Gëzim Saliu
Përbërja e re e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, koalicioni i majtë me 42 këshilltarë, të djathtët me 19
Pas garës për kryetarin e ri të Bashkisë së kryeqytetit, ka mbyllur siparin dje edhe enigma për emrat e Këshillit të ri Bashkiak të Tiranës. Kështu, në Këshillin Bashkiak më të madh në vend, Partia Socialiste ka marrë 25 vende, Partia Demokratike do të përfaqësohet me 17 këshilltarë e ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim me 13. Pas forcave kryesore vijnë me radhë, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet që arriti të merrte 3 vende në këshill, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e cila siguroi 1 vend, Fryma e Re Demokratike me 1 këshilltar si edhe Partia Republikane me një vend në Këshill. Kompozimi i ri i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit ka shumicën nga koalicioni i majtë që ka siguruar gjithsej 42 këshilltarë e ndërsa i djathti mori vetëm 19 të tillë. Me këtë përbërje, kreu i ri i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që vjen nga radhët e shumicës, do të ketë rrugë të lirë për projektet e tij, ndryshe nga kryebashkiaku demokrat Lulzim Basha. Ky i fundit ka akuzuar shpesh qeverinë se i ka bllokuar disa nga projektet e tij më të rëndësishme që nga viti 2013 e në vazhdim kur në pushtet erdhi mazhoranca e majtë.
Emrat e Këshillit
Këshilltarët e rinj të PS-së në këto zgjedhje përfshijnë emra që kanë qenë pjesë e këtij organi ashtu edhe të rinj. Ish-kreu i Këshillit Aldrin Dalipi do të jetë sërish pjesë e Këshillit të ri, ashtu si Eridjan Salianji, Florian Pullazi apo Alketa Hila. Ndërkaq tek emrat e rinj bien në sy ato të Koldeta Dibrës, e cila kryesonte listën e kandidatëve të PS-së për Këshillin, kreut të Dhomës së Biznesit Luan Bregasi, zv.ministres së Brendshme Elona Gjebrea si edhe ish-drejtores së Doganave Elisa Spiropali. Po ashtu edhe tek PD ka shumë emra të rinj që do bëhen pjesë e Këshillit të ri Bashkiak të Tiranës, ku bie në sy përfshirja e koordinatorëve të forcës më të madhe opozitare. Kryesuesja e listës së kandidatëve të PD-së Reila Bozdo, e cila ishte një ndër bashkëdrejtueset e fushatës së Kosovës për Tiranën, Mateo Spaho dhe Akil Kraja janë tre koordinatorë të PD-së që tashmë do të jenë pjesë edhe e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit. Po ashtu bie në sy tek PD edhe emri i Besnik Aliajt, i cili u përfol fillimisht edhe si kandidat për garën e Tiranës si edhe ai i sportistes Klodiana Shala e cila mbyll listën fituese të demokratëve. Ndërkaq, LSI-ja ka arritur të marrë në këshill 13 vende, ku emrat e rinj përfshijnë ato të LRI-së, forumit rinor të forcës së drejtuar nga Meta. Pjesë do të jenë edhe Erisa Xhixho, Shezai Rrokaj, kreu i LRI Endrit Braimllari si edhe Brunilda Paskali. Ndërkohë aleatja tjetër e mazhorancës PDIU mori tre këshilltarë nga zgjedhjet vendore, ku listën e kryeson Vjollca Braho e ndërsa FRD-ja e Bamir Topit siguroi një këshilltare në këshillin e ri, Mirela Bogdani. Të njëjtin numër siguroi edhe PR-ja e Fatmir Mediut që do përfaqësohet me Ferdinand Papdhimën si edhe LZHK-ja e Dashamir Shehut e cila arriti të përfshinte në Këshillin e Tiranës Ferdinand Shehun.
Partia Socialiste
1-Klodeta Dibra
2-Aldrin Dalipi
3-Blerina Doracaj
4-Luan Bregasi
5-Elona Gjebrea
6-Eridjan Salianji
7-Elisa Spiropali
8-Orion Glozheni,
9-Aida Llazani
10-Florian Pullazi
11-Klotilda Ferhati
12-Fatmir Heti
13-Dorina Hena
14-Ylli Cano
15-Adelina Albrahimi
16-Genc Duka
17-Eugerta Teqa
18-Ramazan Buci
19-Alketa Hila
20-Aqif Qefalia
21-Kozeta Fino
22-Auron Gjani
23-Adriana Berberi
24-Rasim Hidri
25-Luiza Grazdani
Partia Demokratike
- Reila Bozdo
- Njazi Kosovrasti
- Zana Guxholli
- Fabian Topallaj
- Kreuza Leka
- Tahsim Mema
- Ariana Cela
- Leonard Olli
- Argyrina Jubani
- Mateo Spaho
- Enkelejda Sallaku
- Akil Kraja
- Mirela Tabaku
- Kreshnik Çollaku
- Merita Poni
- Besnik Aliaj
- Klodiana Shala
Lëvizja Socialiste për Integrim
- Erisa Xhixho
- Shezai Rrokaj
- Eriona Bixha
- Endrit Braimllari
- Floida Kërpaçi
- Agim Kraja
- Brunilda Paskali
- Ardit Çela
- Ira Vejsiu
- Eltjon Halimi
- Elona Guri
- Bruno Liço
- Bora Panajoti
PDIU
- Vjollca Braho
- Arjan Çukaj
- Albina Nanaj
FRD
- Mirela Bogdani
PR
- Ferdinand Papdhima
LZHK
- Ferdinand Shehu
Gara e fundit e 21 qershorit/ Pas 4 ditësh mbyllet edhe Malësia e Madhe, fiton Marinaj i të majtëve
Kur ishin mbyllur të gjitha dilemat e zgjedhjeve të kryebashkiakëve të rinj, vetëm dje u mbyll numërimi për garën e Malësisë së Madhe ku u shpalla fitues kandidati i ASHE-së, Tonin Marinaj. Ky i fundit mori 10294 vota, ndërsa kandidati i APPD-së, Anton Kokaj, mori 8632 vota. Ndërkohë para shpalljes së rezultatit për këtë bashki, ku nuk munguan incidente, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) diskutoi rreth situatës së numërimit të votave në Malësinë e Madhe. Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi, paralajmëroi anëtarët e GNV-ve në këtë zonë zgjedhore që, në rast ndërprerjeje të përsëritur të procesit do të shkonin për ndjekje penale. “U bëjmë thirrje përfaqësuesve të partive, anëtarë të GNV-ve në KZAZ-në nr. 1 që të vazhdojnë procesin, i cili ka nisur tashmë dhe duhet të përfundojë. Nëse ndonjë nga numëruesit nuk do të pranojë të zbatojë vendimet e KQZ-së, atëherë do të shkojë për ndjekje penale”, – tha Luzi.




