Shtëpia e vjetër

Agron Tufa

1.

Shtëpia e vjetër Agron TufaMbi shtëpinë e vjetër janë heqë tjegullat. Ja se si misteri u prish…

Cullak e gafil kapen trarë e kulmarë – gjithë skeleti i drobitur i çatisë;

tash pamja i shëmbëllen një varke antike që stuhia e gorromisi në breg

për ta fiksuar prore në gravurën e një jermi të keq. Kujdes, mos prek

asnjë ashkël, asnjë cungal të nxirë nga tymi dhe bloza e viteve,

derisa një blic vetëtime të shkrepë e të ruajë në qiell frymën e riteve –

kripën e ëndrrave fëminore, fshamjet, mallkimet, lotët e pagëlltitur

që iu mveshën përmallshëm kësaj strehe. Mandej shpresën e rritur

dhe zemrën e gurtë, që çan shigjetë me majën e mendjes n’arrati,

ndjeje më parë se shtëpia të shkretet, si varka e Noes në bregun e ri.

 

Rëra. Struktura e saj kokrrizore: bardhë e zi.

Shtëpia fundoset përditë nga pak,

derisa deti së thelli ngre dallgë e stuhi

sërish ta zbulojë me trarë e kulmakë.

 

Ndoshta harrakati në shmang kthen të bujë

për një natë të pastrehë… shtegtarit fillikat

do t’i shtiren në ëndrra pa lidhje, rrëmujë

brerjet tona fëminore – ambicie e mëkat.

 

Ndoshta shpesët e malit, si shpirtra me kapakë

do t’i shmangen furtunës, pa pipëtirë.

Ndoshta ufot ngrehin studion te ky prag

sinjalet tokë-qiell duke përtërirë.

 

Në qoftë kështu, atëherë plazma abstrakte

e ëndrrave tona do t’ringjallet në imazhe dëshire…

Të mposhtur e konfuzë, brenda një nate

bujtësit kozmikë do ikin. Në njëfarë mënyre…

 

Rëra. Struktura e saj kokrrizore: bardhë e zi.

Vizatimi frotazh s’ka për t’u zbehur kurrë.

Dhe nëse imagjinata ia ngjyros hijet, kjo shtëpi

prore do frymojë kujtimesh, si një gravurë.

 

3.

Macet shtriqen kutull si thonjëza me bold çative;

harlisen kopshtet t’amështa nektaresh njomështore.

Përhapet shermasheku – vizatim i shpejtë n’fletore

duke përpirë muret anësore të shtëpive.

Streha e vjetër shkreton. Djersin qemer’ i bruztë

si balli i një të vdekuri. Veç vesë e ftohtë në shtalkë.

Po bebëza të zbrazëta dritaresh, si sumbuj t’qelibartë,

ndryjnë brenda ish-sytë tanë – të kapur prore në kurth –

vështrime të habitura – pengje n’ balsamim.

Thurima e dendur e pjergullës, si trumbë dallëndyshesh

m’i fsheh përnën gjethnajë… më lë midis ndërdyshjesh,

pa ia qëlluar dot – kush qe vështrimi im…

Share it :