Vrasja e Artan Myrtajt paraditen e kësaj të diele në qendër të Sarandës është pjesë e një konflikti të njohur në Sarandë që ka nisur për një pronë në bregdet, por që u shndërrua në një përplasje që ka mbajtur nën terror qytetin prej 14 muajsh. Që prej korrikut 2025, situata ka degraduar nga një plagosje me armë, tek shpërthimet me tritol, një vrasje me eksploziv, djegie prone dhe, këtë 20 shtator tek ekzekutimi në mes të qytetit i Artan Myrtajt.
Saga e hakmarrjes tregon se në shënjestër është i njëjti grup shokësh, ndërsa disa prej krimeve më të rënda mbetën pa autorë, por kjo nuk e ka penguar drejtorin e policisë, Skënder Hita që të dalë po sot duke pozuar si figurant, përkrah ministrit të brendshëm në aeroportin e Rinasit.
17 korrik 2025, plagosja e dy të rinjve në Sarandë
Gjithçka nisi pasditen e 17 korrikut 2025. Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama, dy të rinj nga Kamza, u takuan në Sarandë me Ramadan Zoton dhe persona të tjerë të grupit të tij. Qëllimi ishte të sqaroheshin mbi një mosmarrëveshje për një sipërfaqe toke në bregdet. Takimi përfundoi me plagosjen e dy të rinjve.
Ramadan Zoto është personi që qëlloi mbi Hajdarajn dhe Lamën, duke i plagosur rëndë. Ndaj tij u ngrit akuza për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë.
Por në dosje dolën edhe tre emra të tjerë: Erjon Canaj, Klaus Jaçaj dhe Artan Murtaj, ky i fundit është personi që u vra këtë të dielë. Të tre u shpallën në kërkim për “përkrahje të autorit të krimit”. Policia gjeti në vendngjarje katër gëzhoja, ndërsa Gëzim Hajdarajt iu sekuestrua një pistoletë “Beretta”, për të cilën edhe ai u arrestua.
21 korrik, vetëm katër ditë pas plagosjes shpërtheu tritoli
Policia ende nuk kishte bërë dokumentat gati për prokurorinë, kur katër ditë pas plagosjes së dyfishtë, rreth orës 23:50 të 21 korrikut, një sasi eksplozivi shpërtheu në automjetin e Klaus Jaçajt në lagjen nr. 3 të Sarandës. Jaçaj ishte pikërisht një nga tre personat e shpallur në kërkim për përkrahjen e Ramadan Zotos në ngjarjen e 17 korrikut. Automjeti u shkatërrua, por fatmirësisht nuk pati viktima, pasi ishte i parkuar.
Kamerat e sigurisë fiksuan një person të maskuar, të raportuar se mbante një maskë silikoni. Ngjarja u hetua si një hakmarrje e mundshme, por atentati mbeti pa autor të identifikuar publikisht.
Tre ditë më vonë, më 24 korrik, Policia arrestoi Klaus Jaçajn për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “moskallëzim të krimit”. Artan Murtaj dhe Ramadan Zoto në atë moment vijonin të ishin në kërkim.
22 gusht 2025, arrestohet Ramadan Zoto
Pas më shumë se një muaji në kërkim, Ramadan Zoto u arrestua më 22 gusht në Korçë. Ai përfundoi në paraburgim për plagosjen e Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamës.
Por arrestimi i njeriut që policia konsideronte autor të plagosjes nuk e ndali zinxhirin e hakmarrjes. Njerëzit që e ndihmuan atë nuk do të gjenin paqe.
4 tetor 2025, tritoli vret babanë e Klaus Jaçajt
Mbrëmjen e 4 tetorit, Saranda u trondit përsëri nga një shpërthim, por kësaj here duke shkëputur në mes jetën e Isuf Jaçajt, 58 vjeç, babai i Klaus Jaçajt. Ai u hodh në erë brenda automjetit të tij në lagjen nr. 3. Eksplozivi ishte vendosur në automjet dhe shpërthimi dyshohej se u aktivizua në distancë.
Hetuesit orientuan një nga pistat kryesore pikërisht te hakmarrja që mund të lidhej me plagosjen e 17 korrikut. Arsyeja ishte e drejtpërdrejtë: Klaus Jaçaj, djali i viktimës, akuzohej se kishte ndihmuar autorët e asaj ngjarjeje.
Në më pak se tre muaj, bilanci i historisë ishte ngarkuar ndjeshëm: dy të plagosur me armë, një makinë e hedhur në erë dhe një njeri i vrarë me tritol.
29 nëntor 2025, digjet lokali i Ramadan Zotos
Radha i erdhi më pas pronës së Ramadan Zotos, njeriut që akuzohej për plagosjen e dy të rinjve në Sarandë.
Në orën 03:10 të 29 nëntorit, lokali “Bumble Bee” në Ksamil, pronë e Ramadan Zotos dhe i dhënë me qira një 41-vjeçari, u përfshi nga flakët dhe u shkatërrua plotësisht.
Policia nuk e përcaktoi publikisht zjarrin si të qëllimshëm dhe njoftoi se po hetonte shkakun. Por gjithsesi, shpërthimi iu shtua kronologjikisht ngjarjeve ku vazhdonin të shfaqeshin të njëjtët emra.
20 shtator 2026, vritet Artan Myrtaj
Katërmbëdhjetë muaj pas plumbave të parë, ndodhi atentati i radhës. Rreth orës 09:55 të kësaj të diele, Artan Myrtaj, 44 vjeç, i njohur si “Tani i Rruzhdiut”, u ekzekutua në zonën e ish-agjencisë, në zemër të Sarandës.
Dy persona të maskuar me skafandra iu afruan me motor. Myrtaj sapo kishte pirë kafe dhe, kur kuptoi sulmin, tentoi të largohej me vrap. Autorët e ndoqën duke qëlluar dhe 44-vjeçari mbeti i vrarë në rrugë. Nga të shtënat u plagos edhe Xhevdet Skëndaj, një kalimtar i rastit.
Myrtaj ishte pikërisht një nga personat e proceduar për ngjarjen e 17 korrikut 2025. Ai sapo ishte liruar nga qelia dhe ishte nën masën “detyrim paraqitjeje”.
Atentati ndodhi në mes të Sarandës, në një zonë të populluar dhe disa dhjetëra metra nga Komisariati i Policisë. Por ndërkohë që Saranda përjeton këtë situatë terrori, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita shfaqet në Rinas për t’i bërë qokën ministrit të ri, si figurant në videon e radhës që duhet shpërndarë ne Facebook. Aktiviteti nuk kishte asnjë urgjencë. Hita e shoqëron ministrin Ervin Demo për një falënderim për efektivët që punojnë në Rinas.
Pas një zinxhiri kaq të gjatë ngjarjesh të rënda, drejtori i ri duhet të udhëtonte drejt Sarandës për t’i dhënë një shkundje vartësve të tij. Nën hundën e policisë, për 14 muaj me radhë po ndodh një gjueti e mirëfilltë ndaj njerëzve që po eleminohen një nga një dhe deri më tani policia ka dështuar të parandalojë atentatet. Nga 17 korriku i vitit të kaluar, Saranda po numëron plumbat, shpërthimet me tritol dhe viktimat, ndërsa mesazhi për qytetarët është se drejtori i policisë e paska mendjen të dëgjojë fjalime për turizmin dhe sigurinë e turistëve./Lapsi.al




