Sekretari i Ministrisë së Drejtësisë favorizon mikeshën e gruas për postin e lartë
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Alban Mësonjesi ka ndikuar në procesin e përzgjedhjes së prokurores së Kukësit, Vilma Kapaj, për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Monitorimit pranë strukturave të drejtësisë.
Burimet bëjnë me dije se procedura ka nisur më 7 korrik 2026, kur KLP shpalli vendin vakant për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Monitorimit.
Por kriteret e vendosura në shpallje mësohet se janë hartuar në një mënyrë që favorizonin profilin profesional të prokurores Kapaj, e cila rezulton të jetë mikesha e bashkeshortes së Mësonjesit, njëherësh ish-prokurore e shkarkuar nga vetingu.
Një nga kriteret e vendosura është eksperienca pedagogjike, një element që i jep avantazh Kapajt krahasuar me kandidatët e tjerë.
Sipas kësaj skeme , Ministria e Drejtësisë do të ketë mundësinë të përzgjedhë kandidaturën për komandim, ndërsa KLP do të mbetet vetëm me rolin e miratimit të saj, duke u bazuar në nenin 54, pikat 5 dhe 6 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
Në kushte të tilla, përfshirja e Ministrisë së Drejtësisë në një proces që lidhet me emërime brenda sistemit të prokurorisë përbën një cenim të parimeve të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe mund të përbëjë shkelje administrative.




