Gëzim Saliu
Takimi me dyer të mbyllura, Rauning: Palët të ulen e të flasin, koha që të gjithë të jenë në proces
Një ditë pasi Konferenca e Kryetarëve miratoi pa konsensus propozimin e shumicës së majtë për të ndryshuar përbërjen e komisionit të hartimit të reformës territoriale, ambasadorët e Bashkimit Evropian kërkuan dje nga qeveria garanci që kjo reformë të mos kthehet në ndryshim të hartave elektorale. Në të njëjtën linjë me shqetësimin e opozitës, ambasadorët e BE-së pohuan në takimin që zhvilluan me ministrin për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, se reforma administrative është e rëndësishme për vendin, por duhet të qëndrojë larg prekjes së sistemit elektoral. Ndërkohë, në emër të mazhorancës qeverisëse, ministri Çuçi deklaroi se reforma territoriale nuk ka lidhje me atë zgjedhore. “Unë e sigurova ambasadorin që mazhoranca nuk do bëjë asgjë që të prekë sistemin elektoral apo çështje që kanë të bëjnë me çështjet elektorale. Reforma territoriale nuk ka lidhje me reformën zgjedhore, do të fokusohet vetëm në riorganizimin e territorit në shërbim të shqiptarëve ashtu siç kemi premtuar. Reforma territoriale është një proces i udhëhequr nga kriteret teknike dhe profesionale dhe jo ato politike”, – u shpreh ai pas përfundimit të takimit me dyer të mbyllura me ambasadorët e BE-së.
Takimi
Në tryezën e organizuar nga OSBE-ja, ambasadorët dhe përfaqësuesit e institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare u informuan nga përfaqësuesit e qeverisë mbi ecurinë e reformës administrative territoriale. Në fjalën e tij, ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig, kërkoi bashkëpunimin e të gjitha palëve politike për një reformë të rëndësisë së tillë. “Reforma territoriale është shumë e rëndësishme, është koha të nisë reforma. Është një reformë shumë e rëndësishme dhe që flitet prej shumë kohësh. Është momenti për të filluar me reformën dhe është koha që të gjithë të marrin pjesë në këtë proces. Nuk është mirë që një pjesë të mbesë jashtë”, – tha ai. Ndërkohë, i pyetur nëse mund të shihet e ndarë reforma territoriale nga reforma zgjedhore, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri theksoi: “Reforma territoriale është reforma territoriale. Reformat zgjedhore duhet të analizohen, nuk është e thënë që reforma territoriale të ketë patjetër implikime për reformën zgjedhore. Prandaj palët duhet të ulen dhe të flasin me njëra-tjetrin”. Ndërkaq ministri Çuçi nënvizoi se në takim ambasadorët nuk kishin pasur sipas tij kundërshti për faktin se mazhoranca është e vendosur për ta vijuar edhe e vetme reformën territoriale. “Jo, ky shqetësim nuk doli fare. Unë i sigurova ambasadorët se reforma është udhëhequr nga kritere thellësisht teknike dhe profesionale dhe aspak politike. Jua them me garanci se nuk pati asnjë shqetësim të kësaj natyre”, – theksoi ai. Takimi i djeshëm ishte i dyti i ministrit të çështjeve Vendore me ambasadorët lidhur me reformën administrative territoriale, ku kjo e fundit është e mbështetur financiarisht nga disa vende anëtare të OSBE-së. Ditën e sotme në seancën parlamentare, mazhoranca do të ndryshojë projekt-vendimin që do t’i mundësojë asaj mbledhjen edhe pa opozitën të komisionit të posaçëm të Kuvendit për reformën administrative territoriale, ku të majtës tashmë do t’i përkasin 9 anëtarë e të djathtëve vetëm 8.
Qëndrimi i PD-së/ Basha: Manipulim elektoral dhe politik i hartës administrative e territoriale
Në reagimin e fundit përmes një konferencë për shtyp, kreu i opozitës, Lulzim Basha, deklaroi se mazhoranca qeverisëse ka refuzuar konsensusin lidhur me reformën administrative territoriale dhe se po kërkon të manipulojë elektoralisht hartën e vendit. “Shumica Rama-Meta ka programuar dhe futur në kalendarin e Kuvendit manipulimin elektoral dhe politik të hartës administrative territoriale të vendit, përmes një pseudoreforme, pa konsensus me opozitën, dhe kundër interesave të qytetarëve. Me gjithë thirrjet tona të përsëritura për një reformë të vërtetë, me konsensus dhe për qytetarët, shumica si asnjëherë në këto 23 vite, e përsëris, si asnjëherë në këto 23 vite, refuzoi konsensusin në Kuvend, pra refuzoi bashkëjetesën demokratike”, – ka theksuar Basha. Në mbledhjen e dy ditëve më parë të Konferencës së Kryetarëve u miratua kërkesa e kreut të grupit të PS-së për ndryshimin e përbërjes së komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale. Ndryshimet të cilat do të votohen në seancën e sotme parlamentare prekin reduktimin e anëtarëve të opozitës në komision, duke i hequr asaj barazinë e votës për të bërë të mundur mbledhjen e komisionit edhe pra praninë e të djathtëve.
Didier Burkhalter/ Kreu i OSBE-së sot në Tiranë, takim me Nishanin e Bushatin
Kreu i OSBE-së, Didier Burkhalter, do të vizitojë sot Shqipërinë, ku do të zhvillojë takime të ndryshme me përfaqësues të lartë të vendit, ku një ditë më pas ai do të vizitojë edhe Kosovën dhe Serbinë. Siç bëhet e ditur, Presidenti i OSBE-së, Burkhalter, do të zhvillojë një takim me presidentin Bujar Nishani dhe më pas do të takohet edhe me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Gjithashtu Burkhalter do të marrë pjesë edhe në një takim me të rinj shqiptarë të cilët marrin pjesë në kurse të ndryshme që organizohen nga OSBE-ja në Tiranë.
Gjobitja për mosdeklarimin e pasurisë/ Zv.ministri Hila çon në gjykatë ILDKP-në: Emri im as çamçakëz dhe as trampolinë për karrierë
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, deklaroi dje se njoftimi për vendosje gjobe nga ILDKP-ja e ka mësuar nga mediat dhe se, sipas tij, kjo çështje ka të bëjë me vonesën në dorëzimin e deklarimit të pasurisë. Kjo vonesë, sipas tij, ka ardhur pasi ligji për të cilin ekziston ILDKP-ja, nuk hyn në ato ligje që kanë lidhje me detyrën funksionale. “Saktësoj se bëhet fjalë për vonesë në dorëzimin e deklarimit të pasurisë. Vonesa ka ardhur pasi ligji për të cilin ekziston ILDKP-ja, nuk hyn në ato ligje që kanë lidhje me detyrën time funksionale, të domosdoshme për t’u njohur. Megjithatë, sqaroj se si Zëvendësministër, e pranoj pagesën e gjobës për mosdijen time dhe shkeljen e afateve”, – sqaroi Hila, duke theksuar se brenda dy ditësh do të depozitojë deklaratën pranë institucionit dhe se ILDKP ka shkelur ligjin duke i publikuar emrin. “Ndërkohë, ILDKP-ja shkel ligjin, duke publikuar emrin tim. Këtë hap mund ta ndërmarrë vetëm nëse do të refuzoja deklarimin e pasurisë edhe pas njoftimit zyrtar të vënies së gjobës. Theksoj se ende nuk kam marrë asnjë njoftimin zyrtar. Emri im nuk mund të bëhet as çamçakëz dhe as trampolinë për karrierën e kujt ka frikë të merret me abuzimet reale. Nuk mund ta lejoj, pasi është kapitali më i çmuar që kam, pavarësisht se nuk shkruhet në asnjë deklaratë pasurish, ndaj për cenimin e nderit tim ILDKP-ja do të përballet me mua në dyert e gjykatës”, – theksoi zv.ministri i Mbrojtjes.




