Shkarkimi/ Ançeloti dhe Reali i Madridit divorcohen

Ançeloti dhe Reali i Madridit divorcohenBordi drejtues ka deklaruar se shkarkimi i teknikut italian erdhi pasi skuadrës i duhet një fillim i ri pas dështimit të këtij sezoni

Më në fund ka ardhur edhe prishja e akordit midis Ançelotit dhe Realit të Madridit. Të dyja palët u ndanë zyrtarisht dje pas deklaratës së Florentino Perezit që njoftoi prishjen e kontratës me teknikun italian. Në fjalimin e tij bosi i galaktikëve u shpreh se skuadrës i duhej një fillim i ri dhe prandaj u arrit edhe te ky vendim. “Bordi drejtues ka vendosur te shkarkoje Carlo Ancelottin. Ishte nje vendim shume i veshtire por ne nuk kemi ardhur ne Real Madrid per te marre vendime te lehta, por ata qe ne besojme se jane me te miret. Ancelotti ka fituar dashurine e bordit drejtues dhe te tifozeve. Ai eshte pjese e historise tone, trajneri me te cilin kemi arritur La Deciman. Por, eshte koha per nje fillim te ri. Dua t’a falenderoj Ancelottin per dy vitet e kaluara ketu. Tani eshte koha per te dhene impulse te reja ndaj nje skuadre qe do te na mundesoje te fitojme tituj te tjere. Javen tjeter ne do te bejme te njohur emrin e trajnerit te ri. Gjtiahshtu ai u shpreh se për trajnerin e ri do të ishte mirë që ai të flise spanjisht. Ndërkohë që udhëtimi i Adriano Gallianit drejt Madridit për të bindur Carlo Ancelottin ka rezultuar i kotë. Trajneri italian konfirmoi largimin nga stoli i skuadrës “Merengues”, por i mbyll derën një rikthimi të mundshëm te Milani duke deklaruar se do të qëndrojë një vit pushim për shkak të një problemi shëndetësor. “Do të ndaloj një vit dhe kam një motiv vërtet serioz për ta bërë një gjë të tillë”, nënvizon Ancelotti në një intervistë dhënë për gazetën “Il Giornale”. “Duhet të kryej një operacion në qafë për shkak të një stenoze sepse prej disa kohësh ndiej mpirje në duar. Nëse do të humbas kohë problemi mund të bëhet më i madh dhe një gjë e tillë mund të më ndodhë me duart. E kam caktuar datën e ndërhyrjes dhe nuk e di se për sa kohë do të jem gati të rikthehem sërish për të drejtuar një skuadër”, shton trajneri italian, i cili ka mbyllur një cikël 2-vjeçar me Realin e Madridit ku fitoi një UEFA Champions League, Botërorin e Klubeve dhe një Kupë Mbreti. Në fund të intervistës ai shton se ndërhyrja do të kryhet në Vankuver të Kanadasë. Pas refuzimit të 55-vjeçarit, drejtuesit e Milanit do të kalojnë në planin B dhe një nga emrat më të lakuar të momentit është Vincenzo Montella. Nuk përjashtohet gjithashtu mundësia e afrimit të Christian Brocchit në stol me Marcelo Lippin në postin e drejtorit teknik por vendimi përfundimtar do t’i takojë presidentit Silvio Berlusconi i cili nuk heq dorë nga ideja për të emëruar një trajner italian. Por ai më konkreti për këtë post duket emri i Unai Emery i cili afrohet edhe më shumë me stolin e Milanit. Sipas mediave italiane, trajneri i Sevillas ka firmosur një parakontratë për të marrë drejtimin e kuqezinjve prej sezonit të ardhshëm. Lajmi është përcjellë nga një zë i njohur i Sportmediaset, siç është Maurizio Pistocchi, i cili i referohet burimeve të brendshme te Milani. Në fakt ai nuk ka gabuar as kur njoftoi i pari emërimin e Seedorf apo të Mancinit te Interi. Për trajnerin e Sevillas ka disa javë që flitet për fillimin e një aventure të re në Itali dhe duket se Galliani ia ka dalë. Pas një sezoni të suksesshëm në Spanjë, Unai Emery shikohet me optimizëm në Milanello si njeriu i duhur për ta kthyer sërish skuadrën në ditët e lavdishme. Trajnerit 43-vjeçar nuk i mungon eksperienca dhe mbi të gjitha në CV-në e tij bie në se ai ka patur sukses të konsiderueshëm me ekipet problematike. Të njëjtën gjë kërkojnë edhe presidenti Berlusconi, Galliani e kushdo tjetër te Milani. Ata duan nga Emery që të bëjë të njëjtën gjë si te Sevilla apo Valencia, pra të shfrytëzojë në maksimum kapacitetet që ka në dispozicion dhe të ngrejë një skuadër të suksesshme.

 

 

Roma fiton derbin e kryeqytetit

Roma fiton 2-1 derbin e kryeqytetit dhe siguron vendin e dytë me një biletë direkte për në fazën e grupeve të UEFA Champions League duke i shkaktuar dhimbje koke Lazios që duhet ta luajë Evropën që vlen në transfertën e Napolit javën e fundit. Pas një pjese të parë të përgjumur dy skuadrat u zgjuan në fraksionin e dytë ku verdhekuqtë treguan më shumë dëshirë duke përfituar edhe nga gabimet e kundërshtarëve në fazën mbrojtëse. Ishte Klose ai që gaboi një gol pothuajse të sigurt në minutën e 5, ndërsa verdhekuqtë mbyllën në mënyrë perfekte të gjitha hapësirat në mbrojtje duke mos lëshuar terren në asnjë centimetër të fushës. Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm, Lazio kërkoi të impononte aksionet sulmuese në gjysmëfushën e kushërinjve por skuadra e Garcias bllokoi çdo tentativë për të kundërsulmuar më pas me dyshen Iturbe-Florenzi nga krahët. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 73 me autor Iturben që dogji në sprint Bastën për ta shtyrë topin në rrjetë. Reagimi i bardhkaltërve erdhi 8 minuta më vonë. Penelata e Felipe Anderson shkoi në kokën e Kloses së dhuroi një asist për Djordjevic. Ndeshja u bë edhe më e çmendur 4 minuta më pas kur Yanga Mbiëa goditi në mënyrë kirurgjikale me kokë duke vulosur fatin e derbit të Romës me verdhekuqtë të sigurt drejt Champions League, ndërsa Lazio ka në dispozicion dy rezultate nga 3 për transfertën e “San Paolos” gjatë fundjavës. Para duelit ndërmjet Lazios dhe Romës, dy tifozë janë dërguar në spital pasi janë therur jashtë Stadiumit Olimpik. Dhuna është diçka e zakonshme në rastet e derbit të kryeqytetit italian dhe ngjashëm ka ndodhur edhe kësaj radhe. Dy tifozët janë të Romës dhe ata janë sulmuar nga tifozët e klubit rival. Mediat njoftojnë se gjendja e tyre nuk është kritike dhe plagët nuk janë aq të rënda. As policia, spitali apo klubet, nuk kanë dalë me komunikata rreth kësaj ngjarjeje. Ka qenë agjencia ANSA që i ka publikuar detajet e incidentit.

 

Toure qëndron te Siti

Agjenti i Yaya Toures ka bërë të ditur se klienti i tij do të qëndrojë te Mançester Siti edhe edicionin e ardhshëm. Toure është njëri ndër lojtarët që pritet të largohet nga Siti këtë verë, me Interin që duket të jetë në krye të garës për ta transferuar atë. Sidoqoftë, agjenti i tij, Dimitri Seluk, ka deklaruar të hënën për Sky Sports News se Toure është shumë i rëndësishëm për Sitin dhe se do të qëndrojë në klub. Toure ka edhe dy vite tjera në kontratën e tij aktuale, nga e cila përfiton rreth 300,000 euro në javë.

 

Otamendi dëshiron të largohet nga Valencia

Agjenti i Nicolas Otamendit ka bërë të ditur se qendërmbrojtësi dëshiron të largohet nga klubi në verë. Me paraqitjet e tij të mira në La Liga dhe me vendimin që Mats Hummels ka marr për të qëndruar tek Borussia Dortmund, qendërmbrojtësi argjentinas ka kohë që është identifikuar si objektiv kryesor i Unitedit. “Nicolas është rehat te Valencia mirëpo e ka mundësinë që ta përmirësojë karrierën e tij”, – ka thënë fillimisht agjenti Eugenio Lopez. “Jorge Mendes tashmë e di se Nico dëshiron të largohet nga Valencia. Ai do të bëjë të pamundurën për t’u larguar”, – ka shtuar ai.

 

Falcao përshëndet tifozët e United

Radamel Falcao ka shprehur falënderimin e tij për tifozët e Manchester Unitedit, pasi i ka ardhur fundi qëndrimit të tij në Old Trafford. Kolumbiani u huazua te Djajtë e Kuq në fillim të sezonit 2014/2015, mirëpo ai zhgënjeu në futbollin anglez. Tashmë është konfirmuar se Unitedi nuk do ta blejë nga Monaco, ashtu që pritet të shihet nëse do të luajë te klubi nga Ligue 1 në sezonin e ardhshëm apo diku tjetër. “Dua t’i falënderoj Manchester Unitedin dhe të gjithë tifozët e tyre për çdo fjalë dhe gjest mbështetjeje që më kanë dhënë në secilën ndeshje”. “Asnjëherë nuk do ta harroj atë që kanë bërë!”, ka shkruar Falcao në Instagram.

 

Müller: Guardiola trajner i madh

Thomas Müller thotë se Pep Guardiola ka vazhduar trashëgiminë e Jupp Heynckesit për forcimin e mëtutjeshëm të Bayern Munichut. Në edicionin 2012/2013, bavarezët fituan tripletën dhe në verën e atij viti, skuadrën e mori në drejtim strategu spanjoll. Në sezonin e parë, ai e fitoi Bundesligan dhe DFB Pokal duke u eliminuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Në këtë sezon, Bayerni fitoi edhe një trofe më pak, vetëm kampionatin gjerman. Sidoqoftë, lojtari që thuhet se ka pasur mosmarrëveshje me Guardiolan, Müller, thotë se skuadra ka përparuar nën urdhrat e ish-trajnerit të Barcelonës. Ai ka thënë se Pep është një trajner i madh, i cili do të vazhdojë ta bëjë Bayernin akoma më të fortë.

 

Rinovimi, Alves akuzon ekipin

Dani Alves nuk dëshiron ta trazojë ambientin katalanas, por ndërkohë që e thotë këtë, bomba ka plasur edhe pse Barcelona duhet të përqendrohet te dy finalet e fundit të sezonit. Në konferencën për shtyp, mbrojtësi brazilian nuk kursehet duke e drejtuar gishtin e akuzës ndaj klubit që sipas tij po e trajton keq. “Deri 6 muaj më parë nuk dëshironin të ma rinovonin kontratën por kur erdhi vendimi i FIFA që nuk u lejon të blejnë lojtarë deri në vitin 2016 më kërkuan që të firmosja me kushtet e tyre. Për çka kam dhënë te Barcelona besoj se meritoja më shumë dhe këtu nuk flas për para por për respekt”. Mbrojtësi brazilian luan me Barcelonën që prej 7 sezonesh dhe kontrata e tij skadon më 30 qershor. “Nuk kam ardhur këtu për të trazuar ujërat por të mbrohem sepse gjatë javëve të fundit janë thënë shumë gjëra të këqija në adresën time dhe çdo gjë ka një kufi. Ky kufi është kaluar. Unë nuk flas kur takoj dikë, janë të tjerë ata që i krijojnë këto situata. Fakti që Zubizarreta nuk është më s’ka ndryshuar shumë gjëra sepse kjo është një situatë e ngjashme me atë të një viti më parë”. Gjithsesi, Dani Alves nuk e përmendi asnjëherë se dëshiron të largohet, aq më pak destinacionin e mundshëm. Ai përjashtoi mundësinë e transferimit te Paris Saint Germain. “Jam 200% i përqendruar te puna që po bën skuadra. Kemi dy finale për të luajtur dhe unë dua t’i fitoj. Jam i përqendruar në maksimum. Nga ana tjetër në klub jam i përqendruar 10%. Le të themi që jam me një këmbë brenda dhe me tjetrën jashtë. Nuk kam marrë ende asnjë vendim përfundimtar. Presidenti e di se çfarë duhet të bëjë dhe nëse dëshiron unë do të qëndroj”.

 

Evropa e interesuar për Gashin

Sezoni fantastik që Shkëlzen Gashi zhvilloi më ngjyrat e Baselit, nuk ka lënë indiferente klube të njohura të kontinentit të vjetër. Kështu që pas Lazios janë gjermanët e Shalke 04 të cilët kanë shfaqur interes për shërbimet e sulmuesit kuqezi. Sipas mediave Gjermane klubi nga Gelsenkirchen është gati të shpenzojë, jo pak por 10 milion euro për ta bindur Baselin të heqë dorë nga 26 vjeçari shqiptar. Një shifër e cila nëse depozitohet në rrugë zyrtare do të pranohej menjëherë nga klubi zviceran, pasi kohë më parë këta të fundit kanë shprehur disponibilitetin ta dorëzojnë kartonin e Gashit edhe për 8 milion euro. Ndërkohë që edhe gkermanët shohin tek Gashi zëvendësuesin ideal të Klas Jan Hunttelar, me holandezin i cili është pothuajse i larguar nga “Arena auf Shchalke”. Lojtari i përfaqësuese sonë këtë sezon, jo vetëm që ka realizuar 21 gola, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i Ligës helvete, por ka qenë së bashku me Taulant Xhakën, një nga pikat e referimit tek kampionët e Zvicrës, me këta të fundit që jo vetëm siguruan titullin, por kaluan edhe në 1/8 e finaleve të UEFA Champions Leagues. Për momentin interesi për Shkëlzen Gashin duket në kuotat më të larta, dhe të mendosh që merkato ende nuk ka startuar zyrtarisht. Në të ardhmen priten faza shumë më të nxehta të këtij sesioni veror, dhe duket se të paktën për lojtarët Shqiptar protagonisti kryesor i hapësirës së shitblerjeve do të jetë pikërisht sulmuesi 26-vjeçar.

Share it :