Arbër Alia
Rinia dhe politika në parim duhet të jenë shumë të ndërthurura me njëra-tjetrën, por në vendin tonë rinia megjithëse përbën pjesën më vitale të popullsisë vazhdon ta vuaj përfaqësimin real në vendimmarrje. Sot më shumë se kurrë flitet për emra kandidatësh për premtime pafund, por asnjëherë për një kuotë për të rinjtë, për tu përfaqësuar edhe ata realisht në strukturat e pushtetit vendor,apo në këshillat bashkiak. Tashmë Shqipëria ka një reformë të re territoriale, por ende qytetarët e aq më pak kandidatët nuk kanë kuptuar qartazi njësitë e reja gjeografike apo përbërjen demografike të këtyre njësive të reja dhe mënyrën se si do të funksionojnë. Tek ky proces rinia duhet të ishte një promotor i informuar dhe informimi për publikun mbi pasojat dhe risitë e kësaj reformë.
Duke qenë një vend i vogël, por me halle e çështje të mëdha të pa menaxhueshme, pa një frymë të re në politikë do të ishte e udhës legjitimiteti që të rinjtë të kenë kuotat e tyre në përfaqësimin vendor, çka normalisht përkthehet në një të drejtë për tu zgjedhur. Zgjedhja e të rinjve si kandidatë bashkie dhe anë tarë në këshilla do të sillte frytet e veta në rezultatet e qeverisjes vendore, për pak kohë. Sepse pjesë marrja e të rinjve në administrata lokale dhe qendrore është çështje mendësie, është çështje energjie që i mundon qeverisjes dhe pushteteve në Shqipëri gjatë këtij çerekshekulli. Shqipëria është një nga vendet me përqindjen më të lartë të të rinjve në raport popullsie. Nga një studim i fundit i kryer në Shqipëri dhe rajon, grupmoshat e votuesve ndahen, nën moshën 34 vjeç janë 63% e votuesve dhe mbi moshën 34 vjeç 37% e votuesve. Në vendin tonë pjesëmarrja e zgjedhësve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 rezulton të jetë në kuotat 49% dhe të vitit 2009 54%, çka tregon se afërsisht gjysma e popullatës se vendit nuk marrin pjesë në votime.
Studimet e bëra për pjesëmarrjen në votime kanë treguar se grupmosha që nuk merr pjesë në votime përbëhet kryesisht nga të rinjtë (nën moshën 34 vjeç). Por pavarësisht nga këto, te rinjtë ende nuk janë pjesë e konsiderueshme e vendimmarrjes, përdoren dhe shpërfillen vazhdimisht nga partitë politike, mbushin sallat me ftesa boshe të partive te cilat sigurisht si pasojë nuk i forcojnë forumet respektive të të rinjve ne parti. Te gjithë jemi dëshmitar kur shpesh parti politike afrojnë të rinjtë duke I shfrytëzuar, keqpërdorur gjatë fushatave zgjedhore, duke shërbyer si fasadë, duke mbushur sallat, duke mbajtur flamujt apo duke recituar një mesazh për të rinjtë me qëllimin e vetëm për ti bindur ata. Në rastin më të mirë të kësaj strategjie ka të rinj që përveç auditorëve janë edhe përfaqësues në parlament ku duket qartë një ”model” për ti bërë të rinjtë të besojnë tek mundësitë. Por kur shikojmë realisht politikat që ka prodhuar sistemi për të rinjtë kuptojmë vetëm që asgjë nuk është bërë. Parimi për të votuar (të keqen më të vogël) lënia mbas dore e të rinjve nga politikanët, zhgënjimi I tyre nga politika, paqëndrueshmëria politike, si dhe ngjarje të ndryshme kanë bërë që të rinjtë të humbasin besimin te politikanët shqiptarë, por dhe tek politika në përgjithësi. Të rinjë që sapo përfundojnë studimet dhe diplomohen përfundojnë në punë të cilat nuk kërkojnë arsim të lartë dhe ndërkohë një marketing kombëtar drejt zanateve dhe arsimit profesional të cilat sigurisht i duhen një vendi, por kjo nuk është një zgjidhje për tju thënë të rinjve harrojini fakultetet dhe përqafoni zanatin.
Të rinj që enden rrugëve me shpresën se një ditë do munden të vënë në shërbim profesionin dhe aftësitë e tyre. Të rinj që shpëtimin e tyre nga kjo situatë shikojnë emigrimin jashtë vendit, ashtu siç po ndodh këto ditë. Duke krijuar një precedent tepër të rrezikshëm për vendin, nëse të rinjtë mendojnë se e vetmja mundësi për një jetë më të mirë është emigrimi, dhe janë të dorëzuar, të pa shpresë se ky vend do të ndryshoj duke pasur kushte më të mira jetese, liri, demokraci funksionale, shanse të barabarta, ku drejtësia të funksionoj në çdo pjesë të saj. Nëse dhe rinia dorëzohet dhe humbë besimin, atëherë më thoni kush është e ardhmja e këtij vendi? Po e tashmja? Për këto arsye dhe shumë arsye të tjera, shumë të rinj prej vitesh qëndrojnë larg kutisë së votimit. Duke qenë në këto kushte ku shoqëria në përgjithësi vazhdon të zhgënjehet nga politikat e qeverive, si pasojë do të ulet pjesëmarrja në votime dhe për një kohë të shkurtër shoqëria jonë do të qeveriset nga zgjedhja e pakicës, duke dëmtuar rëndë sistemin e demokracisë në vend. Hartimi i një baze ligjore që përcakton kuotat për të rinjtë, detyrimet përkatëse për pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje, ashtu siç ishte para një muaji dhe miratimi I ligjit për përfaqësimin e gruas në këshillat bashkiak (një nismë kjo për tu vlerësuar sa I përket kuotave gjinore). Duke hartuar politika të qarta dhe funksionale nga ana e qeverisë për të rritur përfshirjen e të rinjve në jetën publike dhe vendimmarrje, funksionimi I mirë I strukturave përfaqësuese rinore. Ndërtimi dhe zhvillimi I kapaciteteve rinore, forcimi dhe menaxhimi I të rinjve nga instancat përkatëse, në mënyrë që të kemi të rinj të aftë për të sjell një frymë të re në shoqëri, kreativitet, për të pasur një rini të shëndoshë dhe pa vese, të rinj që të sigurojnë të ardhmen e tyre, duke eliminuar kështu dhe një qasje shqetësuese kur të rinj, pjesë e partive politike mundohen të kopjojnë në mënyrën më të keqe të mundshme kryetarët e partive apo politikan të caktuar dhe për pasojë duke penguar të qenit vetvetja.
Nxitja nga ana e organeve të shtetit, mbështetja, kontrolli I vazhdueshëm për të pasur OJF reale, në veçanti OJF-rinore në mënyrë që kauzat dhe problemet e rëndësishme që shqetësojnë shoqërinë t’i ngrejnë dhe t’i çojnë deri në fund, dhe jo siç jemi mësuar të shikojmë, të ashtuquajtura OJF që me kalimin e kohës kthehen në parti politike, apo më keq akoma kur paguhen nga njëra palë për të goditur palën tjetër. Pra politizimi i OJF-ve do të humbte dhe kauzat kryesore që duhet të ketë në vetvete një OJF. Për këto probleme reale dhe shqetësuese që prekin të rinjtë, pjesën më vitale të shoqërisë, për këtë grupmoshë që zë gati gjysma e votuesve në vend. Dhe përmes shumë nismave të tjera që duhen marrë do të bënte të mundur që të rinjtë ta ndjejnë veten së pari përfaqësues të këtij vendi dhe pjesë e vendimmarrjes, dhe si pasojë e këtyre nismave do të sillte një demokraci reale, funksionale dhe gjithëpërfshirëse.




