“Rilindje” e munguar, a po shkon e majta drejt funeralit?

Susoooo de ToroNga Suso de Toro*

Nëse e majta europiane dëshironte të kryente me të vërtetë një “Rilindje”, ajo duhej të mbështetej fuqimisht tek tradita e hershme evropiane e Humanizmit, por duke u lënë shteg të lirë të gjitha prurjeve të reja të humanizmit bashkëkohor, që lindin e shumohen natyrshëm në këtë botë të hapur që jetojmë sot.

* * *

Rezultatet e dobëta të shënuara në zgjedhje evropiane ngrenë mjaft pikëpyetje mbi situatën e turbullt që po përjeton e majta në vetvete, pikëpyetje të cilat janë thelbësore e shqetësuese për vetë natyrën e majtizimit si ideologji politike. Ndodh krejt e kundërta me të djathtën, e cila edhe kur humb apo fiton zgjedhjet, asnjëherë nuk vihet në pikëpyetje e tashmja apo e ardhmja e saj. Çka bën të mundur të rrijë e qetë si e të ndihet tejet e sigurt në të tashmen dhe të ardhmen e saj. Ngjan kështu, pasi e djathta mbart në vetvete diçka thelbësore, e ngaqë ajo është një ‘shprehje e realitetit’. E djathta i përket ‘njerëzve normale’, të zakonshëm, herë-herës edhe ‘apolitikë’ që besojnë tek “E drejta Natyrore”. E djathta mbështetet në metafizikë, e majta druaj se është më shumë një rrethanë historike.

Jam i mendimit që kësaj radhe ndihemi mjaft të motivuar për të shtruar pyetjen e ekzistencialiste të vetë të majtës. Po marr një shembull konkret: Sekretari i Përgithshëm i Partisë Socialiste spanjolle e pranoi publikisht që “e majta humbi në zgjedhje, për shkak se vetë ajo nuk doli në pah, nuk ishte e pranishme”. Në këtë rast natyrshëm që lind pyetja. Po ku ishte, vallë? A mos ishte duke gjezdisur për shtatë palë qejfe? Për më tepër, deri më tash nuk po na e zënë sytë, t’ia ndiejmë zërin që më pas të belbëzojë “ja ku jam, u ktheva”. Apo mos vallë ne nuk dimë gjë se ajo është duke përgatitur solemnisht procesionin e funeralit të saj? Thua të ketë ndërruar jetë?

Kohë më parë, kam shkruar këtu(në këtë gazetë) se ‘vdekja’ e komunizmit bëri të mundur që të gjitha shigjetat të drejtoheshin më pas njëhershëm ndaj kapitalizmit klasik, i cili nga ana e tij, për shkak të antagonizmit me të kundërtin e tij, duket sikur humbi terren veprimi. Veçse ai menjëherë ndryshoi formë, u përshtat, u shndërrua në tjetërçka. Nga ana e saj, e majta duket si një e vdekur e pakallur. A mos vallë kemi mbërritur në stad tjetër dialektik ku e majta dhe e djathta e humbasin kuptimin e tyre klasik dhe bëhen më pak anatagoniste me njera-tjetrën? Në fund të fundit, ne gjendemi të përfshirë në vorbullën e një krize që po shndërron tejësisht ekonominë botërore, e çka është më e rëndësishmja, vetë jetët tona.

E shkuara gjendet brenda nesh, por shekulli XX u mbyll “çelës e dryn” me Gorbaçovin, e bashkë me të edhe programet politike që lindën në kontinent përgjatë shekujve XVIII dhe XIX. Periudha e globalizmit, duke qënë një vijimësi e së shkuarës, përbën në vetvetë një periudhë të civilizimit tonë. Cili prej nesh ishte ai që e çonte nëpër mend se dikush mund të hidhte dritë në të ardhmen, e të shprehej me nota kritike për modernizimin shoqëror të shekullit XIX; të shprehej ndaj integralizmit religjioz, për artin apo edhe për shkollën “Kritika e arsyes” të Frankfurtit?  Vetë Niçe,  i parapriu këtyre mendësive, si një pararendës tejkqyrës i shekullit që do të vinte më pas.

Tashmë, e majta dhe e djathta nuk mund të trajtohen thjeshtëzueshëm si një “organizëm njëqelizor i pakohë”, përkundrazi, ato janë krijesa shoqërore të një vendi të caktuar- në Evropë, në kohë të caktuar- me zanafillë Revolucionin Francez, e që ndërlidhen natyrshëm me njëra-tjetrën. Gjatë shekullit XIX dhe pjesërisht përgjatë shekullit XX, Evropa kreu një përpjekje të pamatë ideologjike, për të zënë vendin e lënë bosh prej mungesës së besimit të krijesave në Krijues, besimit në fe. Me një ideologji që orvatej t’u jepte zgjidhje boshllëk-mbushëse të gjitha nevojave njerëzore, materiale dhe morale, të jetës private, e deri te administrimi i shtetit dhe ekonomisë.

Por e djathta dhe e majta ndanin qëndrime dhe këndvështrime të ndryshme mbi dinamikën e zhvillimit dhe jetën shoqërore, mbi forcën dhe inercinë, mbi gjendjen dhe lëvizjen, mbi ruajtjen e gjendjes faktike dhe ndryshimin. Mbi realitetin dhe dëshirën (ëndrrën). Kjo lloj dinamike do të jetë gjithnjë e pranishme, por duke iu përshtatur vendit dhe kohës, për të hedhur në treg terminologji, ideologji apo edhe programe të dallueshme nga njera-tjetra. Gjykoj se nuk ia vlen barra qeranë të qëmtojmë rreth e qark nesh për të kërkuar gjilpërën në kashtë, për të gjetur diku ndonjë të majtë që nuk e vë ujin në zjarr për demokracinë sociale, për revolucionin apo edhe për forma të tjera të singjashme ideologjike. Por ajo që nuk mund të shmanget dot, është nevoja për të pasur referenca të qarta, figura të spikatura. Për t’i njohur nga afër, për t’i kuptuar, e më pas edhe identifikuar.

Do të vazhdoja të analizoja më tej të djathtën dhe të majtën- ndërkohë që edhe koha historike ka ndryshuar -pasi mendja jonë ka nevojë të njohë njërën anë aq sa edhe tjetrën. Nuk ia vlen ta marrim aq seriozisht çdo dilemë, e të vrasim mendjen se cilin pozicion do të ishte më mirë të merrnin në këtë apo atë rast. Gjykoj se neve na nevojitet më shumë doktrina dhe grupi. Por, gjithashtu nuk mendoj se kjo e majtë që kemi faktikisht do t’i shkojë ndonjëherë për shtat kujtesës sonë historike, gjithnjë në lëvizje e zhvillim të panderprerë.

Besoj se këtë lloj lufte për mbijetesë, zhvillonte për shembull edhe e majta që qeveriste në Spanjë. Politikat konkrete që nddoqi kjo qeveri mund të qenë të mira apo të këqija, të diskutueshme, të debatueshme, por aspak frytdhënëse për këtë kohë, nëse do t’i krahasojmë me politikat e ndjekura në të shkuarën e afërt. Është diçka krejt pa lidhje, pa vijimësi, pa horizont.

Edhe pse ne nuk përtojmë t’ia faturojmë të majtës së tashme shumë të këqija dhe dobësi, duhet pranuar se një pjesë e tyre janë në të vërtetë edhe dobësitë e mangësitë tona vetiake. Nga ana tjetër, e majta duket se po shkërmoqet në Evropë, sepse edhe vetë evropianët me bindje të këtilla, nuk duket se po e çojnë nëpër mend të ndryshojnë sadopak realitetin që varet prej atyre vetë. Në të vërtetë, evropianët me bindje të majta ëndërrojnë me sy hapur që t’u bjerë diçka nga qielli, që t’u mundësohej të veronin (të kalonin pushimet verore) në Minorka, Majorka, Kankun, Tunizi, Slloveni…

Ata ëndërrojnë me sy hapur që me urdhër të peshkut, organizmat sindikale dhe ato politike, t’u garantojnë të njëjtën mënyrë jetesë siç e gëzonin kohë të shkuara, që vendet e punës të mos u rrezikohen nga emigranët e huaj, të cilët, për të njejtën punë, pranojnë të punojnë me çmim edhe më të ulët sesa vendasit; që prodhimet tona vendase të mos rrezikohen nga importet e prodhimet të vendeve të tjera, nëpërmjet “dumping”-ut…Aq më pak, nuk dëshirohet të gjendemi nën darën e spekulantëve të ndërmarrjeve e sipërmarrjeve të mëdha, nga politika e të cilëve dëmtohemi e rrënohemi të gjithë bashkë. Na bën me zemër konkurenca e lirë e mallrave nga jashtë, dhe njëherazi na qan zemra për prodhimet vendase!

Kjo ndodh për shkak se këto lloj shqetësimesh që ne artikulojmë në mënyrë mëse të kuptueshme, nuk gjejnë vend e zgjidhje në politikat e të majtëve, të cilët janë përgjegjësit kryesorë për të ngritur zërin dhe për t’i dhënë zgjidhjen e duhur mjaft problemeve në vend.

Tashmë që na lind nevoja të shpikim gjetje frytdhënëse sociale, është e domosdoshme që t’i japim ‘update’ ikonës të së majtës, në përshtatje të plotë kjo me kohën që ne jetojmë. Duhet që në çdo qelizë shoqërore, e majta të jetë e bashkërenduar dhe e globalizuar. Por shpikjet e reja, argumentat logjikë dhe gjuha që duhet përdorur në kësi raste, do të shkaktojë natyrshëm përballjet dhe përplasjet e kuptueshme, e për këtë arsye nevojiten protagonistë në lartësitë e sfidave të kohës. Konfliktet që do të shktohen në këto raste, nuk është aspak e vështirë të mbeten të lokalizuara, edhe pse ka një të majtë që perceptohet si e tillë, e po ashtu një e djathtë që përjetohet si e tillë.

Një sfidë e këtillë do të jetë e gjallë, e prekshme,e dukshme dhe me efekte anësore. E djathta, nga njëra anë, me ideologjinë e saj të trashëgimisë politike tek e cila beson fort – dhe me listën e saj të shpallur të interesave që duhet të ruajë dhe mbrojë – ravijëzon qartazi hendekun ndarës me programin politik të së majtës.

Në Spanjë, rolin vendimtar për të ndjekur këmba-këmbës të majtën po e kryen një pjesë e të djathtës ultranacionaliste, ultrakonservatore, antisociale, autoritariste dhe mbrojtëse e privilegjeve të trashëguara nga e shkuara e largët. Nëse e majta do të merrej thjeshtë me kundërshtimin dhe moralizimin e e politikave të saj anti-djathtiste, do të binte lehtë në pozita klerikale, të cilat zënë më shumë vend tek e djathtat konservatore. Nëse ajo dëshironte të kryente me të vërtetë një “Rilindje”, duhej të mbështetej fuqimisht tek tradita e hershme evropiane e Humanizmit, por duke i lënë shteg të lirë të gjitha prurjeve të reja të humanizmit bashkëkohor, që lindin e shumohen natyrshëm në këtë botë të hapur që jetojmë sot.

Për të mos folur për melankolinë që i ka kapluar të majtët, perceptimin për një jetë më të mirë, kriticizmin dhe dëshirën e shfrenuar për të ndryshuar me një të rënë të lapsit atë çka i duket apo i përngjan si e padrejtë. Këto janë dhe mbeten disa nga ndjesitë dhe mendësitë që kanë bërë fole tek të tilla qënie njerëzore, të çdo skaji të botës, dhe jo vetëm në Evropë.

Ajo që mbetet ende e paqartë është pikëpyetja që ngrihet vetiu. Cilët janë këto/këta protagonistë të argumenteve? Ku ta kërkojmë dhe ku ta gjejmë vallë thelbin e së majtës?

Intelektualët që ende nuk kanë kaluar nga e djathta – duke menduar e besuar që t’i mbeten besnikë bindjeve të tyre ideologjike e politike – tashmë duken sikur kanë humbur ‘veriun’, duke kërkuar me pishtar në dorë që diçka atje larg t’u feksë. Gjithsesi, mbetemi në pritje nëse do t’ia dalin mbanë. Nga ana tjetër, punëtorët me mëditje që përfaqësohen nga sindikatat e tyre respektive, logjikisht, nuk duket se kanë gjetur ndonjë shtegdalje, nëse vendi i tyre i punës vihet ndopak në rrezik.

Brezi i të rinjve, që janë mishëruesit e shpirtit të epokës që jetojmë, janë të zënë rob nga “bursa e botës virtale”, mbeten jashtë realitetit, jashtë kohe. Duke i mohuar vetes perspektivën e afërt të shndërrimit të tyre nga të rinj në të rritur, duke u shndërruar në bjerraditës, konsumatotë të tregut të personazheve si Piter Pan-i etj., pa i hedhur aspak sytë tek puna me dhe në perspektivë, që do t’u mundësonte një integrim shoqëror të kënaqshëm dhe vijimësinë intelektuale të brezave.

Fatkeqësisht, të gjithë bashkë ndiemi si të gozhduar “në bedenat e Purgatorit të Dantes”, me një të tashmë të stërpërsëritur, por pa të ardhme. Nëse Evropa nuk e mbështet në të majtë, kjo do të thotë se nuk ia ka nevojën.

(Marrë nga “El Pais”, Suso de Toro – shkrimtar)

Share it :