëve thelbësorë të sistemit zgjedhor në mënyrë të njëanshme në momentin e parë që formalisht siguroi një pakt për rekomandimet e ODIHR ishte një kronikë e paralajmëruar. Vullneti i Edi Ramës për asgjësimin e partive të vogla dhe eliminimin e koalicioneve para zgjedhore ishte shpallur publikisht kur palët ende nuk kishin arritur marrëveshje për Këshillin Politik.

Por nëse llogaria e zgjedhësve nuk është ajo që e mban kreun e socialistëve në pushtet, frika nga zgjedhjet dhe e rënies nga pushteti gjithsesi po shkon në të njëjtën linjë me atë që dukshëm po ndodh në Partinë Socialiste. Të vjetrit e zemëruar, por të paktë e të heshtur janë në pritje të një kandidimi të radhës, të rinjtë nuk bindin as Edi Ramën, ndërsa ‘vëllezërit’ si Vangjush Dako janë të çimentuar në kryesinë e partisë. U deshën muaj të tërë për të kuptuar cili do të jetë ekipi politik drejtues i socialistëve, por Edi Rama vendosi të bëjë atë që e ka zakonin e tij më të fortë: eliminimin e garës e të zgjedhjeve. Në mënyrë të beftë vendosi të ecë para me kryesinë që ka. Në gati tetë vite pushtet, nga socialistët mësuam se nuk e njohin konceptin e votë së lirë. E njëjta filozofi, fillimisht shkelja e rregullave që gjen dhe më pas ndryshimi i tyre për të shmangur përballjen në gara brenda partie. Pa zgjedhje dhe me komandime sipas oreksit të momentit të kryetarit është filozofia që ka ndjekur, e dukshme kjo me degën më të madhe në vend, Tiranën, ku pas Saimir Tahirit që të paktën u zgjodh me votë, ka komanduar me radhë Blerina Gjylametin, Elisa Spiropali e së fundmi Ervin Bushati. Sigurisht nuk janë këta emrat e fortë të Tiranës që do t’i mbledhin votat Edi Ramës. I vetmi çengel i mbetur për shpresat e tij është ndryshimi i rregullave të lojës dhe loja e pistë kur periudha zgjedhore ka filluar. Duke sakrifikuar ëndrrën e madhe shqiptare: integrimin në BE./syri.net

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.