Shadija politikane, atdhetare, feministe e fillimshekullit të XX, ishte unike. E konsideruar “Thatcher-i shqiptar” i kohëve moderne, fliste me guxim për hapësirat politike të femrës, në një izolim patriarkal. Mendjehapur, njohëse brilante e politikës, brenda dhe jashtë kufijve, hodhi themelet e femrës-politikane. “S’kemi dëftyer kurrë ndonjë energji, as aktivitet, për lirinë dhe stërvitjen t’onë. Mjafton pra, zonja, tirania, që duruam gjer sot, shkaku i së cilës është padia dhe mospërpjekja për lirinë t’onë. Ja rasti për të dëftyer që, edhe ne gratë jemi të zonja që të marrim pjesë, sa burrat, mbase edhe më tepër, në zgjimin e atdheut t’onë” (shkruan në një artikull, në gazetën “Bashkimi”, më 1924). Jashtë modestisë, gruaja me energji të pafund, zhvilloi një aktivitet real për ndërgjegjësimin e gruas potenciale, mendërisht e intelektualisht. Shkon përtej vizioneve më të guximshme, edhe për kohët moderne. 30%-shi i grave politikane, ende ka mbetur ideale, artificiale, aspak reale. Në vitet ‘20, Shadija 25 vjeçare pretendon Shqipërinë, në elitën e vendeve, si Angli, Francë, pasi jo të gjitha vendet e Europës e kishin ndërgjegjësimin, emancipimin e pjesëmarrjes së gruas në politikë. Zvicra iu ka dhënë grave të drejtën e votes, vetëm në vitin 1960.
“Ato, përveç lirisë vetjake, kanë arritur edhe lirinë politike. Shohim, në Norvegji, Suedi, Danimarkë e më së fundi, në Angli, Gjermani e Austri, që gratë marrin pjesë në qeverimin e vendit të tyre. Në mos jemi në atë shkallë, që ndodhet gruaja në Europë, fajin e kemi ne grate, më tepër se burrat dhe baballarët tanë”. Mendësia e gruas politikane lind nga ndryshimet rrënjësore, ndërgjegjësimi i gjendjes reale, iluminime dhe shtysa të brendëshme. Sot, një grua me ambicie politike konsiderohet normalitet. Vizionet shtetare të një femre, përpara një shekulli, ishin të paimagjinueshme, deri në herezi. Me ide të qarta, luftoi për konsolidimin e shtyllave mbështetëse të shoqërisë: arsimimi, ekonomia, si dhe zhvillimi i femrës. “Vendin tonë të dashur e kishte zënë reja e zezë e padijes dhe e fanatizmës, të cilat shkakëtojnë pafundërisht edhe varfërimin ekonomik të një vendi” (gazeta “Bashkimi”).
Ajo zhvillohet si figure. E shohim, në vitin 1924, në lëvizje konkrete të mirëfillta politike, në shoqatën “Bashkimi”, me vëllanë e saj Fuad Asllani, zv.kryetar i shoqatës dhe bashkëshortin në kryesi, Sulo Bogdo. Kjo shoqatë, me aktivitetin dhe funksionet, kishte staturën e një partie. Më 1 gusht 1924, organizohet kongresi i saj i parë, ku mbahet një minutë heshtje për ish-kryetarin, Avni Rustemi, dhe premtohet se do të vazhdohen idealet e tij. Ndërsa më 24 nëntor të po atij viti, mblidhet kongresi i jashtzakonshëm për të caktuar qëndrimin, në kohën e zgjedhjeve. Aty zgjidhet kryetar kuvendi, Sulo Bogdo. Së bashku me Fan Nolin, me dështimin e lëvizjes politike të qershorit 1924, bashkëshortët Bogdo emigrojnë në Itali, më dhjetor të 1924-ës. Rikthimi në Atdhe, përpara shpalljes së amnistisë për emigrantët politikë, e përball Shadijen me regjimin zogist. Burgoset si antizogiste, pasi ishte për republikë demokratike. Reagon parlamenti i kohës, me arsyetimin që nuk mund të burgoset, për politikë, një grua. (Ky ishte mentaliteti patriarkal, kundër të cilit ajo luftonte, për ditë). Mbas lirimit nga burgu, internohet në Kavajë. Regjimi i Zogut krijoi ambjent apolitik, për të mos lejuar lëvizje të mirëfillta partishë, duke e limituar elitën, deri tek bindjet politike. Tendenca e këtyre bindjeve, në përgjithësi, ishte socialdemokracia. Musine Kokalari, arriti shumë më vonë, gati 20 vite më pas, të ngrinte një parti socialdemokrate. Europa Perëndimore dhe ajo Lindore po përballeshin me ekstremitetet, si komunizmi dhe fashizmi. Sigurisht, elita politike do të reagonte ndaj ekstremiteteve, pasojat e të cilave nisën të ndiheshin, duke shpërthyer një luftë të nxehtë botërore. Një elitë e mençur dhe e ftohtë në gjykim, përtej ambicjes për pushtet dhe analitike ndaj një krize ekonomike, pa rënë në dëshpërim, apo depresion, ankthe e frikëra kolektive, sigurisht që do të reflektonte dhe do të distancohej nga ekstremitetet. Kjo ishte esenca e tendencave socialdemokrate, të cilat po përfshinin elitën politike, sigurisht edhe Shadijen. Janë krizat globale dhe ekonomike, të cilat spostojnë krahët politikë drejt poleve, gjë që ka rezultuar e rrezikshme. Ndërkohë, regjimi i Zogut vuri përballë elitën, në pro dhe kundër tij. Një pjesë e saj, e konsideroi Zogun një figurë për forcimin e shtetit dhe konsolidimin e tij. Një pjesë tjetër e elites, ku u përfshi edhe Shadija, e konsideroi një pengesë për të realizuar idealet, për forcimin e një shteti dhe një republike demokratike.
Në këtë periudhë kohore, u krijuan mjaft organizata e shoqata demokratike përparimtare të gruas. Nuk mund të mos shkëlqente gruaja-politikane edhe në shoqatën “Shqiptarka”, e konsideruar feministe, duke ia rritur staturën, drejt veprimtarive politike. Shoqata protestoi politikisht, kundër vrasjes së Avni Rustemit, si dhe kërkoi arrestimin e dënimin e fajtorit. Më dhjetor të vitit 1924, kur qeveritë e shteteve fqinje ndërmorrën një fushatë, kundër qeverisë demokratike të qershorit 1924, shoqëria organizoi një demonstrate, ku morrën pjesë 100 gra, të cilat me flamurin kombëtar, protestuan përpara përfaqësive të huaja, duke iu drejtuar fuqive të huaja këtë telegram: “Të mbledhur, përpara rrezikut që kërcënon ekzistencën e atdheut, ju bëjmë thirrje që të përdorni influencën tuaj, që të ndalohet përkrahja e dhënë drejtpërsëdrejti nga qeveria jugosllave, për lëvizjen që prish qetësinë e atdheut”.
Shadija, mbi të gjitha vizionare per çka ishte thelbi i progresit të qytetërimit europian, luftoi kryesisht për arsimin shqiptar. Mbas vitit 1908, me njesimin e gjuhës shqipe, si mjet i rëndësishëm për identifikimin e kombit, elita po përgatiste terrenin për forcimin e themeleve të arsimimit shqiptar. Ajo luftoi, me bindjen që arsimi ishte e vetmja mënyrë për forcimin e vetëdijes kombëtare, në një periudhë çoroditjeje dhe përpjekjesh shtetformuese. Emrin e saj e shohim në Kongresin Arsimor të vitit 1922, i cili kërkoi përmirësime dhe ndryshime në strukturën e brendinë e shkollës, në përshtatje me kohën, duke synuar kryesisht laicizmin. Në këtë Kongres, Shadija përcolli përvojën e saj, në hapjen e së parës shkollë të vajzavë, në Libohovë. Përpjekjet për laicizmin e shkollës, nuk përfunduan me kaq. Ato do të vazhdonin, sidomos në Kongresin e Arsimit të vitit 1924, ku figura e saj merr vlera si nismëtare dhe organizatore e këtij kongresi (kjo ishte dhe një detyrë që iu ngarkua nga shoqata “Bashkimi”). Nuk ishte rastësi, që forumi i ri i arsimtarëve u mblodh e zhvilloi punimet, në lokalin e shkollës femërore, ku punonte vetë Shadija. Gazeta “Bashkimi” e datës 15 gusht 1924, në faqen e saj të parë fillon artikullin për Kongresin Arsimor: “Më datë 12, ora 5, në shkollën femënore (shkolla e vajzave në Tiranë, ku ajo ishte drejtoreshë) u hap kuvendi arsimor, ku marrin pjesë 33 delegatë”. Kongresi vendosi zhvillimin e arsimit mbi baza shkencore dhe demokratike. Theksimi i këtyre dy kërkesave, krahas njëra tjetrës, fliste për ndikimin e lëvizjes demokratike të kohës dhe për pjekurinë politike të mësuesve delegatë. Kongresi votoi disa nga kërkesat e Shadijes, një nga të cilat ishte arsimi fillor i detyruar për dy sekset, në shkollat shtetërore. Shkollimin e femrës shqiptare kongresi e pa të rëndësishme, si për kohën e afërt ashtu edhe për perspektivën, si në bazë shkolle, ashtu edhe jashtë saj. Veç detyrimit shkollor për vajzën shqiptare, kongresi vendosi t’i rekomandonte Ministrisë së Arsimit, krijimin e një shkolle normale femërore, një tjetër propozim i Shadijes. Mbi bazën e këtij propozimi, u hap më vonë “Instituti Nëna Mbretëreshë”. Figura e saj spikat, në grupin iniciator të thirrjes së kongresit, së bashku me Aleksandër Xhuvanin, Jani Mingën, Ramazan Jarani dhe Mehmet Vokshin, me shokë. Ky ishte kongresi i dytë arsimor, ku ajo ishte organizatore.
Me shoqërinë “Shqiptarka”, e cila u themelua në 28 mars 1924, në Tiranë, spikat figura e saj feministe. Përballë grave, të “mbuluara” fizikisht e mendërisht, qendronte superioriteti i padiskutueshëm imponues, mbytës, mashkullor. “Pra, guxim, zonja! Atë që nuk e bëmë ne, do t’i bëjnë vajzat t’ona. Pra të bashkohemi dorë për dorë, dhe të ndihmojmë çështjen e feminisms, në Shqipëri”. “Qytetërimi i një kombi ka nevojë për zgjimin e grave” – shkruan ajo në gazetën “Bashkimi”. Është vetëm viti 1924 dhe ajo hedh themelet e feminizmit shqiptar, si dhe të rolit të shoqërisë civile. Shoqëria “Shqiptarka” u kryesua nga Shadie Bogdo. Sipas statutit (hartuar prej saj), qëllimi ishte lufta kundër zgjedhës ndaj gruas shqiptare, përmirësimi i gjendjes shoqërore të saj, hapja e rrugës për t’u bërë factor, në të gjitha fushat e jetës. “Gratë janë gjysmë e njerëzimit, prandaj një komb quhet i përparuar, kur krah për krah me burrin, ecën edhe gjysma tjetër, gratë” (Sami Frashëri). “Si mund të vejë mbroth një komb, kur gratë rrrinë të mbyllura në kuvli? Gruaja duhet të jetë më e mësuar, se burri. Gruaja është mëmë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe krejt e njërëzisë” (Naim Frashëri). Në të njëjtën linjë konceptuale me Sami Frashërin, Naimin, apo rilindasit, spikat edhe një zë femre. “Gruaja përveç detyrave shtëpiake, ka detyra më të mëdha në punën e Atdheut, se mëmat i-u kdhet në zëmrën e djelmëve, ato ndjenja patriotike, me të cilat më pas formohet atdhetari, që me therrori të jetës do t’a mbrojë vendin e tij. Për t’i dhënë djalit këto ndjenja të nalta, gruaja më së pari duhet t’i ket vetë; dhe ajo s’munt t’i marrë ato ndjenja, përveç se në shkollë. Për të marrë vesh mirë ç’pjesë merr gruaja shqiptare në jetën sociale, të shohim më parë pjesën që ka në fëmijë, e cila është si një pasqyrë e vogël e një shteti”. Nyja gordiane, mikrokozmosi (fëmija) dhe makrokozmosi (shteti), femra–fëmijë e shkolluar, femra-nënë e shkolluar, femra intelektuale, femra patriote, e cila rezultat final ka patriotizmin. Në atë periudhë, kur ende shteti shqiptar luftonte për ekzistencën dhe mbijetesën si komb, flitet kryesisht për lëvizje patriotike që plotësonin kuadrin e lëvizjeve atdhetare.
Fillimisht në shoqatën “Shqiptarka” u hap një kurs analfabetizmi, i drejtuar nga vetë Shadija, që për kohën, ishte një hap me rëndësi. Qëndizmat që dilnin nga anëtaret e shoqatës, shiteshin dhe me të ardhurat ndihmoheshin refugjatët kosovarë. Ky kontribut, më shumë se vlerë materiale, kishte vlerë patriotike. Shoqëria u përkrah drejtpërsëdrejti nga elementët demokratë revolucionarë, si Avni Rustemi me shokë. Shoqata, realisht ishte filial i shoqërisë “Bashkimi”.
Shadija, krahas aktiviteteve politike, patriotike feministe, kreu një punë të jashtëzakonshme në Libohovë për të çelur të parën shkollë të femrave, në tetor të vitit 1920. Puna do të fillonte me ndërgjegjësim dhe ngritjen e vetëdijes së një kombi, të sapo dalë nga një epokë e errët. “Sot qeveria, duke parë se qytetërimi i një kombi ka nevojë për zgjimin e grave, zuri të çelë shkolla femënore, në ato qendra të Shqipërisë, që kanë më tepër rëndësi” – thotë Shadija në fjalimin e ditës së parë të çeljes së shkollës, ku jep edhe një pasqyrë të gjendjes ekonomike, arsimore, ku e kishte lënë Turqia, Greqia, apo qoftë edhe Italia, të cilat kishin ndjekur një politikë inekzistente arsimore. Në fillim, nuk e pati të lehtë. Ju desh të punonte me prindërit dhe vetë vajzat, që të bindeshin se shkolla ishte një vend që do t’i mësonte dhe do t’i ushqente me dashurinë e Shqipërisë së shumëvuajtur. Dita e çeljes së shkollës u kthye në një festë popullore.
Gruas shumëdimensionale do t’i voliteshin idetë përparimtare të kohës, por edhe takti pedagogjik, për të tejkaluar ndrydhjen e rrënjosur brezash. Përballë grave-perçe shekullore, do të qëndronte gruaja-violiniste, e cila me fantazinë e një artisteje do të përgatiste dhe do të organizonte aktivitete kulturore, artistike. Me plotërinë e formimit të saj edhe me pedagogjinë amerikane, iu dha rëndësi të veçantë veprimtarive jashtëmësimore, si faktor me rëndësi për formimin atdhetar të nxënëseve. Repertori i shfaqjeve teatrore edhe muzikore, me autorësi edhe nga vetë Shadija, vlenin, jo vetëm për edukimin moral e patriotik, por edhe për afrimin e vëllazërimin e nxënëseve, me besime të ndryshme fetare. Me vajzat shtëpiake me mendësi, duhet të punonte psikologjikisht, duke krijuar me to një marrëdhënie dashurie. I. Kumbaro (nxënëse e saj) shkruan në kujtime: “Ajo ishte mësuesja më e mirë në botë, kaq shumë e kemi dashur dhe çmuar”. Zejnepe Bejleri, një tjetër nxënëse thotë se, “ajo punonte shumë me vajzat e tjera, jashtë shkollës, për të hequr çarçafet dhe ia kishte arritur qëllimit”. Habibe Libohova, zbulon personalitetin e mësuese Shadijes: “oshte një grua e gjallë, e shkathët dhe njëkohësisht shumë e përmbajtur. Kur fliste, sikur lëshonte trëndafila. Kishte një të qeshur të lehtë, të brendëshme, që na tërhiqte dhe na bënte për vete. Ajo na dukej si kokone”. Shadie Bogdo, transferohet më pas në Tiranë, si drejtoreshë e shkollës femërore të kryeqytetit, krahas Mati Logorecit, drejtor i shkollës fillore të djemve, duke vazhduar punën si mësuese, njëkohësisht edhe feministe për të drejtat e grave.
Në vitin 1926, Shadien e shohim si të parën mësuese në Insitutin Amerikan të vajzave të Kavajës, ku u cilësua mësuese me nivel të lartë arsimor. Kthehemi në kohë gati 100 vjet dhe vizualizojmë një shkollë (Insituti Amerikan i Vajzave), e cila formëzon culture, por mbi të gjitha karaktere, pjesë e natyrshme, integrale dhe shumë e rëndësishme e mirëqenies komunitare. Kjo është një cilësi, që ende bota e re përtej oqeanit, mahnit Europën. Në botën anglosaksone, raporti individ-komunitet, ruhet në një balancë gati perfekte, që e bën ende Amerikën të suksesshme, apo një superfuqi. Mijra emisione televizive, ku heronjtë nuk janë të heshtur por shumë aktiv për komunitetin. Këto ekrane televizive në mënyrë frenetike shumëfishojnë “punët e mira”, apo “çfarë mund të bësh ti për komunitetin”. Sakrifica, “shpirti i Amerikës” ishte thelbi edhe në atë shkollë të vogël, dhe të madhe njëkohësisht. Në degën femërore të insitutit, u synua që mbi të gjitha, të formohej një karakter i qëndrueshëm, i cili kishte besim tek njeriu, tek idealet që fisnikërojnë botën e brendshme njerëzore dhe pasurojnë mendjen. “Shpirti i shërbimit” ishte ideali madhor, që përshkonte synimin e tërë punës së shkollës. Mësuesit amerikanë krijuan marrëdhënie njerëzore dhe intelektuale me kolegët shqiptarë, si i barabarti me të barabartin. Këto provuan, bindshëm, që kjo ishte një nismë dhe veprimtari misionarësh, të dërguar nga shoqata fetare, mirëbërëse, pa asnjë interes. Njëkohësisht, tregon edhe nivelin intelektual, profesionalizmin arsimor, edukatën qytetare të mësueseve shqiptare që ecën përkrah mësueseve amerikane, siç ishte Shadije Bogdo. Në vendin e dijeve, nuk u duken tendenca amerikanizuese dhe për pasoje çkombëtarizuese. Mësuesit shqiptarë qenë krejt të lire, të punonin si shqiptarë, në të gjitha lëndët, sidomos në lëndët albanistike, si gjuha, letërsia, gjeografia, historia, lëndë të cilat mësonte nxënëset Shadieja. Synimi ishte, në rradhë të parë për të përgatitur njeriun-qytetar, dhe pastaj specialistin. Qytetarin me mendim të lirë dhe që vështronte drejtësinë legale si mjetete themelore të demokracisë. Në të vërtetë, me atë formim qytetar që merrnin nxënësit, po hidheshin themelet e përvetësimit të ideve të demokracisë amerikane, që mjerisht, fati historik i la në mes të udhës (pushtimi fashist), e më vonë diktatura komuniste iu dha goditjen përfundimtare. Të rrëmbyera, në valën e asaj fryme të shëndoshë dhe positive, edhe mësueset shqiptare ecën krah për krah me mësueset amerikane. Profesorët në shkollën amerikane rrezatonin të vërtetën: “Bota është komplekse, e përbërë nga individë të veçantë. Nuk mund të ketë rregulla të prera, që të munden t’i përshtaten çdo qenie njerëzore dhe çdo situate. Prandaj celi mendjes shtigjet për idetë dhe ndikimet e reja, kombino arsyen me imagjinatën dhe integritetin me punën e zellshme”. Prandaj, Amerika sot ende mbetet shteti i fuqisë së punës, mendjes, kreativitetit, integritetit. Megjithë përbaltjen nga rregjimi komunist, përsëri këto shkolla mbetën si faltore dhe mësuesit e tyre si shenjëtorë, si modeli më i mirë shëmbullor për t’u ndjekur, veçanërisht nga ata që merren me arsimimin e edukimin e brezave të kombit.
Gra që kanë tejkaluar autoritetin dhe pushtetin e padiskutueshëm mashkullor, kanë qenë të rralla, edhe në botë. Rrethanat historike kanë ngritur në piedestal gra të tilla. Por, ka edhe gra që, gjatë aktivitetit të tyre, iu është dashur të përmbysin rrethanat ekstreme, që të mundësojnë aktivitetin e tyre. Studjuar, në Robert Kolegj, në Stamboll, Shadije Bogdo, njihte në mënyrë perfekte tre gjuhë të huaja, anglisht, frengjisht, turqisht. Në rregjimin komunist, gruaja me kulturë perëndimore, pro amerikane, me një djalë në emigracion, me vëllezër në burgjet e diktaturës, u la në hije, pa emër, pa zë, pasi u vëzhgua mosbesuese nga pushteti politik. U përcoll në banesën e fundit, pa asnjë ceremoni zyrtare, sipas meritës. Është e dekoruar “Për veprimtari të lartë patriotike” dhe sot nderohet nga libohovitët me titullin “Qytetare nderi e Libohovës”. Viti 2012, e vendos në kalendarin enciklopedik të Radio Valës, në Kosovë.




