Huliganizmi i serbëve duket se nuk ka përfunduar në drejtim të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Nuk mjaftuan thirrjet raciste gjatë ndeshjes të vlefshme për Euro 2016 kundër kuqezinjve, ndërsa dje kanë provokuar përsëri. Në sfidën më të rëndësishme të kampionatit serb, atë midis Partizanit të Beogradit dhe Cërvena Zvezdës, janë shfaqur edhe një herë thirrjet raciste. Kjo, pasi huliganët kanë djegur flamurin kombëtar shqiptar. Po ky nuk ishte incidenti i vetëm. Edhe parulla “Kosova është Serbi” ka bërë bashkë tifozët kundërshtarë të Partizanit dhe Cërvena Zvdës (Ylli i Kuq) në Beograd, gjatë derbit që u zhvillua në mbrëmje në kryeqytetin serb. Parulla e madhe me përmbajtje nacionaliste ra në sy që në fillim të ndeshjes, e vendosur në shkallët e stadiumit, duke dëshmuar edhe një herë se makthi i serbëve mbetet Kosova. Ata nuk mund ta pranojnë se Kosova tashmë është e pavarur dhe nuk është më pjesë e Serbisë. Kjo parullë pasonte ato që u hodhën të martën gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd, mes të cilave edhe koret raciste “Vritini dhe mbytini shqiptaret!” Tifozeria serbe dëshmoi dje edhe një herë që është tepër e dhunshme. Në derbin që luhet në stadiumin “Partizani” mes dy ekipeve kryeqytetase Partizani-Cërvena Zvezda ndeshja e saponisur në minutën e 7-të u ndërpre, për shkak të hedhjes së fishekzjarrëve dhe tymit që mbuloi fushën. Gjyqtari i tha delegatit të ndeshjes se nëse ndodhte edhe një incident i tillë, me ç’rast asgjë nuk shihej në fushë, do ta ndërpriste takimin dhe do t’i dërgonte lojtarët në dhomat e zhveshjes. Në minutën e 11-të rifilloi takimi, ndeshja u ndërpre sërish në minutën e 61-të si pasojë e incidenteve, megjithatë arbitri e vazhdoi (edhe pse më herët deklaroi se do ta ndërpriste, nëse përsëriteshin incidentet). E kur flasim për mesazhe politike, aty ishte një banderolë e madhe me mbishkrimin “Kosova është serbi”. Ndeshja u ndërpre në minutën e shtatë të takimit, për shkak të incidenteve dhe hedhjes së mjeteve piroteknike në stadium. Arbitri i ndeshjes i dërgoi lojtarët nëpër bankinat e tyre. Një baner shumë i madh “Kosova është Serbi” që nuk i ka hije një shteti që synon Bashkimin Evropian. UEFA sërish duhet t’i hapë sytë dhe të mënjanojë elementet raciste në futboll dhe gjithashtu të rishikojë edhe një herë pozicionin e saj për sa u përket dënimeve për ndeshjen midis Serbisë dhe Shqipërisë. Ndërkohë që futbolli nuk ka qenë sporti i vetëm që është shfaqur kjo urrejtje. 16 mijë tifozë serbë kanë thirrur njëzëri parulla raciste antishqiptare, këtë herë në përballjen basketbolliste mes skuadrës serbe Cërvena Zvezda dhe turqve të Gallatasarajit që u zhvillua të mërkurën. Në takimin që u fitua nga vendasit, tifozeria serbe gjatë gjithë ndeshjes ka bërtitur “Ubij, zakolji, da Šiptar ne postoji” (Vrit, prit, që shqiptari të mos ekzistojë) dhe “Ko ne skaçe, taj je Šiptar” (Kush s’kërcen, është shqiptar). Të martën ndeshja Serbi-Shqipëri u ndërpre, për shkak të incidenteve të rënda që u shënuan në stadiumin “Partizani” ku të dëmtuar me plagë dolën futbollistët shqiptarë. Tifozët serbë hynë në fushë dhe goditën me sende të forta futbollistët e kombëtares shqiptare pak pasi një dron me një flamur të Shqipërisë së Madhe fluturoi mbi kokat e tyre.
“Marca” jep opsionet për Shqipërinë dhe Serbisë, rrezikojmë ndeshje pa tifozë
Një ndër mediat më të rëndësishme evropiane sportive, spanjollja “Marca” ka dhënë disa opsione për dënimet e mundshme që mund të marrin dy federatat përkatëse të futbollit. Fillimisht, gazeta përqendrohet te masat që mund të merren ndaj Serbisë. Një nga opsionet sipas “Marca”-s është humbja e ndeshjes në tavolinë, gjobë dhe ndeshje me dyer të mbyllura, ndërsa Federata mund të dënohet për incidentet e shkaktuara nga tifozët si në rastin e ngjarjes së Xhenoas në vitin 2010 ku personazh kryesor është i njëjti person Ivan Bogdanov, i njohur publikisht si “Ivani i tmerrshëm”, për shkak të veprimeve të tij prej huligani e të dhunshme. Ky fakt mendohet se do të rëndojë edhe më shumë pozitën e Serbisë. Nga ana tjetër, Shqipëria rrezikon më shumë për faktin sepse sipas procesverbalit të arbitrit të ndeshjes, anglezit Atkinson refuzoi të rikthehej në fushën e lojës duke rrezikuar ta humbasë ndeshjen në tavolinë. Një tjetër pikë ku disiplina mund të mbështetet për të penalizuar Shqipërinë është edhe fluturimi i dronit me banerit me hartën e Shqipërisë etnike dhe dy figurave simbol të kombit Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit mbi stadiumin e Beogradit dhe për këtë, sipas “Marca”-s, Shqipëria rrezikon gjobë dhe ndeshje me dyer të mbyllura. Për t’i bërë ballë kësaj situate dhe për të pasur një dosje sa më të plotë dhe korrekte ligjërisht, Federata Shqiptare e Futbollit ka kontraktuar dy studio avokatie ndërkombëtare për të përgatitur dosjen me të cilën institucioni i futbollit shqiptar synon të marrë tri pikët në tavolinë. Pas ofertave nga jashtë. FSHF ka zgjedhur dy studio ligjore, njëra zvicerane dhe tjetra angleze por emrat nuk janë bërë të ditur. Tashmë beteja Tiranë-Beograd përveç se në rrafshin politik, diplomatik e mediatik janë shtrirë edhe në aspektin juridik që është dhe me rëndësishmi pasi nga përballja në këtë aspekt do të kuptohet nëse Shqipëria doli e humbur apo fituar nga kjo ngjarje e rëndë që përfshiu brenda saj edhe institucionet më të larta shtetërore.





