Artan Cena
Prokuroria e Krimeve të Rënda e akuzon 34-vjeçarin kuksian, Vladimir Gjuta si organizatori dhe drejtuesi i disa shpërthimeve me tritol të ndodhura gjatë muajit shkurt në Tiranë
Pasi u kishte ikur disa herë duke mos e arrestuar, pasditen e sotme forcat speciale RENEA kishin zënë vendin ku ishin më të sigurtë se mund të prangosnin Vladimir Gjutën, personin kryesor që sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka organizuar shpërthimin në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Forcat RENEA i kishin zënë pritë Gjutës në tunelin e Kalimashit aty ku ai nuk kishte ku të shkonte që të shpëtonte siç dyshohet se ka bërë edhe disa herë të tjera, kur uniformat blu kanë tentuar që ta vendosin në pranga. Sipas policisë, në momentin e arrestimit Vladimir Gjuta, ndodhej nën shoqërinë e një shtetasi nga Kosova, i cili po merret në pyetje nga policia. Mësohet se në momentin e arrestimit, Gjuta ishte me një automjet tip “Opel” me targa kosovare. Arrestimi i Vladimir Gjutës mësohet se është bërë i mundur pas një informacioni të mbërritur në polici. Vladimir Gjuta, akuzohet si një prej anëtarëve të grupit të tritolit, që organizuan shpërthimin me tritol te farmacia e Bashkim Tahirit, babait të Ministrit të Brendshëm. Gjithashtu, Gjuta akuzohet edhe për kërcënime me SMS ndaj Saimir Tahirit. I akuzuari nga policia si organizatori i dy shpërthimeve, në farmacinë e Bashkim Tahirit, dhe një tjetri te Rruga e Kavajës, do të mbahet në dhomat e paraburgimit në drejtorinë e Policisë në Tiranë.
Si nisi përplasja me Tahirin
Akuza thotë se organizatori, Vladimir Gjuta, mund ta ketë bërë si shenjë “hakmarrjeje” ndaj policisë, e cila e ka ndaluar disa herë, ndërsa policia tatimore i ka kontrolluar në mënyrë periodike bizneset e tij dhe të familjes. Nga të dhënat paraprake, dyshohet se me anë të përgjimeve ambientale, telefonike dhe vëzhgimeve të ndryshme, janë siguruar prova materiale, që implikojnë të dyshuarit në kryerjen e këtyre akteve terroriste. Mësohet se përplasja e para e policisë me Gjutën ka ndodhur në prill të vitit 2014, kur ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, ankohet pranë Presidentit për ndryshimin e masës së sigurisë për Vladimir Gjutën dhe nipin e tij, Baftjar Brukën. Në atë kohë, ata kanë qenë të dyshuar për tentativë vrasjeje së disa personave në Kukës. Përplasja e dytë me policinë mësohet se ka ndodhur në qershor të 2014-s, pas vrasjes së Artan Santos. Pronarët e lokalit “Vila Gjuta” në Tiranë kanë refuzuar t’i japin policisë kamerat e sigurisë për të identifikuar autorët e vrasjes. Në shtator të 2014-s, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, në një aksion në zonën e ish-Bllokut, ndaluan dhe arrestuan tre persona, që lëviznin me mjete të blinduara. Të dyja makinat u bllokuan dhe personat u shoqëruan në polici. Një prej tyre ishte Vladimir Gjuta, që më pas u lirua. Më pas, policia tatimore ka zbritur në biznesin që ndodhet në Rrugën e Elbasanit, por pas kërcënimit ata janë larguar nga lokali. Më datë 6 dhjetor, në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”, Vladimir Gjuta u arrestua pas një sherri me efektivët e policisë rrugore. Vladimir Gjuta kundërshtoi forcat e rendit dhe u arrestua pak metra më tej. Për këtë incident, ai u mbajt në qeli për rreth 20 ditë, ku u lirua nga Gjykata e Tiranës me masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Por, edhe pas atentatit të dështuar ndaj Emiljano Shullazit në afërsi të Qafë Kasharit, efektivët e FNSH-së kanë bërë kontroll në bizneset dhe banesën e Vladimir Gjutës. Policia ka ushtruar kontroll edhe në ditën e atentatit të dështuar në Durrës ndaj Ardian Trotës, i cili mbeti vetëm i plagosur.
Kush është Vladimir Gjuta
Vladimir Gjuta, i cili ishte shpallur në kërkim në lidhje me atentatet me tritol ndaj familjes së ministrit Tahiri, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Biznesmeni 34-vjeçar është arrestuar dhe dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale, ndërsa ngjarja më e fundit që e vuri atë në pranga është goditja që i bëri një punonjësi të Policisë Rrugore. Gjuta u arrestua në dhjetor të 2014-ës pasi në bashkëpunim me dy persona të tjerë fyen dhe goditën për shkak të detyrës një polic rrugor pas vendosjes së gjobës për parkim të gabuar. Ngjarja e rreth 3 muajve më parë u shënua në rrugën “Dervish Hima” përballë kazinosë që ndodhet në pronësi të Gjutës. Policia mori shkas nga ky incident për të kontrolluar biznesin e 34-vjeçarit për zhvillim aktiviteti të paligjshëm. Gjykata dha ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Vladimir Gjuta me origjinë nga Kukësi dhe banim në Tiranë ka jetuar për shumë vite jashtë Shqipërisë në Britaninë e Madhe. Një tjetër ngjarje ku ai dyshohet se është përfshirë është një përplasje me Ardian Trotën të njohur si “i forti” i Kukësit. Ky konflikt ka nisur për shkaqe banale. Të dy biznesmenët mbetën të plagosur nga përleshja, por asnjëherë nuk u pranua prej tyre se ishin përfshirë në konflikt me njëri-tjetrin. Gjithashtu i plagosur mbeti edhe nipi i Gjutës, Baftjar Bruka. Edhe ky është i shpallur në kërkim për sulmet me tritol ndaj familjes së Tahirit.
Kërkohet për vrasje, shqiptari ekstradohet në Itali
Një shqiptar është ekstraduar në drejtim të Italisë pasi atje akuzohet për vrasje, pengmarrje dhe vjedhje. Interpol Tirana ka bërë gjatë ditës së djeshme ekstradimi nga Shqipëria drejt Italisë i 28vjeçarit, Ergren Çullhaj, pasi Gjykata e Breshias më 2 mars 2015, ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg, për veprat penale të “vjedhjes me armë”, “pengmarrje”, “vrasje”, si dhe të tjera. Nga policia, mësohet se, nga datat 1 korrik 2014 deri më 15 korrik 2014 në zonën e Bergamos dhe Breshias Itali, 28-vjeçari Çullahaj, ka kryer vjedhje, plaçkitje banesash duke shkaktuar vdekjen e shtetasit P. Rakanji, me përdorimin e armëve të zjarrit. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, më datën 27 mars 2015, në Shqipëri, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt Italisë i Çullahaj.
Zgjedhjet, të hapura zyrat për dokumentet biometrike
Meqenëse zgjedhjet do të zhvillohen pas dy ditësh, Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët që kanë aplikuar për dokumentet biometrikë, që të drejtohen pranë zyrave përkatëse për t’i tërhequr ato. Gjithashtu burime zyrtare kanë bërë të ditur se zyrat e tërheqjes së letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike do të jenë hapura edhe ditën e shtunë e të dielën, gjatë datave 20 qershor dhe 21 qershor, për t’u dhënë mundësi shtetasve që duan të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet lokale, sipas orareve: 08:00 -16:00, 20 qershor 2015 dhe 08:00- 14:00, 21 qershor 2015. Gjithashtu për të mbështetur këtë proces të rëndësishëm, të gjitha Zyrat e Gjendjes Civile do të jetë të hapura ditën e shtunë e të diel, nga ora 08:00 deri në 14:00.




