Ruhet me truproja, gazetari Trocchia: Kërcënimet pas librit për m@fien shqiptare. Pse hesht Rama për takimin në Aruba?
Në një intervistë direkte me emisionin ‘A Show’ me gazetarin Adi Krasta, gazetari i njohur investigativ italian i ‘Domani’, Nello Trocchia, ka rrëfyer detaje mbi kërcënimet që çuan në vendosjen e tij nën mbrojtje të rreptë (eskortë) nga autoritetet italiane.
Gazetari konfirmoi gjithashtu se mesazhe shqetësuese i kanë ardhur edhe nga nipi i një narkotrafikanti italian, i lidhur ngushtë me grupet kriminale shqiptare që operojnë në kryeqytetin italian.
Një nga pikat më të nxehta të bisedës ishte informacioni i Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA) italiane për një takim të ndodhur në ishullin Aruba në vitin 2019, midis një karteli kriminal dhe përfaqësuesve të qeverisë shqiptare.
Trocchia sqaroi se përpara se të publikonte këtë lajm në librin e tij, kishte tentuar disa herë të merrte një version zyrtar nga kryeministri shqiptar, por kishte hasur në heshtje totale.
INTERVISTA E PLOTË
Adi Krasta: Në linjë të drejtpërdrejtë me kolegun tonë, gazetarin investigues, Nelo Trokja, i cili duhet të jetë në lidhje me mua dhe ja ku është. Nelo është një kënaqësi që je me ne.
Nello Troçhia: Shumë faleminderit. Faleminderit dhe për ftesën.
Krasta: Pra, nuk është vetëm ndjeshmëria jonë gazetareske, por për ty, i dashur Nelo, kemi edhe një ndjenjë miqësie dhe, si të themi, edhe kuriozitet njerëzor. Pyetja ime e parë ka të bëjë me situatën e re që është krijuar, ku ndodhesh. Më thuaj nëse është e mundur, a mund të na tregosh çfarë ka ndryshuar, që agjencitë e rendit në Itali kanë vendosur të të shoqërojnë me eskortë.
Trochia: Absolutisht po, kështu është. Mirëmbrëma juve dhe të gjithë teleshikuesve. Që nga mëngjesi i së shtunës më është komunikuar ky vendim për të rritur nivelin tim të mbrojtjes. Unë prej më shumë se dy vitesh kisha tashmë një formë vëzhgimi pranë shtëpisë sime, periodike, me një frekuencë orare të ndryshme, por që nga mëngjesi i së shtunës kam eskortë.
Pra, mbrojtja ime është forcuar, në kuptimin që unë lëviz ekskluzivisht me makinën e shërbimit i shoqëruar nga agjentët e institucioneve, të cilët i falënderoj për këtë vendim, ashtu siç i kam falënderuar gjatë këtyre viteve për vendimet e marra në lidhje me sigurinë time.
Këto ndryshime, natyrisht, lidhen me vlerësime që janë bërë nga Komiteti për rendin dhe sigurinë publike, ku marrin pjesë të gjitha forcat hetimore të kryeqytetit, prefekti i kryeqytetit, dhe për atë që mund të them unë, është se kur më është treguar, ma kanë thënë 20 ditë më parë në gazetën time, por kam bërë edhe unë një denoncim, një informim të Karabinierëve, pra për faktin se kam marrë kërcënime nga mjedise kriminale të lidhura me grupe kriminale me të cilat jam marrë gjatë këtyre viteve dhe me të cilat do të merrem edhe në të ardhmen.
Pastaj ka edhe prova të tjera, në vëmendje të hetuesve, për hetime për të cilat unë nuk kam dijeni, natyrisht. Por në fund janë marrë të gjitha elementet dhe është vendosur të më jepet eskortë.
Krasta: Më kujtohet gazetari i Rai 2, nëse nuk gaboj Sigfrido Ranuçi, i cili ka bërë këtë shërbim mbi Shqipërinë, ishte sinqerisht i shqetësuar për mundësinë që mafia shqiptare, një mafie që vepron me degë dhe rregulla ndoshta të ndryshme, por edhe të ngjashme me ato të mafies italiane, megjithatë në një farë mënyre vihet në diskutim kjo tipologji e ndryshme, më agresive e mafies shqiptare, një mafie reale në një kuptim. Nuk e di nëse mund të supozojmë, të hamendësojmë në këtë rast, mundësinë që pas librit të rëndësishëm, në të cilin ti flisje për mafien shqiptare, disa kërcënime vijnë sinqerisht nga këto grupe shqiptare në Itali dhe jo vetëm. A mund ta konfirmojmë këtë lidhje apo nuk ka, në këtë rast, një lidhje të dukshme?
Trochia: Shiko, unë i përmbahem fakteve. Faktet thonë se disa muaj më parë, dhe besoj se edhe kjo është një vlerësim, sepse është një vendim i rezervuar që i komunikohet më pas personit, në rastin tim mua. Besoj se kanë vlerësuar edhe një letër anonime që ka mbërritur muajt e kaluar në Prokurorinë Antimafia të Romës, në të cilën flitej qartë për librin tim ‘Invincibili’ mbi mafien shqiptare dhe për një lloj nervozizmi të disa grupeve kriminale në Itali që i referohen kriminalitetit shqiptar në Shqipëri.
Kjo ka ndodhur. Çfarë ka ndodhur tjetër? Që mes kërcënimeve të qarta dhe mesazheve shqetësuese që më kanë ardhur, të hapura, ka një që ka ardhur nga nipi i një narkotrafikanti që për vite me radhë ka qenë i lidhur me kriminalitetin shqiptar, me atë lloj mafieje të Romës që është e lidhur me kriminalitetin shqiptar dhe me këta trafikantë italianë.
Dhe është e qartë që subjektet që më kanë dërguar mesazhe shqetësuese dhe kërcënuese i referohen grupeve kriminale shqiptare. Kjo është e sigurt. Vendimi përfundimtar, megjithatë, siç thashë më parë, merret nga autoritetet në një mbledhje që ka karakter të rezervuar, pra sekret, kështu që ndoshta lidhet edhe me shumë mjedise të tjera kriminale, por ka edhe rastin tim dhe nuk duhet neglizhuar fakti që aktualisht Roma, kryeqyteti i Italisë ku unë jetoj, është një qytet i përshkuar nga grupe kriminale ku ato shqiptare kanë një rol të rëndësishëm, dhe unë me këto merrem prej kohësh.
Krasta: Në vendet me demokraci hibride, siç është Shqipëria në këtë moment, disa lajme të rëndësishme shoqërohen në një farë mënyre edhe me mosbesim, me thashetheme vulgare, me hipoteza që më pas bëhen, si të thuash, komplekse pothuajse për të dobësuar forcën e versionit, të rrëfimit, të versionit real të faktit. Ti e di shumë mirë që përshkrimi yt që ke bërë për takimin në Aruba është shoqëruar në Shqipëri nga një narrativë qeveritare, nga histori që përpiqen të dobësojnë analizën e gazetarisë, të gazetarit investigativ, në këtë rast analizën tënde. Si mund të jemi didaktikë me këtë publik të telenovelave turke, në një farë kuptimi? A mund të themi, të konfirmojmë që gjëja është; një, e rëndësishme; dy, e rrezikshme; tre, tregon një Shqipëri të vështirë, agresive, mjaft kërcënuese në një farë kuptimi, me lidhje të forta, me pika të forta me botën e krimit ndërkombëtar, në këtë kuptim. Nelo, si mund të jemi ne, ti në këtë rast, bindës për të mbrojtur këtë dëshirë të madhe që ka njerëzit për të krijuar dy histori paralele, ku e vërteta shpesh bashkëjeton me versionin e rremë?
Trochia: Le të nisim nga një fakt, një fakt që është i pakontestueshëm. Në Itali ka një prokuror ndër ata me mw shumw pwrvojw dhe më kompetentët që quhet Nicola Gratteri, i cili prej vitesh lufton ‘Ndranghetën, mafien më të fuqishme të Italisë dhe që tani ndan tregun e drogës me grupet kriminale shqiptare.
Nicola Gratteri, unë e kam intervistuar në librin tim dhe i bëj një pyetje. Ky është një fakt. E pyes; në të kaluarën e afërt, kundërshtarë të qeverisë Rama, gazetarë, vëzhgues, e kanë quajtur Shqipërinë një narkoshtet, një model narkoshteti, natyrisht ndryshe nga ato që kemi njohur në vitet e kaluara. Sipas meje është një ekzagjerim. Nicola Gratteri, prokuror i Napolit, një nga figurat simbol të luftës kundër mafies në vendin tonë, është përgjigjur jo, nuk është ekzagjerim, përkundrazi.
Dhe ky është një fakt që nuk mund të kundërshtohet duke delegjitimuar, siç ndodh shpesh, edhe në ambientin italian dhe jo vetëm shqiptar, punën gazetareske. Ky është një fakt. Një fakt tjetër i pakontestueshëm është se në një informatë të Drejtorisë Hetimore Antimafia italiane, shkruhej se kishte ndodhur një takim mes një karteli kriminal në Aruba në vitin 2019 dhe disa përfaqësuesve të papërcaktuar, të paspecifikuar të qeverisë Rama.
Unë, para se të shkruaja një fjali, një element të tillë, që është një informatë policore e Drejtorisë Hetimore Antimafia, që është forca më e rëndësishme hetimore në vendin tonë, kam realizuar një hetim, për një takim mes një karteli kriminal në Aruba në 2019.
Unë, para se të shkruaj, përmes zëdhënësve, përmes numrit të tij personal, i jam drejtuar Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, kryeministrit, atij që drejton Shqipërinë, liderit, për ta pyetur nëse mund të konfirmonte praninë në vitin 2019 të subjekteve të lidhura me qeverinë shqiptare, sepse gazetaria ime është një gazetari që kur ka një akt zyrtar si ai që sapo përmenda, pra një informatë e Drejtorisë Hetimore Antimafia, bën gjithmonë një punë verifikimi, prove, pune gazetareske.
Në këtë rast, duke iu referuar qeverisë Rama, kryeministrit Rama, unë telefonoj kryeministrin Rama. Nëse ai vendos të mos përgjigjet, nuk është problem i imi, është problem i atij që ka vendosur të mos përgjigjet. Fakti që ai nuk ka dashur të përgjigjet në asnjë mënyrë, në asnjë nga mënyrat që unë i kam propozuar, nuk është problem i imi, është problem i atij që ka vendosur të mos përgjigjet.
Unë kam një fakt, unë raportoj informacionin e Drejtorisë Hetimore Antimafia, e raportoj fjalë për fjalë, e raportoj në librin tim. Dhe në të njëjtën kohë telefonoj ekzekutivin shqiptar, kërkoj të konfirmojë, të eksplorojë, të monitorojë nëse ka qenë kjo prani, sepse mund të ishte prania e një zëvendësministri, e një personi që ndoshta në mirëbesim po bënte një takim pune.
Mund të kishte shkuar në mirëbesim. Unë, për të kuptuar më shumë, bëj këto pyetje, sepse gazetarët duan të kuptojnë para së gjithash. Por nuk është se unë i censuroj lajmet. Unë kam dhënë një lajm, kam bërë gjithçka për të marrë edhe përgjigjen, versionin e qeverisë, por kjo përgjigje nuk më ka ardhur. Dhe unë lajmin e kam publikuar.
Krasta: Po të bëj një pyetje të fundit dhe pastaj të lë të lirë. Më kujtohet Saviano. Ai donte, e donte dhe e urrente faktin që prej shumë kohësh shoqërohet me një eskortë policore në jetën e tij të përditshme, një eskortë profesionale, pra e agjentëve për të mbrojtur jetën e tij. Por në këtë kuptim, dua të të pyes, ti sigurisht do të vazhdosh të bësh profesionin tënd, të punosh në profesionin tënd, pavarësisht rrethanave të reja që janë krijuar. Pyetja e parë. Pastaj, i shoqëruar nga një pikëpamje profesionale, dhe në fund, sipas teje, bazuar në analizën hetimore, informacionet që ke marrë deri tani, njohuritë e tua personale e kështu me radhë, a do të vijë apo mund të vijë një moment që e ashtuquajtura mafie shqiptare të marrë një formë edhe më kërcënuese, e lidhur me shtetin shqiptar të momentit dhe të rrisë pak forcën kundër ligjit, etj. Si e sheh ti këtë raport tëndin në të ardhmen me këtë problem të madh dhe të rëndësishëm mes dy vendeve tona mike?
Trochia: Le të nisim nga një fakt, sepse duhet të jemi të qartë. Unë i kam quajtur narkotrafikantët shqiptarë ‘të pathyeshëm’, jo vetëm sepse doja të jepja një titull libri, por sepse eksponenti më i rëndësishëm i kolonës romane, që quhet Arben Zogu, ndërsa ne po flasim, është i lirë. Është i lirë dhe është një nga eksponentët më të rëndësishëm të këtij bote kriminale. Subjekte të tjerë që unë i citoj në libër janë të lirë.
Po presim nga Dubai ekstradimin e Dorian Piku, ekstradimin e Altin Sinomatit, që në këtë moment janë ende atje dhe të subjekteve të tjera, ashtu si kolona romane e Zogut ka shumë subjekte të tjera të lira, janë të lirë në Romë, të lirë për të vepruar. Po flasim për një kolonë, për një nga kolonat për të cilat unë flas.
Dëshira për pushtet, për para, aftësia korruptive për të kontaminuar sektorë publikë, administrativë të kriminalitetit shqiptar, kjo aftësi është e jashtëzakonshme. Nuk ka prioritete të tjera për një qeveri, nuk ka prioritete të tjera përveç luftës së ashpër kundër mafies shqiptare, dhe këtë e kam kuptuar duke intervistuar një ish-magjistrat, Mandoi, i cili kritikon qeverinë shqiptare dhe thotë se ligji për konfiskimin nuk është i përshtatshëm për të luftuar nivelin e kriminalitetit që ka arritur në Shqipëri krimi.
Dhe siç më ka treguar një bashkëpunëtor drejtësie, që dikur ishte vrasës, ku nuk arrin pushka, ku nuk arrin kallashnikovi, arrijnë paratë. Aftësia e mafies shqiptare është të korruptojë si element qendror, sepse ka sasi të mëdha parash që vijnë nga narkotrafiku. Nuk ka prioritete të tjera, janë lojtarë ndërkombëtarë.
Nuk ka prioritet tjetër për një qeveri përveç luftës kundër mafies shqiptare dhe kundër nivelit shumë të lartë të korrupsionit që natyrisht i heq qytetarëve, i heq komunitetit dhe ia jep disa subjekteve të lidhura me krimin. Kjo është përgjigjja për pyetjen e dytë. Për të parën, unë do të vazhdoj të bëj profesionin tim.
Sigurisht, është e qartë që gjithçka bëhet më e komplikuar, është e pashmangshme, edhe vetëm në organizimin e jetës së përditshme. Unë gjithmonë kam thënë se ne jemi zgjedhjet që bëjmë, nuk jemi pasojat tona, por jemi zgjedhjet tona. Edhe pse ndonjëherë pasojat janë ndërhyrëse në jetën tonë të përditshme.
Unë do të vazhdoj të bëj gazetarin, kam nisur nga Campania, që është një tokë e madhe, dhe tani punoj për gjigantë që për mua janë simbole, si Giancarlo Siani. Ditët e fundit ishte përvjetori i 48-të i vrasjes së këtij gazetari intelektual nga mafia siciliane.
Unë mendoj se ne kemi detyrimin, ne që bëjmë këtë profesion, ta bëjmë sa më mirë të jetë e mundur dhe kur kemi lajmet, t’i japim, t’i rrëfejmë edhe hijet, kontradiktat, dhe të denoncojmë sistemet kriminale dhe të pushtetit.
Krasta: Nelo, të falënderoj shumë, të jam shumë mirënjohës që fole me mua. Faleminderit shumë këtë mbrëmje, faleminderit shumë.
Trochia: Faleminderit, dhe një përshëndetje e ngrohtë për të gjithë ju dhe një përqafim për Shqipërinë, një tokë që e dua shumë.




