‘Shndrin si dill e honë, i vogli Ali Mema!’

Nga Jorida Tabaku.

Ditën e djeshme nderuam dhe respektuam një figurë të veçantë sportit dhe rezistencës kundër diktatures, Ali Memën. Sportistin e madh, njeriun e fisëm që me dashurinë e tij për klubin anti-sistem u dhuroi njerëzve të shtypur pak liri. Të ishe një sportist i Tiranës (të cilës asokohe Partia ia kish ndërruar me përdhunë dhe emrin) do të thoshte të vuaje mbi shpinë kamzhikun e diktaturës.

Por, për lojtarët e mbi të gjitha Aliun e madh kjo qe adrenalina përmes të cilës ato mundnin regjimin dhe u dhuronin gëzim. Atyre që me shpirt ndërsa shihnin ndeshjen e gëzonin për Tironën u lëshonin mllefin e ndaluar Byrosë Politike.

“Në Tironën tonë/ te gjithë jon kapitena” këndonte Buneci në vitet ’70. Por Ali Mema është ai që shndrinte mbi gjithë të tjerët.

Ali Mema që i dha krenari ekipit, njeriu i dashur e i dhembshur, njeriu i madh që s’e prishi kurrë zemrën e kurrë nuk luajti kundër ekipit të tij të zemrës.

Që e vogël pasionin për sportin ma kaluan njerëz si Liu e familja e tij që në breza ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm e kurrë nuk ka kerkuar asgjë mbrapsht. Jemi rritur me kujtimet e tij e triumfet e tij dhe sot e kësaj ditë mburremi me fitoret e tij e te brezit te tij.

U prehsh në paqe Ali. Zoti të mëshiroftë për gëzimin që i dhurove një populli të shtypur dhe hidhërimin që i fale një byroje kriminale.

Share it :