Rritet huamarrja informale/ Biznesi thirrje qeverisë: Duhen marrë masa kundër oligopolit në tregun bankar

huamarrja informaleKonfindustria: Ritmi i shtimit të kreditimit të ekonomisë  për 3 mujorin e parë të vitit 2014 është në pikën e tij më të ulët historike. Shqipëria ndër vendet me normat më të larta të interesit

 Sikur të mos mjaftonte fakti që normat e interesit të kredive në Shqipëri janë më të larta se në çdo vend tjetër, biznesi tashmë, as nuk mund të marrë dot një hua në sistemim bankar. Në këtë formë, rritja e huamarrjes së bizneseve në mënyre informale është kthyer në një fenomen shqetësues për ekonominë. Ky tregues i cili vjen si pasojë e masave shtrënguese të bankave në drejtim të kreditimit, ka detyruar biznesin që të marrë hua tek njeri -tjetri në mënyrë informale. Konfindustria i bëri thirrje dje qeverisë shqiptare të nderhyjë në një kohë sa më të shpejtë për marrjen e masave të nevojshme për të luftuar dukurine e oligopolit në tregun bankar dhe financiar te vendit si shkaku kryesor i gjendjes së krijuar. Sipas Konfindustrisë e gjithë situatë kjo vjen si pasojë e drejtperdrejte e politikave shtrenguese kredidhenese ne vazhdimesi te bankave te nivelit te dyte ne vend. “Shqipëria radhitet ndër vendet me normat më të larta të interesave të kredive dhe kushtet më të ashpra të kreditimit në rajonin e Europës Juglindore pa përmendur vendet e BE-së. Industria dhe prodhimi në përgjithësi janë pjesa më e prekur e ekonomisë kombëtare nga politikat shtrënguese të kreditimit nga sistemi bankar. Tregues i drejtperdrejtë i gjendjes së mësiperme është ritmi i shtimit të kreditimit të ekonomisë që për 3 mujorin e parë të vitit 2014 është në pikën e tij më të ulët historike edhe kundrejt vitit të vështire 2013 si dhe importet në vazhdimësi të ulëta për makineri dhe pajisje”, tha Kreu i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku

 

Reagimi

Sipas kreut të Konfindustrisë pasojë e drejtëpërdrejtë e këtyre politikave të kreditimit nga sistemi bankar shqiptar është ulja e fuqisë konkurruese të prodhimeve dhe shërbimeve shqiptare krahasimisht atyre të huaja. Më tej, Buxhuku theksoi se në kushtet e paaftësisë së sistemit bankar shqiptar për të siguruar kreditim të sektorit privat në kushte konkurruese me vendet e tjera bizneset janë të detyruara ti drejtohen gjithnjë e më shumë tregut informal për të siguruar likuiditetin e domosdoshëm për vazhdimin e punës. “Konfindustria i kërkon qeverisë shqiptare të ndërhyjë në një kohë sa më të shpejtë për marrjen e masave të nevojshme për të luftuar dukurinë e oligopolit në tregun bankar dhe financiar të vendit si shkaku kryesor i gjendjes së pakënaqshme të mesiperme”, pohoi Buxhuku. Zgjerimi i dukurise së huammarrjes informale nga bizneset dhe qytetaret përbën një rrezik serioz për ekonominë kombëtare.

 

Koncesionarët e makinave kërkojnë formalizimin e tregut

Industria e shitjes së makinave ka nisur të shkurtojë vende pune për shkak të krizës financiare. Për këtë shkaqet kryesore janë dy sipas ekspertëve, rënia e fuqisë blerëse si dhe politikat e gabuara fiskale. Viti 2013 konsiderohet si më negativi në tregun e automjeteve, ku duke ju referuar të dhënave nga koncesionarët numri i makinave të reja të shituara një vit më parë, arrin në 1420. Ndërsa numri i makinave të përdorura arrin në 44 mijë. Kjo do të thotë se markat me më pak treg janë drejt falimentimit. Aktualisht, tregu formal i automjeteve ka shënuar rënie nga viti në vit, ndërsa ai informal po rritet çdo vit. Ndaj kërkesa kryesore e koncesionarëve drejtuar qeverisë është formalzimi i tregut.

 

Ekonomia në Kosovë/ Për 5 muaj mbyllen 652 biznese

Shuarja e bizneseve në Kosovë ka vazhduar edhe gjatë pesë muajve të parë të këtij viti.  Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë për Regjistrimin Bizneseve, Gazmend Mejzini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, bën të ditur se vetëm brenda pesë muajve, 652 kompani të ndryshme në Kosovë kanë shuar biznesin e tyre.  “Numri total i bizneseve, të cilat kanë aplikuar për shuarje vullnetare në kuadër të agjencisë për regjistrimin e bizneseve nga janari deri më tani është 652. Ky numër është i njëjtë me periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar dhe nuk mund të thuhet se është tendencë në rritje e shuarjes së bizneseve”, bëri të ditur Mejzini. Arsyet e shuarjes së bizneseve nuk bëhen të ditura nga Mejzini, por përfaqësues të këtyre bizneseve thonë se kjo shuarje po ndodh për shkak ambientit të pafavorshëm biznesor. Mungesa e qasjes në kapital, politikat e pafavorshme fiskale, ekonomia joligjore janë disa nga arsyet e shuarjes së bizneseve tha për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka. “Në Kosovë ambienti i të bërit biznes nuk është i favorshëm, sidomos për atë ndërmarrje që janë mikro. Duke u nisur nga faktorë të përgjithshëm ndoshta është mungesa e lehtësirave fiskale, qasja në financa që është shumë e vështirë për këtë kategori të bizneseve, normat tatimore që në dy vitet e fundit janë përkeqësuar, sidomos për kategorinë e bizneseve të shërbimeve, ku kemi pasur një rritje tatimore prej 5 deri në 9 për qind”, thekson Zeka. Shuarja e bizneseve duhet të jetë sinjal alarmues për institucionet kosovare, në mënyrë që të ndërmarrin hapa konkretë për ta përkrahur sektorin privat. Me shuarjen e bizneseve, po shuhen shumë vende të punës, çka rrjedhimisht ndikon edhe në rritjen e shkallës së papunësisë në vend. Papunësia në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 30.9 për qind. Numri i përgjithshëm i bizneseve që figurojnë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është mbi 130 mijë. Prej tyre 99.1 për qind u takojnë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Një arsye tjetër e shuarjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, shton drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, është edhe fakti se një pjesë e madhe e tyre hapin biznese pa pasur një plan të mirëfilltë biznesi dhe pa analizuar se cili sektor është më profitabil për ta. “Përgjithësisht po e fajësojmë ambientin e biznesit për fajin e falimentimit të bizneseve, por në shumë raste edhe vetë kompanitë hyjnë në sektorin privat të papërgatitura”, vlerëson Zeka. Raporti i fundit i Bankës Botërore “Të bërit Biznes”, kishte vlerësuar se Kosova ka shënuar të arritura, në krijimin e një klime të favorshme për bizneset. Ky raport e kishte radhitur Kosovën në vendin e 86-të, duke shënuar përparim për 10 pozita krahasuar me vitin e 2012.

 

 

 

 

 

Share it :