Mashtrimi i Ramës/ Zinxhirët e buldozerëve dhe rrethimi i lagunës, shkelin ligjin në Nartë
Ekspertët e mjedisit dhe urbanistët i konsiderojnë të paligjshme punimet në Pishë-Poro-Nartë, të kryera pa një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis dhe pa leje të zbardhura, ndërsa hedhin poshtë pretendimet e Edi Ramës se rrethimi ka prekur vetëm prona private.
Një gardh kilometrik prej hekuri dhe telash me gjemba ka copëtuar peizazhin e zonës së mbrojtur Pishë-Poro-Nartë. Makineritë e rënda kanë nisur hapjen e rrugëve dhe ngritjen e kantierit. Ndërkohë, aktivistët e mjedisit kanë filmuar me dron se si kanalet që lidhin lagunën me detin dhe që janë jetike për ekosistemin janë bllokuar për të ngritur ura betoni, duke përdorur rërë nga dunat shekullore të zonës.
E gjithë kjo po bëhet pa pasur një leje të zbardhur, qoftë për zhvillimin e zonës, qoftë për ndërtimin e kantierit. Ndërkohë, siç i tha Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) BIRN-it, në përgjigje të një kërkese për informacion mbi punimet, nuk ka ende as Vlerësim të Ndikimit në Mjedis (VNM), pavarësisht rëndësisë mjedisore të zonës.
Megjithatë, institucionet shtetërore dhe kryeministri Edi Rama po e mbrojnë ndërhyrjen, duke i cilësuar ato thjesht si “punime përgatitore” në një pronë private.
“Shteti nuk po fal asgjë, sepse shteti aty nuk ka asgjë. Ajo është një pronë private dembabadem,” deklaroi Rama të premten
Por, sipas ekspertëve të mjedisit dhe urbanistëve, kemi të bëjmë me një ndërhyrje agresive dhe të paligjshme, që po shkatërron në mënyrë të pakthyeshme një nga zonat me biodiversitetin më të lartë në vend.
Taulant Bino, drejtues i organizatës mjedisore AOS, i tha BIRN-it se punimet pa VNM janë të paligjshme.
“Pretendimet se Leja e Zhvillimit nuk kërkon VNM janë një interpretim mashtrues i ligjit për planifikimin e territorit,” tha Bino.
Ndërkohë, përkundër asaj që pretendon kryeministri, brenda rrethimit me tela me gjemba, përveç bregdetit dhe plazhit, që nuk janë prona private, ndodhen edhe dy monumente natyrore, të cilat sipas ligjit janë prona publike të patjetërsueshme.
“Sipas ligjit për Zonat e Mbrojtura, monumentet e natyrës janë pronë publike e patjetërsueshme dhe janë shpallur si të tilla për t’u vizituar nga qytetarët,” i tha BIRN-it Militjan Nezaj, biolog mjedisi pranë PPNEA, duke iu referuar nenit 52 të ligjit për zonat e mbrojtura.
Punimet pa vlerësim të ndikimit në mjedis
Projekti “Zvërnec Peninsula” parashikon ndërtimin e një kompleksi masiv multifunksional banimi, shërbimesh, hotelerie, rekreacioni dhe një marine. Ai zhvillohet nga shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k., e cila është regjistruar offshore dhe ka aksionerë anonimë.
Një investigim i BIRN gjeti se pas projektit, i cili është prezantuar publikisht si një ide e dhëndrit të presidentit të SHBA-së, Jared Kushner, fshihet një rrjet vendor individësh dhe kompanish, ku përfshihet një biznesmen i akuzuar për lidhje me mafian italiane, një ish-gjyqtar i dorëhequr për shkak të procesit të vetingut, vajza e një avokati të akuzuar për falsifikim, kompania e një biznesmeni të vrarë dhe individë të lidhur me një prej oligarkëve më të mëdhenj në Shqipëri, Shefqet Kastrati. Ndërkohë, toka ku pritet të zhvillohet projekti është prej vitesh objekt konfliktesh gjyqësore të pazgjidhura.
Përpos kësaj, ajo konsiderohet nga ekspertë të mjedisit si një nga zonat me më shumë biodiversitet në vend dhe ruan një sërë pasurish natyrore jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Europës. Pavarësisht kësaj, investitorët vijuan me rrethimin e zonës dhe shtrimin e rrugëve brenda saj, duke tjetërsuar peizazhin dhe me ndërhyrje që, sipas ekspertëve të mjedisit, cenojnë rëndë lagunën.
“Materiali i dunave shekullore të rërës, pas shkatërrimit, është hedhur për të bllokuar këtë kanal, në të cilin më pas është ndërtuar një urë betoni! Kjo ndërhyrje rrezikon të dëmtojë seriozisht gjithë lagunën e Nartës”, raportoi PPNEA të premten, duke paraqitur edhe foto të shkatërrimit.
Të gjitha këto punime po bëhen kur, ndërkohë, sipas AZHT-së, për zonën nuk ka ende një studim të ndikimit në mjedis dhe as leje të zbardhura.
“Nuk përbën dokumentacion të detyrueshëm në fazën e miratimit të lejes së zhvillimit, pasi kjo leje ka karakter përcaktues të kushteve zhvillimore të pronës dhe nuk autorizon kryerjen e punimeve ndërtimore”, i tha AZHT BIRN-it në një përgjigje, ku i kërkohej, ndër të tjera, VNM-ja që shoqëronte lejen e miratuar nga KKTU për punimet në këtë zonë.
Në një reagim publik të premten, AZHT tha se leja e zhvillimit përcakton vetëm parametrat urbanistikë dhe “nuk përbën automatikisht fillim të punimeve”, ndërsa punimet e rrethimit kanë “karakter ekskluzivisht përgatitor”.
Për sa i përket Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, institucioni tha se ai nuk ka përfunduar, por shton se “studimi mjedisor po kryhet nga një studio ndërkombëtare me eksperiencë”.
Por, për ekspertë të mjedisit, kjo shkon përkundër frymës së ligjit dhe e bën mbrojtjen e mjedisit të pamundur.
“Interpretimi që e zhvendos VNM-në në një fazë të mëvonshme procedurale cenon vetë qëllimin e ligjit për mbrojtjen e mjedisit dhe parimin e parandalimit”, thotë Olsi Nika, drejtues i EcoAlbania.
Sipas tij, VNM-ja nuk mund të konsiderohet një dokument dytësor apo i shtyrë vetëm për fazën e lejes së ndërtimit.
Për ekspertin e mjedisit Taulant Bino, ndarja e lejeve në faza për të lejuar hyrjen e makinerive përpara se të bëhet Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis është një truk i rrezikshëm dhe thellësisht i paligjshëm. Ai i referohet Ligjit nr. 10440/2011, i cili përcakton se ndërtimi i rrugëve, qofshin ato të përkohshme apo të përhershme, kërkon të paktën VNM paraprake dhe, sipas tij, punimet tani janë në ilegalitet.
“Në këto kushte, ndërhyrja e sotme është e paligjshme. Gardhi fragmenton habitatin. Rruga e aksesit dhe kampi kanë mbuluar habitate dhe bimësi natyrore dhe kanë shkelur e shtypur specie të mbrojtura”, i tha Bino BIRN-it.
Për ambientalistët, gardhi apo rrethimi i kantierit nuk mund të bëhej pa VNM, sepse, përndryshe nga sa po pretendojnë autoritetet, ai ka ndikim në mjedis dhe e ka cenuar tashmë atë.
“Rrethimi i zonës me tel me gjemba praktikisht e bën të pamundur lëvizjen e disa llojeve të faunës për të aksesuar zonat e riprodhimit, ushqimit etj.”, thotë Militjan Nezaj.
Rrethimi privat i monumenteve të natyrës
Në një reagim të premten, teksa prezantoi krijimin e kompanisë publike Albanian Digital Solution, kryeministri pretendoi se kritikat ndaj projektit ishin të bazuara në një lajm të rremë.
“Më vjen tani natyrshëm të them për këtë zhurmën e madhe që është ngritur mbi një lajm të rremë sa s’thuhet, që medemek shteti po fal Zvërnecin”, tha Rama, duke shtuar se territori në fjalë ishte pronë private.
Të njëjtën alibi përsëriti edhe AZHT në reagimin e saj publik, teksa i doli në mbrojtje projektit duke përmendur garancitë kushtetuese për pronën private. Sipas AZHT-së, të gjitha pasuritë ku parashikohet zhvillimi janë të regjistruara në Kadastër dhe “nuk përbëjnë prona shtetërore apo territore të vendosura në administrim publik”.
Institucioni theksoi se projekti i Zvërnecit është tërësisht i ndryshëm nga ai i Sazanit, pasi në Zvërnec kemi të bëjmë me “një zhvillim tërësisht privat, të realizuar mbi prona private dhe me financim privat, ku institucionet shtetërore nuk paraqiten në cilësinë e zhvilluesit”.
Por këto pretendime janë, sipas aktivistëve të mjedisit, të pavërteta.
Fillimisht, ligji “Për pronat e paluajtshme të shtetit” përcakton si prona publike, në nenin 3, “vijën bregdetare për të hyrë në tokë, ujërat territoriale, shtretërit dhe brigjet e lumenjve, të përrenjve a rrjedhave të tjera ujore, liqeneve, lagunave dhe rezervuarëve natyrorë ose artificialë, ishujt dhe grumbullimet e rërës, të gurëve dhe dherave në shtretërit e lumenjve, të liqeneve e rezervuarëve”.
Brenda rrethimit ka sipërfaqe të tëra plazhi, pjesë shkëmbore të bregdetit, duna rëre, kanale që lidhin detin me lagunën e Nartës dhe një lagunë të vogël. Ndër këto, laguna e Limopuos dhe dunat e rërës, përveçse bien në kategoritë e përcaktuara me ligj si prona publike, janë shpallur edhe monumente natyre.
Ekspertët thonë se ligji për zonat e mbrojtura, edhe pas ndryshimeve të shkurtit 2024 që i hapën rrugë ndërtimit të hoteleve me pesë yje brenda tyre, i cilëson këto pasuri si prona publike të patjetërsueshme.
Pika 3 e nenit 52 të ligjit përcakton se: “Monumentet natyrore janë pasuri të paluajtshme, pronë publike dhe janë të patjetërsueshme”.
“Ka dy mundësi: ose janë privatizuar në mënyrë të jashtëligjshme, ose janë rrethuar, po ashtu, në mënyrë të jashtëligjshme”, ironizon Militjan Nezaj.
Veç monumenteve të natyrës, Nezaj paralajmëron se hapja e rrugëve po shkatërron “të paktën tre tipe habitatesh prioritare për Bashkimin Europian” në brendësi të zonës së rrethuar.
Lojë fjalësh dhe dëm i kryer
Problemi me Zvërnecin nuk është thjesht mjedisor. Urbanistja Doriana Musai paralajmëron se justifikimi i shtetit se kemi të bëjmë vetëm me një organizim paraprak dhe një gardh të thjeshtë është një minimizim i qëllimshëm i situatës.
Musai shpjegon se, ndërsa rrethimet e lehta për toka bujqësore lejohen pa shumë burokraci, ligji kërkon konfirmime shumë më të rrepta për territoret sensitive bregdetare apo zonat e mbrojtura.
“Nga pikëpamja urbanistike, VKM-ja flet për ‘rrethime me struktura të lehta, pa themele’, ndërsa në terren shfaqet një gardh linear kilometrik, me strukturë metalike permanente, i përforcuar me tela me gjemba, duke kufizuar dhe kontrolluar fizikisht aksesin në territor”, argumenton Musai.
Për urbanisten, nuk jemi përpara një gardhi të izoluar rural, por përpara punimeve për një resort, marinë dhe infrastrukturë masive.
“Kjo nuk është një masë minimale kantieri, por një proces real territorializimi të peizazhit të mbrojtur”, thotë ajo.
Sipas Musait, dëmi urbanistik dhe mjedisor nuk pret miratimin e lejeve përfundimtare për të filluar.
“Dëmi në një zonë të mbrojtur nuk fillon vetëm kur ndërtohen godinat, por që në momentin kur territori fragmentohet, rrethohet, kontrollohet fizikisht dhe ndryshon gradualisht funksionin e tij ekologjik dhe publik”, tha ajo.
Musai ironizon lojën e fjalëve mes institucioneve të ndryshme në lidhje me pretendimin për një leje të miratuar, por të pazbardhur. Ajo thotë se, praktikisht, një “leje e pazbardhur nuk është leje”, por një truk i gjetur për t’u dhënë mundësi zhvilluesve të ndërhyjnë pa pasur leje, pa pasur dokumentacionin e duhur dhe pa plotësuar kushtet ligjore. /BIRN




