Reagimi/ Bashkia e Tiranës: Po sulmohemi edhe nga ALUIZNI

 

xhindiBashkia e Tiranës ka reaguar për deklaratat e drejtorit të ALUIZNI-t, Artan Lame, në Komisionin e Ekonomisë, duke i quajtur gënjeshtra dhe se në Bashki nuk ka mbërritur asnjë kërkesë për bashkëpunim. Nëpërmjet nënkryetares Nevila Xhindi, Bashkia e Tiranës i ka kujtuar kreut të ALUIZNI-t se ligji “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” është miratuar në vitin 2006, kohë në të cilën kryetar Bashkie ishte Edi Rama. “Sulmet politike ndaj Bashkisë së Tiranës kanë përfshirë dje dhe Agjencinë e Legalizimit. Artan Lame mashtroi opinionin publik, për të fshehur paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e tij dhe të shefit të tij. Ligji “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” është miratuar në vitin 2006, kohë në të cilën kryetar Bashkie ishte Edi Rama. Dhe në këtë ligj përcaktohej se “fusha e veprimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet pa leje të ngritura mbi troje private brenda vijës së verdhë, kur planet rregulluese urbanistike parashikojnë ndërtime mbi 5 kate nga niveli zero”, mes të cilëve ndodhet edhe pallati i Artan Lames. Pra, kualifikimi i subjekteve bëhet që në momentin e deklarimit prej tyre të ndërtimit pa leje dhe mbështetur mbi studimet urbanistike para vitit 2006. Plani i përgjithshëm vendor, të cilit i referohet zoti Lame, është i vitit 2013, pra plot 7 vjet pas miratimit të ligjit për legalizimet. Kjo ishte gënjeshtra e parë e zotit Lame. Gjithashtu, z. Lame gënjeu se i ka kërkuar bashkëpunim Bashkisë së Tiranës lidhur me këtë çështje, pasi në Bashkinë e Tiranës nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare nga ALUIZNI. Dhe e fundit, ne po i kërkojmë publikisht z. Lame që në ndryshimet që po i bën ligjit për legalizimet, të përfshijnë edhe rregullimin ligjor të kësaj çështjeje, e cila është injoruar nga ana e tij, si dhe të heqë dorë nga retorika boshe, gënjeshtrat dhe konflikti politik”, – u shpreh nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi.

 

 Skema e re/ Veliaj: Javës tjetër prezantojmë draftin për reformën e pensioneve

 

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, gjatë një takimi në një nga universitetet private, ka bërë me dije se javës tjetër do të prezantohet drafti për reformën e pensioneve. “Për shkak të faktit se skema është dekurajuese dhe se informaliteti është shumë i lartë, numri i kontribuuesve është shumë i ulët, çka e ka përkeqësuar shumë raportin mes kontribuuesve dhe përfituesve. Këtu e ka burimin edhe defiçiti i lartë i skemës”, – u shpreh Veliaj. Më tej, Veliaj bëri me dije se skema do të sjell rritje të përfitimeve. “Deficiti do vazhdojë të thellohet deri në vitin 2035, e pastaj nis e ulet për arsye se përfitimet do të jenë shumë të ulëta. Prandaj, duhet ta reformojmë tani skemën, që të garantojmë që përfitimet për qytetarët të jenë të denja”, – theksoi Ministri i Mirëqenies Sociale. Me publikimin e draftit për reformën e pensioneve pritet të zbardhet se sa do të jetë rritja reale e moshës së pensionit. Skema e re e pensioneve do të hyjë në fuqi në 1 janar 2015.

 

 

Share it :