Jepet kësti i parë, i dytë, i tretë dhe i katërt në masën prej 57% të shumës së përgjithshme në të holla
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka miratuar emrat e pronarëve që përfitojnë 27 milionë lekë. Në listën e publikuar nga AKKP-ja, janë 39 ish-pronarë, të cilët do të kompensohen. Ka përfunduar procesi i shqyrtimit të kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë kompensimin apo shpërblimin e saj me këstin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt, në masën prej 57% të shumës së përgjithshme në të holla. të miratuar me Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave. Procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar. ligjin nr. 10239. datë 25.2.2010 “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.5.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar, dhe në vendimet përkatës të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar”, – thuhet në një njoftim të AKKP-së. Më tej Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave sqaron se kësti i parë, i dytë, i tretë dhe i katërt (57%) është shpërndarë për 39 kërkesa, të depozituara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në shumën e përgjithshme prej 27 502 883,28 lekë. “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare në ditët e para të javës në vazhdim”, – sqaron AKKP.
Aplikimi për kompensim
Për të përfituar kompensimin ish-pronarët duhet të paraqesin pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave dokumentet e mëposhtme: Kërkesën tip, që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave. Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi (në rast se subjekti përfitues ka vdekur). Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarife shërbimi në vlerën 2 000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme. Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës. Fotokopjen e dokumentit të identifikimit. Certifikatën familjare të kërkuesit/aplikuesit. Mandat pagesën për shumën 2 000 lekë për çdo aplikim të veçantë.
Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarife shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.
Ulet sasia e parasë jashtë sistemit bankar
Sasia e parasë jashtë bankave ka ardhur në rënie të vazhdueshme në muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit prill, paraja jashtë bankave tregtare kishte vlerën e 193.4 miliardë lekëve, në rënie me 2.7% që nga fillimi i vitit. Rënia e sasisë së parasë jashtë bankave tregon se ekonomia e vazhdon të jetë e prirë drejt kursimit, por edhe besimin e qytetarëve te sistemi bankar. Megjithëse interesat e depozitave po bien me ritme të shpejta, si rezultat i politikës monetare nxitëse të Bankës Qendrore, shumica e shqiptarëve vazhdojnë të zgjedhin sigurinë e bankave për të mbajtur paratë e tyre.
Në muajin maj të këtij viti, interesi mesatar i depozitave 12-mujore në lekë ishte 1.9%, ndërkohë që një vit më parë ishte 5.1%. Megjithatë, depozitat bankare në fund të Majit kishin vlerën e 949 miliardë lekëve, duke ruajtur ritme pozitive të rritjes vjetore me rreth 0.9%. Ndonëse kriza e viteve të fundit e ka ulur ndjeshëm mundësinë e ekonomisë për të kursyer, depozitat vazhdojnë të ruajnë rritje pozitive.
Ç’është më e rëndësishme, sasia e parasë jashtë bankave është në rënie, çka tregon se besimi i individëve në sistemin bankar nuk ka lëkundje. Për momentin, sfida kryesore për sistemin bankar është rritja e kreditimit, ndaj ngadalësimi i rritjes së depozitave nuk krijon shqetësime, edhe duke pasur parasysh nivelet e larta të likuiditetit. Raporti mes kredive dhe depozitave është rreth 57%, çka tregon se bankat zotërojnë likuiditete më se të mjaftueshme për t’iu përgjigjur një rikthimi të kërkesës së shëndetshme për kredi.




