Rrëzohet ” perandoria” e Rezart Taçit/ Shitet dhe kompania tjetër e naftës

Ervin Kaduku

Rezart Taçi–  Shitet edhe kompania tjetër e naftës IT OIL, që zëvendësoi Taçi Oil-in e dikurshëm, duke kaluar aktivitetin në duar të nipit të biznesmenit

Perandorisë së dikurshme të Rezart Taçit po i bien një e nga një të gjitha “tullat”. Shoqëria I.S.C. Petroleum Company (emri tregtar IT OIL International), që tregton karburante me shumicë, është shitur kohët e fundit tek një tjetër operator. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, transaksioni është kryer në mes të majit dhe blerësi është E.B.C. OIL Company, një kompani e krijuar në vitin 2011 dhe në pronësi 100% të Elton Balliut.

IT Oil International është krijuar në vitin 2011, sipas ekstraktit të QKR-së, në pronësi 100% të Irgen Selfos – nipi i Rezart Taçit – dhe mori në 2013-n aktivitetin e Taçi Oil International, pasi aksionerët e kësaj të fundit, në një marrëveshjeje shitjeje të kompanisë tjetër në pronësi të tyre, A.R.M.O, në gusht 2013, u ndaluan të merreshin me aktivitetin e tregtimit të karburanteve.

Siipas bilancit të publikuar nga I.S.C. Petroleum Company, xhiroja e saj ishte 14 milionë euro në vitin 2013, me një disafishim të aktivitetit, në krahasim me gati 1 milionë euro që ishte qarkullimi i saj vjetor në 2012, para se të merrte rrjetin e shitjes së Taçi Oil. Kompania sipas burimeve të saj zyrtare kishte 132 pika shitjeje, me rrjetin më të madh të tregtimit të pakicës në vend.

I.S.C. Petroleum Company ishte hasur me problem vitin e fundit dhe pjesa më e madhe e pikave të saj të tregtimit (që administrohen nga Kuarta shpk, kompania e tregtimit me pakicë në pronësi gjithnjë të njeriut të familjes së Taçit, Irgen Selfo) i kanë kaluar tashme Gega Oil. Kuarta ka hequr në QKR adresat për një numër të madh pikash tregtimi me pakicë muajt e fundit.

Kompania kishte problem dhe me tatimorët, që i kishin bllokuar aktivitetin, por në 1 maj është dorëzuar në QKR shkresa nga Drejtoria Rajonale Tatimore Tatimpaguesit e Mëdhenj për lirimin nga barra siguruese mbi titujt e pronësisë të shoqërisë “I.S.C PETROLEUM COMPANY”, me NUIS (NIPT) L11328006E, pasi subjekti ka lidhur marrëveshje për pagesë me këste për detyrimet tatimore.

Blerësi E.B.C. OIL Company kishte një qarkullim vjetor prej rreth 440 mijë euro në 2013, sipas bilancit të saj.

Deri në fund të vitit 2012, kur ofroi 850 milionë euro për blerjen e kompanisë shtetërore të naftës, Albpetrol, Rezart Taçi konsiderohej si një ndër manjatët më të mëdhenj të naftës në vend, me plane të mëdha për të mbyllur ciklin nga prodhimi i naftës e deri te tregtimi me pakicë i saj. Në vitin 2012, përmes kompanive të tij, Taçi Oil, Kuid dhe ARMO, Rezart Taçi realizoi një xhiro vjetore prej rreth 50 miliardë lekësh. Krahas biznesit të naftës, Taçi Group, vitet e fundit, ishte zgjeruar dhe në media, përmes blerjes së televizionit Alsat, që e shndërroi në Albanian Screen, dhe në arsim, përmes shkollës private Nobel.

Por, 2013-a solli një kthesë të menjëhershme në aktivitetin e grupit. Grupi u tërhoq nga blerja e Albpetrol në fillim të 2013-s, pasi nuk arriti të derdhë në shtet shumën e ofruar. Në gusht 2013, kuotat kryesore të një prej sipërmarrjeve të tij, ARMO, iu shitën kompanisë azere Heaney Assets Corporation (shiko shkrimin në vijim për ARMO-n). Sipas kontratës së shitblerjes së ARMO-s, u ra dakord midis dy palëve që “për një periudhë 5 (pesë) vjeçare, duke nisur nga data e kësaj kontrate, as Anika (e motra e Rezartit) e as Rezarti nuk duhet të marrin pjesë, drejtpërdrejt a tërthorazi, apo të kenë interes financiar apo tjetër, në ndonjë person juridik që merret me rafinimin, shitjen ose shpërndarjen e naftës, gazit apo çdo produkti a shërbimi energjetik në Shqipëri”. Burime të pakonfirmuara thanë se ARMO iu shit azerëve për 150 milionë euro, por me zbritjen e borxheve, mbeten cash vetëm 30 milionë euro.

Kjo solli rënie të menjëhershme të aktivitetit të Taçi Oil, sipërmarrja kryesore e grupit. Sipas të dhënave të bilancit të kompanisë, xhiro e saj u tkurr me 72% në vitin 2013, nga 32.8 miliardë lekë, në 9.1 miliardë lekë.

 

Bankers Petroleum drejt pezullimit të aktivitetit

Inspektorati Qendror i Mjedisit është duke mbledhur të dhëna në terren për veprimtarinë e kompanisë “Bankers Petroleum”. Burime konfidenciale nga ky institucion bëjnë të ditur se shqyrtimi i dosjes voluminoze për sa i përket shpërthimeve të ndodhura më datë 1 Prill të këtij viti do të përfundojë brenda datës 6 korrik. Katër ditë më pas, pra më 10 korrik, Inspektorati Qendror i Mjedisit do të marrë vendim për penalizimin apo jo të kompanisë dhe lejimin e këtij subjekti privat për ushtrimin e aktivitetit të nxjerrjes së naftës në këtë zonë.

Duhet të përmendim se po ky institucion ka marrë masa penalizuese ndaj kompanisë “Bankers” nëpërmjet vendosjes së gjobës dhe heqjes së lejes të zhvillimit të aktivitetit më datë 27 shkurt. Arsyeja ka qenë mungesa e zbatimit të një plani për menaxhimin e mbetjes dhe marrjes së masave për mbrojtjen nga aksidentet. Mendohet se është pikërisht neglizhenca nga ana e kompanisë në ndërmarrjen e këtyre masave edhe shkaku kryesor i shkaktimit të shpërthimeve, duke dëmtuar seriozisht 60 familjet në Marinzë.

Kompania “Bankers Petroleum” është subjekti më i madh privat që shfrytëzon burimet naftëmbajtëse në vend. Kompania ka në pronësi pjesën më të madhe të puseve të naftës në fushën e Patos-Marinzës dhe Kuçovës. Në fillim të këtij viti, kjo kompani bëri me dije shkurtimin e planit të investimeve në vend si pasojë e rënies së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, si edh

 

Konkurrenca ofron amnisti për ata që spiunojnë kartelet

Autoriteti i Konkurrencës ka hedhur për diskutim publik një program të lehtësimit nga gjobat për marrëveshjet e ndaluara, të ashtuquajtura Kartel, të cilat konsiderohen si shkeljet më të rënda të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”. Marrëveshjet e fshehta (Kartel) janë të vështira për t’u zbuluar dhe për t’u hetuar pa bashkëpunimin e njërit prej pjesëmarrësve në kartel, për vetë natyrën e fshehtë të tyre. Për këtë arsye një numër i konsiderueshëm Autoritetesh kanë aplikuar programet e lehtësimit nga gjobat për të zbuluar këto sjellje anti-konkurruese.

Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës vëren se është në interes të konsumatorit shqiptar që të lehtësojë nga gjoba, një pjesëmarrës në një marrëveshje të ndaluar kartel, i cili dëshiron t’i japë fund sjelljes anti-konkurruese dhe të bashkëpunojë plotësisht me Autoritetin e Konkurrencës për zbulimin e të gjithë pjesëmarrësve në marrëveshjen e ndaluar kartel.

Qëllimi i Autoritetit të Konkurrencës për zbulimin dhe ndëshkimin e kartelit, e kalon interesin për ndëshkimin e një ndërmarrjeje ose individi, i cili bëri të mundur identifikimin dhe dënimin e të gjithë kartelit, për vetë faktin se marrëveshjet e ndaluara/kartel janë shkelje serioze të ligjit të konkurrencës. Ato dëmtojnë konsumatorët nëpërmjet politikave të tyre. Në terma afatgjata, ato çojnë në humbje të konkurrueshmërisë dhe zvogëlojnë numrin e mundësive për punësim. Ndërmarrjet e përfshira në këto lloje aktivitetesh, të cilat kanë vullnetin për të mos qenë më pjesë e këtyre marrëveshjeve dhe që informojnë Autoritetin për ekzistencën e aktiviteteve të tilla përftojnë pikërisht nëpërmjet këtij programi të lehtësimit nga gjoba, i cili bazohet në dispozitat ligjore.

Autoriteti, parë në këndvështrimin e ligjit, konsideron se janë në interesin publik që të garantojnë trajtim të favorshëm për ndërmarrjet të cilat bashkëpunojnë me të. Qëllimi i programit të lehtësimit nuk është vetëm të asistojnë Autoritetin në përpjekjet e tyre për të luftuar dhe ndaluar marrëveshjet e ndaluara dhe ti dënojnë pjesëmarrësit në to, por gjithashtu është edhe shpërblimi që përftojnë ndërmarrjet si pasojë e bashkëpunimit me Autoritetin.

“Lehtësimi” nënkupton imunitetin por edhe reduktimin nga çdo gjobë që do të vendosej për një pjesëmarrës në një marrëveshje të ndaluar, në shkëmbim të zbulimit vullnetar të informacionit për sa i përket kartelit, para ose përgjatë fazës hetimore të një rasti.

Kur një shkelje e ligjit përfshin aktivitetet e Kartelit, gjobat mund të arrijnë deri në 10% të xhiros vjetore të një ndërmarrjeje. Me anë të programit të lehtësimit, anëtarët e Kartelit mund t’i pakësojnë pjesërisht gjobat e tyre financiare ose t’i shmangin ato tërësisht.

Programi zbatohet ndaj ndërmarrjeve që veprojnë në treg dhe që janë pjesë e marrëveshjeve të ndaluara. Me qëllim që të sigurohet se programi i lehtësimit punon me efektivitet, është megjithatë e rëndësishme të mbrohet sa më tepër të jetë e mundur nëpunësit dhe drejtorët e ndërmarrjes duke aplikuar imunitet dhe mbrojtje nga sanksionet individuale.

 

Karteli

Karteli është një marrëveshje ndërmjet konkurrenteve, në radhë të parë e drejtuar në fiksimin e çmimit, ndarjen e klientëve dhe tregut si dhe kufizimit të prodhimit. Kartelet dëmtojnë rëndë konsumatoret duke rritur çmimet dhe duke kufizuar furnizimet, ato i bëjnë produktet dhe shërbimet te pamundura për disa konsumator dhe të shtrenjta për të tjerë.

OECD, ka dale ne përfundimin se çmimet në një industri të kartelizuar janë 10-20% më të larta se sa në rastin kur nuk ka kartel. Ne vitet e fundit, një numër i madh Autoritetesh kanë rritur përpjekjet për të zbuluar dhe vendosur gjoba te rënda administrative për shkeljet e ligjit lidhur me marrëveshjet kartel

 

 

Banka Botërore ofron garanci kundër riskut politik në Shqipëri

Agjencia Shumëpalëshe e Garantimit të Investimeve (MIGA), institucion i Grupit të Bankës Botërore që merret me sigurimin kundër riskut politik dhe rritjen e kreditimit, ka njoftuar se do të ofrojë dorëzani në mbështetje të huadhënies së vazhdueshme për ekonominë reale në Shqipëri, Kosovë, Serbi, Bjellorusi dhe Bosnjë-Hercegovinë. MIGA do t’i japë dorëzani prej 457 milionë euro RBI-së, grupit të dytë më të madh financiar që ushtron aktivitet në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Mbulimi nga MIGA do ta zvogëlojë riskun e operacioneve të RBI-së në këto vende, duke i dhënë mundësi kësaj banke të vazhdojë të japë kredi në to, duke nxitur kështu rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe uljen e varfërisë.

Pritet gjithashtu që ky kapacitet shtesë të ndihmojë në përmirësimin e qëndrueshmërisë së përgjithshme kohore të klientëve biznes i madh dhe projekteve të investimeve të filialeve të kësaj banke.

Keiko Honda, drejtor i përgjithshëm dhe zv.president ekzekutiv i MIGA-s shprehu angazhimin për t’i mbështetur ekonomitë që janë prekur nga kriza financiare ndërkombëtare. “Në veçanti, mbështetja jonë për sektorin financiar në këto vende mund të ndihmojë në thellimin e tregjeve të kredive, nga e cila do të përfitojnë si bizneset, ashtu edhe konsumatorët”, ka shtuar ai.

Mbështetja që MIGA jep mbështetet tek roli i rëndësishëm që kjo agjenci ka luajtur për të mbështetur Planin e Përbashkët të Veprimit të IFN-ve, vënë në zbatim nga Grupi i Bankës Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve, në përgjigje të krizës financiare botërore.

Deri tani, MIGA ka lëvruar 1.9 miliardë dollarë dorëzani në kuadër të nismës në mbështetje të ekonomive të Europës Lindore.

 

Rrëshqasin më tej Doganat, të ardhurat në rënie të lirë

Performanca e grumbullimit të të ardhurave buxhetore nga Tatimet dhe Doganat është rënduar se tepërmi këtë vit, ku për herë të parë pas krizës së vitit 2008 realizimet faktike të vitit janë shumë larg planit dhe në shumë raste me rënie në krahasim me vitin paraardhës. Të ardhurat nga Tatimet e Doganat ishin 98.4 miliardë lekë gjatë janar –mars 2015, pothuajse e njëjta vlerë si janar-maj 2014 dhe 11 miliardë lekë më pak sesa financat parashikonin të mblidhnin në fillim të vitit.

Nga të dhënat e detajuara të Ministrisë së Financave mësohet se gropa është krijuar nga Doganat të cilat kanë grumbulluar 28 milionë euro më pak se në vitin 2014 me rënie 6.5%. Nga të dhënat mësohet se rënia më e madhe ka ndodhur nga renta dhe TVSH-ja. Në krahasim me vitin 2014 u grumbulluan rreth 2 miliardë lekë më pak nga renta dhe sipas sqarimeve të mëparshme të Ministrisë së Financave kjo po ndodh nga rënia e eksporteve të naftës për shkak të çmimeve të ulëta në tregun ndërkombëtar. Çmimet e ulta të naftës kanë nisur në verën e vitit që shoi dhe parashikimet e hershme flisnin për një çmim, jo më të lartë se 60 dollarë këtë vit, por duket se, parashikimet kanë qenë më optimiste se realiteti. Gjithashtu rënie të theksuar kanë pësuar edhe të ardhurat nga TVSH-ja me 2.9 miliardë lekë me rënie 7.6 për qind në krahasim me një vit më parë. Ndërkohë që të ardhurat nga akciza u rriten me 11.2%, por kundrejt planit ka një rënie prej 4.4 miliardë lekë ose 24% më pak se plani. Kjo situatë është konfirmuar edhe nga vetë Drejtoresha e Doganave, Irena Beqiraj e cila në një email dërguar funksionarëve më të lartë të financave dhe doganave lajmëron se, plani i doganave është në rënie të lirë, duke rekomanduar edhe disa hapa që mund të merr për miradministrimin.

 

KE jep detyra

Gjatë raportit të fundit të Komisionit Europian për reformat ekonomike të vendeve kandidate të Bashkimit Evropian, mes të cilëve Shqipëria, duket se përveç një panorame të përgjithshme të situatës së vendit tonë dhe rezultateve paraprake të këtyre reformave, KE jep edhe disa “detyra” në vijim e punës së këtyre reformave, në pikëpamje të gjerë.

Këto pika kryesore, thuhet në raport, janë dhënë edhe në kuadër të konkluzioneve të dialogut ekonomik dhe financiar të deritanishëm të EU me Ballkanin Perëndimor. Konkretisht, Shqipëria, sipas KE, duhet të ndjekë këto hapa:

– Konsolidimi fiskal duhet arritur në linjë me objektivat e vendosura për uljen e normës së borxhit publik më të ulët se më pak se 66% e PBB-së në 2017. Në të njëjtën kohë, të ruajë hapësirë fiskale për rritje dhe zhvillim të investimeve publike, duke siguruar se performanca e të ardhurave të vijojë sipas planifikimit, duke lejuar që shpenzimet kapitale fillestare të ekzekutohen sipas buxhetit.

– Të ketë progres më tej duke eliminuar risqet e larta fiskale, të shtyra nga sektori i energjisë, duke reduktuar humbjet e shpërndarjes në një normë mesatare prej 5% në vitet e ardhshme, e duke siguruar mbledhjen e faturave. Vlerësimi i impaktit fiskal në skemën e kompensimit të pasurisë dhe rregullimi i kostove në buxhetin afat mesëm, nqs nevojitet duke rregulluar parametrat e skemës, me qëllimin për të krijuar një kornizë reale, transparente dhe të përshtatshme kompensimi.

– Të ristrukturohet korniza e menaxhimit të buxhetit duke implementuar strategjinë e menaxhimit të financave publike, e rënë dakord me Komisionin Europian dhe e adoptuar që në dhjetor të vitit 2014, sidomos në adoptimin e rregullave fiskale kredibël, të cilat do të mund të sigurojnë efektivisht produktivitetin e financave publike, në terma afatgjatë, e duke shtrënguar parashikimin e buxhetit.

– Të merren masa të tjera, për të adresuar problemin e kredive me probleme, duke përshirë të gjithë aktorët, edhe Bankës e Shqipërisë nqs është e nevojshme, me synimin për të arritur një reduktim të konsiderueshëm të nivelit të tyre. Në këtë kontekst, duke adresuar masat të lidhura me detyrimet juridike dhe ekzekutimet e kolateralit, mund të rezultojë ndihmuese.

Share it :