Si ju mbrojnë ushqimet nga sëmundjet

Si ju mbrojnë ushqimet nga sëmundjetKa shumë ushqime që ndikojnë për mirë apo dhe për keq tek disa sëmundje. Për të qenë më të informuar ja ushqimi “i lejuar” dhe i “ndaluar” te sëmundjet dhe pengesat më të shpeshta.
Jogurti dhe vitaminat për lëkurë të pastër 

Nuk ekzistojnë gjellë të cilat mund të ndikojnë drejtpërdrejt në akne, mirëpo disa prej tyre mund të përmirësojnë (ose të keqësojnë) gjendjen. Në mesin e ushqimit me ndikim pozitiv janë prodhimet e qumështit, jogurti, tharmi i birrës dhe i gjithë ushqimi tjetër që përmban vitaminat A, E dhe F (pra, kryesisht pemët dhe perimet e freskëta) sepse pengojnë prodhimin e tepërt të yndyrës, karakteristik për aknet.

Kur keni problem me tretjen 

Disa lloje ushqimesh mund të keqësojnë gjendjen sepse vështirësojnë tretjen dhe ngarkojnë mëlçinë. Edhe pse ende nuk ka dëshmi të sigurta, dyshohet se disa lloje ushqimesh mund të ngacmojnë zorrët, duke helmuar gjakun dhe duke rrezikuar lëkurën e shëndoshë. Sasia e tepërt e yndyrës, për shkak të një varg reaksionesh biokimike, shton tajimin e yndyrës në lëkurë, duke përshpejtuar në këtë mënyrë paraqitjen e akneve. Prandaj duhet zvogëluar sasia e sheqerit, e ëmbëlsirave, çokollatës dhe pijeve të ëmbla. Edhe sasitë e tepërta të karbohidrateve në organizmin tonë shndërrohen në yndyrë.

Ushqimi që rekomandohet: Prodhimet e qumështit, jogurti, pemët e freskëta, perimet, peshqit dhe tharmi i birrës.

Ushqimi që duhet evituar: Gjalpi, salca me mëlmesa, ushqimi yndyror, mëlmesat, ushqimi i fërguar, sallamet, djathërat, pastat, çokollata, sheqeri, kafeja, çaji, alkooli.

Yndyra e peshkut e parrezikshme

Yndyra e peshqve të detit, prej të cilëve përfitohet vaji, është e pasur me thartira të dobishme, të cilat mund të rrisin prodhimin e substancave inflamatore dhe në këtë mënyrë të ndikojnë pozitivisht në mikroapceset në lëkurë. Së paku dy herë në javë do të duhej marrë yndyra të peshqve të detit.
Artritisi 

Artritisi është sëmundje e cila tri herë më shpesh sulmon gratë sesa meshkujt, më së shpeshti në moshën 20 – 40 vjeç, e shenjat janë dhembja, të ënjturit dhe ndezja e nyjave. Mund të shërohet vetëm me barna, mirëpo disa rregulla në ushqim mund të ndihmojnë lehtësimin e të ënjturit dhe ndezjes së nyjave, kështu që dhembjet mund të lehtësohen me përdorimin e më pak barnave.
Kryesore është të kufizohet konsumimi i yndyrave me prejardhje kafshësh, sepse ato nëpërmjet reaksioneve të ndryshme kimike, përshpejtojnë prodhimin e substancave të dëmshme.

Vaji dhe peshku kundër ndezjes

Në ushqimin e personit të sëmurë nga artritisi nuk do të duhej të mungonin vajrat e bimëve dhe peshku sepse mund të lehtësojnë proceset e ndezjes. Rekomandohet vaji prej sojës, misrit dhe kikirikut. Yndyra e peshkut siguron një veprim po aq të suksesshëm sa edhe vajrat e bimëve, por në mënyrë më të fortë dhe kohëgjatë.

Ushqimi që rekomandohet: Prodhimet prej drithit (tërshëra, buka, brumërat, orizi), peshqit (skumbri, marenga, sardelet, bakalaro, toni), vezët, djathërat pa yndyrë, perimet e freskëta dhe të ziera, pemët e freskëta dhe të thata, vajrat bimore (prej sojës, misrit, kikirikut). Ushqimi që nuk rekomandohet: Mishi (mështjerrës, viçit, derrit, qengjit), sallamet, gjalpi, kremi, alkooli.

Dhembja e eshtrave nuk duron mishin 

Kur është fjala për llojin e posaçëm të artitrisit, mishin duhet hequr nga ushqimi, sepse përmban numër të shtuar të thartirave nukleide e shpërbërja e tyre në trupin tonë shkakton krijimin e thartirave urinare, qëndrimi i të cilave në nyja përshpejton paraqitjen e artritisit.

Veshkat 

Ato as që i hetojmë, e për çdo ditë filtrojnë 180 litra lëngje (prej të cilave 179 litra reabsorbohen, e vetëm 1 litër hidhet jashtë përmes urinës). Kur veshkat janë të shëndosha, ato mund t’i përshtaten mënyrës sonë të jetesës, përkatësisht shtimit të sasisë të ushqimit (nëse nuk tejkalohet jashtë mase), nuk ndikon negativisht në punën e tyre. Problemet paraqiten vetëm atëherë kur veshkat sëmuren. Kur më nuk kryejnë funksionin e tyre të filtrimit dhe të djegies të substancave të dëmshme, thuhet se fjala është për insuficiencën. Simptomat – lodhja, tretja e vështirësuar, anemia – paraqiten më vonë, kur sëmundja të jetë në fazën më intensive.

Ushqimi i kontrolluar 

Kur sëmundja të jetë në fazën fillestare, artikujt e vetëm ushqimorë që duhet përjashtuar janë: gjalpi, mishi, sallamet, sepse me rastin e tretjeve të tyre prodhohen në sasi më të mëdha thartira të urinës. Meqë veshkat nuk munden më t’i largojnë këto substanca helmuese, ekziston rreziku i helmimit. Më vonë nëse përparon sëmundja, duhet zvogëluar në mënyrë drastike pemët dhe perimet. Në këto raste ndihmë të madhe paraqesin prodhimet ushqimore pa albumina.
Të sëmurët nga veshkat që janë në dializë duhet të marrin shujta sasiore, sepse organizmi ka nevojë për energji të shtuar. Të vetmit artikuj ushqimorë që nuk duhet marrë janë: fasulja, bananet, arrat, kumbullat e thara, sepse mund të shkaktojnë problem me zemrën. Po ashtu duhet marrë sa më pak lëngje.

Dhembja e kokës

Dhembja e kokës mund ta komplikojë dukshëm jetën. Shpesh nuk dihet shkaku i kësaj. Mirëpo, mund të llogaritet se së paku një e katërta e dhembjeve të kokës është e lidhur me të ushqyerit. Disa dhembje të kokës janë pasojë e urisë, por më shpesh ato paraqiten për shkak të marrjes të ushqimit përkatës. Ndërkaq “shkaktarët” rëndom janë ushqimi i njëllojtë, siç janë vera ose djathërat.

Substancat që zgjerojnë enët e gjakut 

Ka artikuj ushqimorë që përmbajnë substanca të cilat shkaktojnë zgjerimin e enëve të gjakut në tru, e ky është shkaku i dhembjes në tëmthat. Fajtorët kryesorë janë nitritet, shtesat që i qiten mishit të konservuar dhe disa llojeve të sallameve si dhe disa përbërës të tjerë që u qiten kryesisht artikujve të konservuar.
Kujdes të posaçëm duhet kushtuar kafesë: kafeina ngushton enët e gjakut, mirëpo personat që janë mësuar të konsumojnë disa kafe në ditë, në rast të mungesës së rastësishme shkaktohet reaksioni i kundërt, përkatësisht zgjerimi me dhembje i enëve të gjakut. Është dallim i madh në reaksionet ndaj kafeinës dhe secili e di më së miri kufirin e vet. Sido që të merret, nuk rekomandohet të pihen më tepër se dy ose tre filxhanë kafe në ditë.

Mëlçia

Mëlçia bën pjesë në funksionin e shumë organeve vitale që janë qenësore për shëndetin. Prandaj është me rëndësi që ndaj mëlçisë të veprohet mirë dhe të bëhen përpjekje që të ruhet. Meqë luan rol të madh në procesin e tretjes, kujdesi për mënyrën dhe zgjedhjen e ushqimit kërkon syçeltësi të madhe.

Si t’ia lehtësojmë punën 

Që të mos e ngarkojmë së tepërmi dhe që t’i mundësojmë punë të mirë duhet t’ia lehtësojmë detyrën. Përparësi duhet dhënë artikujve ushqimorë që treten lehtë, duhet shmangur shujtat e ngarkuara, e ushqimin duhet shpërndarë në shujta të rregullta gjatë tërë ditës: kafjalli i pasur, dreka dhe darka e lehtë, zëmra gjatë paradites dhe pasdites (më së miri pemë ose jogurt).

Share it :